Psika: Si mundemi t’i njohim  reaksionet tona të menjëhershme emocionale?

Avdijaj:  Padyshim se në jetën e përditshme aspekti emocional është pothuajse prezent çdoherë te njeriu dhe ka një rol të rëndësishëm në reagimin ndaj situatave qofshin ato të mira, të këndshme, ato alarmante apo që përbëjnë ndonjë rrezik për qënien tonë. Do dëshiroja të ndalesha pakëz dhe ta elaboroja se si gjendja emocionale çon deri te konfliktet, pasi që edhe ankesat e klientëve zakonisht janë të kësaj natyre. Kjo më së miri vërehet në rastet kur ndjenjat tona të brendshme bien në kontakt me një realitet të jashtëm i cili është i kundërt dhe i papranueshëm, e që në njëfarë mënyre mund të paraqet si kërcënim për ne. Në këtë rast, shfaqet domosdoshmëria për ta mbrojtur Unin, me një reagim të pavetdijshëm dhe të pakontrolluar. Aspekti emocional në këtë rast karakterizohet me dy faza:

1. Kur fillon të shfaqet si ndjenjë dhe e përshkon tërë brendësinë e trupit dhe;

2. Kur ndjenja aktivizon trupin dhe shndërrohet në reagim.
Nëse individi ngecë në fazën e parë, mundësitë janë që ato ndjenja t’i bllokojë në trupin e tij, duke shkaktuar një konflikt të brendshëm por jo edhe të jashtëm. Ndërsa në fazën e dytë, individi gjen hapësirë për zbrazjen apo shpërthimin e tij emocional ndaj objektit të jashtëm të padëshiruar, e që në këtë rast priret të shkaktojë konflikte të jashtme. Këto dy pika që u përmendën kanë rëndësi të veçantë pasi që shërbejnë si identifikim i aspektit emocional edhe si pikënisje në trajtimin e problemeve emocionale në psikoterapi.

Është me rëndësi të ceket se gjatë procesit psikoterapeutik, teknikat të cilat prekin direkt ndjenjat tona të brendshme të bllokuara, kryesisht janë puna me teknikën e frymëmarrjes që zakonisht aplikohet në forma të ndryshme, e poashtu edhe teknikat e meditimit.


Psika: A është i vërtetë thashethemi se shumica e terapistëve luftojnë vetë me çështjet e shëndetit mendor?

Avdijaj:  Fillimisht, duhet të dimë se para të gjitha roleve që zakonisht kemi në jetën e përditshme, së pari jemi qenie njerëzore. Dhe duke u nisur nga fakti se jemi njerëz, kjo na bën të kuptojmë se të gjithë i jemi ekspozuar një realiteti, që na sjell sfida të ndryshme dhe vështirësi të cilat në njëfarë mënyre, na janë imponuar nga vet jeta. Në këtë rast, as terapistët nuk janë të përjashtuar dhe të kursyer nga këto ndikime, qofshin ato të vështira apo të pakëndshme që mund të kenë përjetuar! Nëse kthehemi dhe shikojmë në jetën e figurave të shquara botërore të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e psikologjisë dhe psikoterapisë, do të gjejmë se sa shumë nga ata janë përballur me probleme nga më të ndryshmet si: trauma, sëmundje, konflikte familjare, vështirësi në aspektin profesional etj. Por kjo asnjëherë nuk i ka ndaluar që ata të sjellin gjëra të dobishme, e që frytet e tyre tashmë i korrim edhe ne, gjeneratat e sotme. Duhet ditur një gjë, se për të qenë një terapist i mirë dhe i aftë, i cili mund t’i ndihmojë të tjerët në trajtimin dhe ruajtjen e shëndetit mendor, së pari terapisti duhet të kalojë nëpër procese edukimi disa vjeçar në psikoterapi, ku në të përfshihet edhe vetëzhvillimi, i cili çon drejtë njohjes së vetvetes; identifikimit të traumave apo konflikteve të brendshme, që deri atëherë mund të kenë qenë të pavetdijshme; e poashtu edhe njohjen e kapaciteteve personale në ngritjen dhe zhvillimin e tyre. Pas gjithë kësaj, një terapist mund të jetë i aftë që të punojë në trajtimin e problemeve të të tjerëve. Mirëpo a mjafton me kaq, që një terapist mos të ketë vështirësi dhe tashmë ai të jetë në njëfarë  mënyre i paprekshmëm nga problemet? Padyshim se jo, sepse në vazhdimësi jeta mund të sjellë të papriturat e saj, e që vetëm në ato raste jep mundësinë që të shfaqet ndonjë konflikt që ndoshta më herët nuk është trajtuar. Prandaj dhe terapistët vazhdimisht gjatë punës së tyre konsultohen me supervizorët e tyre, qoftë për ngecjet që mund të hasin gjatë punës së tyre me pacientët (klientët), apo të ndonjë vështirësie tjetër që mund të shfaqet. Sigurisht se edukimi në psikoterapi padyshim se do e përgatitë terapistin që të jetë më i vëmendshëm, më vigjilent ndaj këtyre situatave, mirëpo kjo aspak nuk e përjashton mundsinë e të pasurit nevojë për t’u këshilluar dhe për të qenë në kontakt të vazhdueshëm me supervizorët. Fundja kjo është edhe vetë natyra dhe dinamika e psikoterapisë.

