Të shikuarit e aktorëve nëpër filma duke pirë duhan, aktivizojnë pjesën e trurit që është përgjegjëse për të interpretuar dhe për t’i planifikuar lëvizjet e dorës, duke i nxitur kështu duhanpirësit që ta ndezin cigaren.

 

Duhanpirësit përsërisin të njëjtat lëvizje të dorës me dhjetëra e ndoshta e qindra herë gjatë ditës. Mirëpo, studiuesit amerikanë, të udhëhequr nga Todd Heatherton, PhD, dhe studenti Dylan Wagner, nga Universiteti Darmouth, kanë provuar të vërtetojnë nëse pjesët e trurit që janë përgjegjëse për këto lëvizje, mund të nxiten nga të shikuarit i dikujt tjetër që pi duhan. Sipas studimit që u publikua edhe në “The Journal of Neuroscience” është gjetur se duke i parë ato lëvizje që tashmë për duhanpirësit janë shumë të njohura, qoftë edhe nëpër filmat e Hollywood-it, është nxitur reagim i tillë i trurit te subjektët duke bërë që ata ta përsërisin të njëjtën. “Gjetjet tona i përkrahin studimet e mëhershme të cilat tregojnë se duhanpirësit që dalin nga salla e një filmi ku paraqiten skena me duhanpirje, janë më të prirur drejt dëshirës për ta ndezur cigaren, krahasuar me ata duhanpirësit që kanë shikuar një film pa imazhe të tilla” ka thënë Wagner. “Duhet ende punë që ta kuptojmë nëse aktiviteti i trurit pas shfaqjes së filmave me duhanpirës, mund të parashikojë nëse do t’i kthehet dëshira për nikotinë, një duhanpirësi që po mundohet të heqë dorë nga cigarja”.

Gjatë studimit, 17 duhanpirës dhe 17 jo duhanpirës i kanë shikuar 30 minutat e parë të filmit “Matchstick Man”. Hulumtuesit e kishin zgjedhur këtë film sepse vazhdimisht shfaqte skena duhanpirjeje, e në anën tjetër nuk paraqiste përdorim të alkoolit, dhunë, apo përmbajtje seksuale. Vullnetarët nuk e dinin se studimi kishte të bënte me duhanpirjen. Megjithatë, me shfaqjen e skenave me përdorim të duhanit, te duhanpirësit është vërejtur aktivitet shumë më i madh i trurit, në pjesën e lobit parietal të quajtur itraparietal sulcus, e po ashtu edhe në zona të tjera të trurit që kanë për detyrë perceptimin dhe koordinimin e aktiviteteve. Specifikisht te truri i duhanpirësve, aktiviteti korrespondonte me dorën të cilën ata e përdornin për të mbajtur cigaren. “Duhanpirësit, që janë në tentim për ta lënë duhanin, vazhdimisht këshillohen që t’u ikin kontakteve me duhanpirësit e tjerë dhe po ashtu të mos kenë kontakt të vazhdueshëm me gjëra të cilat mund t’ua përkujtojnë cigaren (shkrepsa, taketukja, pakoja e cigareve etj) por, atyre mund të mos u shkojë në mend që t’u shmangen filmave me skena të duhanpirjes” thekson Wagner. E në anën tjetër, Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA, ka paralajmëruar se paraqitja e skenave me duhanpirje nëpër filma, i nxit adoleshentët për ta përdorur duhanin. Sipas raportit të vitit 2010 të kësaj qendre, përdorimi i duhanit në film është zvogëluar gjatë viteve të fundit, por megjithatë, pothuajse gjysma e filmave më të popullarizuar në vitin 2009 kanë përmbajtur imazhe të njerëzve duke pirë duhan.

Scott Huettel, PhD, nga Universiteti Duke, ekspert i neurologjisë, i cili pavarësisht se nuk ishte i përfshirë në studim, ka thënë se ka qenë e ditur për shkencëtarët se pamjet vizuale shpesh shkaktojnë dëshirë për përdorim të substancave, si droga apo duhani. “Këto gjetje padyshim vërtetojnë se varësia mund të përforcohet jo vetëm nga vetë substanca, por edhe nga imazhet ose përvojat e tjera me ato substanca”, citohet te ketë thënë Huettel. Studimi është përkrahur nga Instututi Nacional i SHBA kundër Abuzimit me Droga, Qendra “Norris Cotton” kundër Kancerit, dhe Instituti Kanadez për Hulumtime Shëndetësore.

 

Burimi:

Psika Klasike

 

Redaktoi: Kosovare Bunjaku, Valdete Përvetica