Jeta është një cikël prej 180 gradësh që nis me lindjen dhe pason me vdekjen, këtë e dimë të gjithë shumë mirë. Fillesën dhe mbarimin e saj nuk arrijmë t´i kujtojmë, se i atillë është gatuar procesi biologjiko-psikologjik, por ajo çka na mbetet për të memorizuar është pjesa e mesit të saj, jetesa.
Jetesa, mëse e rëndësishme për identifikim tënd. Një rrugë të cilën zgjedh ta përpunosh vetë, ndonjëherë edhe nën ndikimin, apo trysninë e tjerëve. Si qënie humane, ne nuk ngopemi kurrë, madje shpeshherë nuk e dimë as vetë çfarë duam për t’u ngopur. Çdo gjë nis, sapo ti ke kaluar ciklin e lindjes dhe të duhet të shkosh në fazën që kupton, nis të shkruash dhe këndosh. Kjo që dua t´ju them është sa edhe reale, por edhe e trishtë.

Krahasimi dhe mosvlerësimi!
Që në bankat e para të shkollës, pa përjashtim të gjithë jemi ndjerë të krahasuar. Fillimisht nga prindërit tanë, pastaj mësuesit dhe shokët tanë. Pse jo, edhe nga kushërinjtë!
Na kanë krahasuar me gomerët për trashësinë e mendve, se pse shoqja e bankës di më mirë matematikën se ti, apo na kanë quajtur tutkunë, se shoku në bankë të parafundit e ka shkrimin rruazë dhe lexon bukur.
Ti nuk je për asgjë! Shkon në shkollë kot! Më thoni sa e sa herë i keni dëgjuar këto fjalë nga prindërit tuaj? Sa herë ju kanë rrëkëllyer lotët ndër faqe që nuk more dot dhjetën e premtuar në biologji? Sa herë jeni ndjerë se është fundi i botës, nëse në maturë nuk do të kaloje dot provimet? Sa herë?
Krahasohemi dhe mosvlerësohemi çdo ditë, çdo orë, çdo minutë dhe sekondë për gjëra që nuk dimë të bëjmë! Është fryma e edukatës së atillë që kemi marrë që në fëmijëri, që matematika është njishi. Unë duhet patjetër të bëhem mjek, inxhinier ose ekonomist, se ashtu do t´ju pëlqej prindërve të mi dhe botës. Vetëm ashtu do pasurohem dhe do jetoj si mbret.
JO! Gabim!
Nëse nuk na pëlqen diçka, pse duhet t’ju pëlqejmë të tjerëve? A duhet jetojmë për veten apo për të tjerët? Nëse kemi pasion diçka pse të mos e ndjekim ta bëjmë atë?
Shpeshherë ndodh dhe na shtyjnë që të zhubrosim ëndrrat tona, të na i grisin pa mëshirë dhe të na hedhin pluhur mbi gjërat që dimë të bëjmë më mirë, për të arritur objektivat e xhepave të tyre.
Na bëjnë të ndihemi të padobishem dhe të pavlerë, mbi një punë së cilës nuk i përkasim. Sa herë jeni ndjerë të padobishëm, dështakë ose injorantë kur ju është ngarkuar mbi supe diçka që nuk ju përket? Një punë të cilën është hera e parë që e prekni? Nuk ka rëndësi, sesa e shpeshtë ka qenë frekuenca, por mos hiqni dorë nga gjërat që dini të bëni më mirë, edhe sikur do duhet të rrezikoni vendin e punës. Kurrë mos ki turp nga aftësitë e tua, sepse ndryshe nuk do të kuptosh ç´do të thotë triumfim, kënaqësi, apo të duash fort veten! Mos hiqni dorë nga ajo çka dini të bëni, se edhe në qoftë se peshkut do t´i duhej të dilte nga deti per t´u sprovuar në tokë të marrë frymë, nuk do të jetonte dot, ose s´do të quhej më peshk.
Andaj, besoni në ëndrrat tuaja, në pasionin dhe vullnetin tuaj, sepse nëse dikush nuk ua vlerëson, ua siguroj që jeni duke bërë gjënë e gabuar ose jeni duke u vlerësuar nga njeriu i gabuar.

Autore:
Greta Beqiri