Psika: Ju keni bërë një betim konfidencialiteti. Por, na tregoni me ndershmëri, sa shpesh i ndan tregimet interesante  me miqtë tuaj?

Avdijaj:  Për dallim nga mjekësia të cilët e kanë betimin e Hipokratit, në psikoterapi nuk ka ndonjë betim të caktuar, mirëpo mund të them se ka një kodeks etik të cilin është i obliguar që çdo psikoterapist t’i përmbahet me korrektësi. Konfidencialiteti është një nga pikat rëndore të këtij kodi etik, që përmban anonimitetin e identitetit të pacientit (klinetit). Shkelja e kësaj rregulloreje mund të pësojë me sanksione ndaj psikoterapistit, në rast se bëhet publik emri dhe mbiemri i pacinetit (klinetit). Mirëpo, në rastet kur kërkohet ndihmë supervizimi nga trajnerët profesionistë, rasti konkret duhet të parashtrohet në pika kyçe, mirëpo identiteti i personit gjithnjë mbetet anonim. Sa i përket miqve, varet shumë se me cilët miq diskutohet, e që zakonisht këta miq mund të jenë të stafit profesional, ku mund të diskutohet për ecurinë e seancave apo ndonjë situatë të caktuar gjatë trajtimeve me pacientet (klientët), mirëpo padyshim se edhe në këtë rast, identiteti i personit në fjalë mbetet anonim. Meqë vendi ynë është i vogël, dhe njerëzit mund të njihen pak a shumë ndërmjet vete, nuk mendoj se një psikoterpist i vetdijshëm do të duhej ta rrezikonte statusin e vet profesional, para së gjithash.

Psika: A keni pasur ndonjëherë një klient që ka menduar të kryejë vetëvrasje? Nëse do të kishit, cila do të ishte mënyra më e mirë për të reaguar në këtë rast?

Avdijaj: Mund të them me bindje të plotë, se çdo person të paktën një herë në jetën e tij ka menduar për vetëvrasje, për dallim të një pjese tjetër që mund të ketë menduar më shumë se sa një herë dhe atyre të cilët edhe kanë tentuar të kryejnë vetëvrasje! Zakonisht këtë dukuri e hasim te personat të cilët kanë përjetuar ndonjë zhgënjim në jetën e tyre, apo të cilët kalojnë nëpër një gjendje depresive. Nga përvoja ime në trajtimin e rasteve, kam pasur klientë të cilët e kanë menduar një gjë të tillë, mirëpo nuk ka qenë nga pikat e tyre më kritike; dhe në këtë rast edhe ndërhyrja mund të them se ka qenë më e lehtë për mua, duke u fokusuar më shumë në përmbajtjen e situatës, në diskutimin e konfliktit dhe të simptomave me të cilat ka ardhur klienti! Me përjashtim të rasteve me tentim vetëvrasjeje, që deri me tash nuk kam pasur të tilla, mirëpo është e rëndësishme të potencohet se kur bëhet fjalë për tentim vetëvrasje, vrasje, apo qëllime të tjera për ta lënduar dikë, këtu menjëherë duhet të intervenohet edhe në informimin e familjarëve apo edhe të organeve të rendit.

