Intervistë me psikologun Granit Shatri

Psika: A mund të na tregoni në pika të shkurtëra rrugëtimin tënd dhe sfidat drejt njohjes së mendjes njerëzore?

Shatri: Vështirë të fillosh përgjigjen lidhur me njohjen e mendjes njerëzore përderisa nuk je i sigurt nëse e njeh shumë pak, ose fare. Por një gjë është e plotësisht e sigurt për mua, se nuk mund të imagjinohet as një lloj udhëtimi për të njohur psikologjinë njerëzore, përfshirë edhe elementin mendje, përderisa ai nuk fillon nga vetja e për vetën.Në këtë udhëtim,besoj që këtu qëndronedhe burimi i motivit dhe i sfidës njëkohësisht.

Tundimin nga pyetjet ekzistenciale, që në fëmijërinë e vonshme, jam mundur ta kontrolloj përmes kërkimeve në përgjigjet e religjionit fillimisht, mandej të filozofisë, sociologjisë, artit, mitologjisë e historisë, duke përfunduar në psikologji; në zjarrin dhe ujin e tundimeve. 

Në gjithë këtë raport të vetës me këto fusha e njohuri, vetja vazhdon të mbetet sfida kryesore. Përderisa nuk e “tejkalon” vetën, udhëtimi shndërrohet në një sorollatje psikologjike e intelektuale… 

Psika: Cili ka qenë preokupim i juaj më i madh jetësor gjatë rritjes profesionale?

Shatri: Bindja e kohë pas kohshme se automekanikën do e bëja më mirë, më ka tunduar shpesh. Andaj e kam zhvilluar si hobi e pasion. Kjo në raport personal me pyetjen, ndërsa për raportin profesional me pyetjen; vazhdoj të preokupohem, thellësisht, se prej nga mund të buron, ose më mirë thënë, çfarë nuk është vënë si duhet gjatë zhvillimit psikologjik të njeriut, i cili mund të mendoj, planifikoj dhe realizoj dhembjen, vuajtjen apo edhe vdekjen e tjetrit, vetëm për të përmbushur vetën. 

Psika: Çfarë ndikimi psikologjik ka burgu ?


Shatri:Të dhënat janë të shumta në këtë fushë, që nga refleksionet filozofike e deri te matjet empirike. Në fakt, filozofia e sistemeve moderne të organizimit të ndëshkimit synon pikërisht korrektimin e sjelljes, ndryshimin psikologjik. Por, privimi nga liria si  element i domosdoshëm për qenien, shpesh e komplikon situatën, duka na dhënë edhe pasoja së bashku me ndryshimin korrektimin. 

Psika: A i ndryshon burgu njerëzit ?

Shatri: Në pikëpamjen moderne lidhur me ndëshkimin, nëse burgu nuk do i ndryshonte njerëzit, ekzistenca e tij nuk do të kishte ndonjë kuptim. Po, burgu i ndryshon njerëzit të cilët kanë një strukturë psikologjike brenda normës. Në raste të veçanta, ai edhe nuk e arrin këtë.

Psika: Cila është gjëja më inteligjente (e thellë) që një i burgosur ka ndarë ndonjëherë me ju?

Shatri: Njerëzit kryejnë krime për motive e arsye të ndryshme. Mirëpo, përkundër natyrës së motivit për krimin, metodat dhe teknikat e realizimit të tij shpesh dinë të jenë shumë inteligjente, ngaqë vendimi për krimin nuk vuloset nga mendja por nga ndërgjegjja, një strukturë pak e njohur deri sot, nga psikologjia. Andaj, meqë në shumicën e rasteve të krimit, çalimi është tek ndërgjegjja dhe jo tek inteligjenca, jo rrallë në mesin e të burgosurve me rrezikshmëri të lartë, hasen raste me inteligjencë mbi mesatare. Si rrjedhojë, ka mjaftueshëm raste kur dëgjon gjëra inteligjente nga të burgosurit, por në gjithë këtë, nuk ka rregull.

“Ju lutem, a mund të ma ndryshoni kohën e seancës, sepse në ora 11:00, është koha kur i ushqejë e kalojë kohë me zogjtë në dritare, afër grilave”, është gjëja meveçantë që besoj të kem dëgjuar ndonjëherë brenda burgut, saktësisht në pavijonin e sigurisë së lartë.

Psika: Cilat janë pengesat më të mëdha emocionale, me të cilat përballen të burgosurit kur përgatiten të ri-hyjnë në shoqëri?