Psika: Përshkruani metodat e vlerësimit që keni gjetur më efektive për të mbledhur informacion rreth klientëve.

Avdijaj:  Pasi që profili im në fushën e psikoterapisë vjen nga qasjet psikodinamike dhe integrative, kjo na e mundëson që procesin psikoterapeutik ta zhvillojmë me një dinamizëm, varësisht se çka kërkohet në situata të caktuara. Sa i përket marrjes së informacioneve, zakonisht 4 apo 5 seancat e para i nënshtrohen këtij procesi si psh: të dhënat personale (emri, mbiemri, mosha, gjinia, profesioni, statusi martesor, përbërja familjare, puna, veprimtaria, shkollimi etj), pastaj arsyeja e nënshtrimit në trajtim, simptomat apo ankesat me të cilat ka ardhur klienti, ngjarjet e jetës, vështirësitë, ngecjet, konfliktet etj. Mirëpo siç e thamë edhe më lartë, këto të dhëna nuk merren në formë kronologjike por gjatë dinamikës interaktive në bisedë me klientin. Pyetjet e mbledhjes së informacioneve në formë kronologjike, më shumë përkojnë me vlerësimet klinike dhe diagnostike, gjë që e bën pak më të dallueshme nga qasja e psikoterapisë.


Psika: Si do t’i përgjigjeshit një klienti të ri që pyet: “Për çfarë duhet të flas?”

Avdijaj: Puna e vazhdueshme me klientët të jep mundësinë të takosh raste nga më të ndryshmet. P.sh, ndodh ndonjëherë që klienti ende pa u prezantuar, fillon të shpreh atë se çka po e mundon; e nganjëherë ka nga ata që mendojnë se nuk duhet të flasin, vetëm duhet të dëgjojnë se çfarë do t’u thotë apo do t’i këshillojë psikoterapisti; e poashtu ka edhe nga ata që e bëjnë pyetjen: “Për çfarë duhet të flas?” Në këtë rast mua si terapist më jep mundësinë që të pyes shumëçka, p.sh: Cila është arsyeja që ju keni ardhur në trajtim!? Apo nëse kemi prapë rezistencë, mund të vazhdohet edhe me pyetjet bazike si p.sh: Kush jeni ju, nga vini, me çfarë merreni…. dhe rikthehemi prapë te pyetja: çfarë ju solli deri këtu!? etj.

Psika: Çfarë gabimesh bëjnë terapistët që pengojnë procesin terapeutik?

Avdijaj: Mund të them se janë dy pika kyçe gjatë procesit psikoterapeutik të cilat mund të përbëjnë problem për psikoterapistin. Në rastet kur kemi  kontertransferencë dhe transfer. Për të qenë më i qartë, mund të bëj një shpjegim të shkurtër për secilën nga këto dyja.

Kontertransferencë është atëherë kur terapisti transferon ndjenja apo emocione ndaj klientit në terapi, ndërsa transfer kemi atëherë kur klienti shfaqë ndjenja që ka për të tjerët në vet terapistin, qofshin ato pozitive apo negative. Në këtë rast, terapisti duhet të jetë i vetëdijshëm se çfarë po ndodh në këtë proces dhe është i obliguar që menjëherë rastin ta çojë në supervizim, për të kërkuar shqyrtim apo edhe këshillim se si duhet të vazhdojë tutje. Përndryshe, mos marrja masa ndaj kësaj dukurie, rrezikon që ta dështojë tërë procesin psikoterapeutik dhe kjo do të ishte një prej gabimeve më të mundshme që do të thoja në këtë rast.

Psika: Cila është pjesa më e vështirë e të qenit psikoterapeut?

Avdijaj: Dua të them një gjë me plot modesti, psikoterapia përveç se është një profesion, më shumë se kaq është një art. Nëse psikoterapisti është artist, do të dijë edhe se si ta promovojë dhe praktikojë psikoterapinë; por nëse sensi i artit mungon, atëherë psikoterapisti do ta ketë shumë të vështirë të punojë në profesionin e psikoterapisë. Një nga vështirësitë tjera që mund të hasë një psikoterapist, është edhe atëherë kur personi në fjalë është me profil nga psikologjia dhe derisa nuk arrin të dijë që ta bëjë diferencimin në mes të psikologjizimit të dukurive dhe problemeve, nga qasja e duhur psikoterapeutike, atëherë padyshim se kjo mund t’ i sjellë edhe komplikime gjatë ushtrimit të profesionit. Dhe, se sa do të jetë i suksesshëm, padyshim se në fund vlerësuesit më të mirë, gjithmonë do të jenë vetë klientët, për psikoterapistin.

Psika: Çfarë duhet të bëni nëse marrëdhëniet  terapeutike po zvarriten ose nëse mendoni se nuk po bëjnë progres?

Avdijaj: Atëherë, duhet ta dimë një gjë, trajtimi psikoterapeutik është një proces pakëz i gjatë, kërkon kohë dhe përkushtim e poashtu si proces është edhe i kushtueshëm financiarisht; dhe duhet ditur se psikoterapisti nuk e posedon “shkopin magjik” i cili i zgjidh problemet përnjëherësh, prandaj kjo është me rëndësi të dihet nga kushdo që interesohet për trajtime psikoterapeutike. Gjatë procesit të trajtimit zakonisht kërkohet një bashkëpunim i dyanshëm dhe në rast se nga klienti nuk ka bashkëpunim, atëherë kjo gjë edhe e vështirëson progresin. Nëse vërehet diçka e tillë, atëherë klientit i bëhet me dije për të gjitha këto, nëse prapë kështu vazhdon edhe më tutje, atëherë janë edhe mundësitë e ndërprejes së trajtimit.


Psika: Si do t’i qaseshit një klienti i cili i’u thotë: “Unë nuk dua të flas vetëm për atë se si ndihem; unë dua që gjërat të ndryshojnë në jetën time”?

Avdijaj: Në fakt edhe vetë psikoterapia është e fokusuar në atë se si klienti ndihet, pasiqë ndjenjat luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në këtë proces, e sidomos kuptimi i tyre! Pastaj, kur klienti shpreh dëshirën apo ndoshta edhe nevojën që gjërat të ndryshojnë në jetën e tij, ky është një sinjal shumë i rëndësishëm, sepse ka të bëjë me vullnetin e tij dhe gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar në procesin e trajtimit në mënyrë që të arrijë deri te përmirësimi i gjendjes së tij! Pastaj është me rëndësi të dihet se si është gjendja e tij dhe të dihet se çfarë është ajo që klienti po dëshiron ta ndryshojë në jetën e tij. Dhe nga këtu, fillon edhe vijimi i procesit për më tutje.

 

Biografi e shkurtër:

Yll Avdijaj (psikolog-psikoterapist), i lindur 08.04.1989 në komunën e Istogut. Mësimin fillor dhe të mesëm e vijoi në vendlindje, ku më pas vazhdoi studimet universitare në fakultetin filozofik, dega e psikologjisë në “Universitetin Shtetëror të Tetovës” në Republikën e Maqedonisë. Në vitin 2012 fillon edukimin special në fushën e psikoterapisë në qasjen e “Psikoterapisë Pozitive dhe Transkulturore”, dhe në vazhdimësi edhe edukimin në qasjen e “Psikoterapisë Trupore Integrative”, nën supervizim. Momentalisht është pjesë e bordit për standarde në psikoterapi, në nivelin nacional në Shoqatën e Psikoterapeutëve të Kosovës, e poashtu është anëtar edhe në Qendrën Kosovare për Psikoterapi Pozitive, në Asociacionin Kosovar për Psikoterapi Trupore, dhe është anëtar në World Association of Positive and Transcultural Psychotherapy. Vazhdon në ushtrimin e punës profesionale në psikoterapi, me trajtimin e rasteve të ndryshme, në qendrën e Shoqatës së Psikoterapeutëve të Kosovës.

Pyetjet për: Yll Avdijaj
Nga: Fjolla Avdyli (Revista Psika)