Shatri: Arsyeja pse ata janë në burg, personaliteti, koha dhe rrjedha e qëndrimit brenda burgut, përcaktojnë në masë të madhe përjetimin emocional të burgosurit për procesin e lirimit. Stigma dhe vështirësitë në sigurimin e mjeteve për jetesë, besoj unë,  prodhojnë emocionet kryesore në raport me lirimin. 

Psika: Si munden të burgosurit me probleme shëndetësore mentale të përfitojnë nga terapia psikologjike?

Shatri: Fatmirësisht në politikat e organizimit të shëndetësisë në burgjet e Kosovës, i kanë dhënë një hapësirë dhe rëndësi të veçantë shëndetit mendor. Në kuadër të kësaj ofrohen shërbime të psikologjisë klinike dhe psikiatrisë ekuivalente me ato në shëndetin publik, që nënkupton se ata marrin shërbime si secili person tjetër me probleme të shëndetit mendor.  

Megjithatë, në përgjithësi, programet rehabilituese dhe integruese për të burgosurit të cilat  përmbajnë trajtimin psikologjik, janë forma më e mirë nga e cila mund të përfiton kjo kategori.

Psika: A mund të shfaqet PTSD gjatë/pas qëndrimit në burg?

Shatri: Në fakt, shumë njerëz para se të përfundojnë në burg, kalojnë nëpër situata traumatike që edhe mund të lidhen ose jo me veprën për të cilën gjinden në burg, dhe kjo kur kombinohet me ambientin e burgut, siguron një situatë të favorshme për shfaqjen e elementeve të PTSD, andaj edhe shpesh mund të hasen. Mirëpo kjo nuk është ndonjë punë e vështirë për tu menaxhuar nga stafi i shëndetit mendor në burgje.

Ani  pse vështirësitë e adaptimit me burgun mund të përfshijnë çrregullime të ankthit të përgjithësuar në shumicën e rasteve, deri edhe te shenja e simptoma psikotike në raste të rralla. 

Psika: A mund të na tregosh disa metoda të trajtimit të cilat ju i keni përdorur dhe sa kanë qenë ato efektive ?

Shatri: Psikologët, veçanërisht ata klinik, kanë njohuritë e domosdoshme për llojet e çrregullimeve e keq adaptimeve psikologjike. Në përgjithësi kanë njëfarëlloj pajtimi për ndarjen, sistemimin dhe shfaqjen klinike të tyre. Por nuk janë kaq të pajtuar e të njëmendë kur është në pyetje burimi dhe procesi i zhvillimit të një çrregullimi apo keq adaptimi, gjë që jep të kuptojmë se po kaq i larmishëm, është sfondi i metodave dhe teknikave të intervenimit në burim apo proces.

Dhe ky dallim, në metoda e teknika të intervenimit, nuk ka as një të keqe dhe rrezik, përderisa psikologu ka një opinion të vetin profesional, lidhur me parimet e përgjithshme mbi procesin e lindjes dhe zhvillimit të çrregullimeve. Rreziku real, besoj unë, vjen atëherë kur psikologu klinik përdorë shabllon metoda dhe teknika për të vlerësuar e intervenuar, përderisa nuk e ka të qartë për vetën, dhe nuk beson në një parim (cilido qoftë ai) gjithëpërfshirës që sqaron natyrën psikologjike të njeriut.

Meqë unë besoj në parimet e psikologjisë klinike klasike, i tillë jam edhe në metoda dhe teknika të intervenimit, përderisa nuk më kërkohet ndryshe me protokolle zyrtare. Ndërsa në rrethanat e burgut, përkundër shëndetit publik, matja e efikasitetit të intervenimit psikologjik është shumë më e lehtë, sepse kjo përkthehet në numra, duke matur disa parametra. Dhe më i rëndësishmi, pa nënvlerësuar të tjerat parametra të mirëqenës psikologjike, është numri i vetëvrasjeve. Dhe në burgjet e Kosovës, ky numër është ende mirë (i ulët) në raport me burgjet në rajon, në botë dhe popullatën e përgjithshme në vend.

Intervistoi: Fjolla Avdyli (Bordi Editorial – Revista Psika)

Granit Shatri

Biografi e shkurtër

Granti Shatri nga një psikolog i një burgu për disa vite, kaloi në udhëheqës të njësisë shëndetësore në burgun më të madh në vend, për të përfunduar tani si koordinator i shëndetit mendor në burgjet e Kosovës dhe si psikoterapist në njërën nga ambulantet e para dhe të vetme të psikologjisë klinike në Kosovë.