Shtatzënia njihet dhe promovohet vazhdimisht si periudha më e bukur dhe e rëndësishme në jetën e secilës femër. Në shumë kultura të ndryshme dhe brez pas brezi gjatë kësaj periudhe femra shenjtërohet dhe vlerësohet me shumë superlativa, fundja të sjellësh në jetë një qënie humane meriton gjithë shenjtërimin e mundshëm.

Shtatzënia dhe lindja përfaqësojnë një periudhë të rëndësishme në jetën e çdo gruaje. Kjo periudhë karakterizohet me ndryshime të mëdha në psikologjinë e gruas dhe kërkon një forcë të madhe për t’u përshtatur. Paaftësia për t’u përshtatur me ndryshimet mund të përbëjë një faktor stresi për mamanë e ardhshme, që deri në këto momente, është në një pozitë të parehatshme dhe ndihet e paaftë. Në procesin e përshtatjes me këtë rol të ri i’u vihet mjaft rëndësi ditëve të para të shtatzënisë, temperamentit të foshnjës së sapolindur dhe mbështetjes sociale. Mbështetja sociale është një koncept multidimensional. Mbështetja mund të jetë mbështetje e bashkëshortit, e prindërve, miqve, por edhe e kolegëve. Studimet kanë treguar se mungesa e mbështetjes sociale apo izolimi social janë faktorë rreziku në shfaqjen e simptomave të depresionit pas lindjes (Kozinszky, Dudas & Csalordai, 2010; Bina, 2008).

Bina (2008) evidentoi se në kulturat tradicionale, ku gratë pas lindjes mbështeten nga i gjithë sistemi familjar dhe shoqëror, duke i’u hequr disa detyra dhe ngarkesa, gratë janë më të mbrojtura nga depresioni post-partum dhe e kalojnë më shpejtë atëherë kur ndodh. Përmes një krahasimi ndërkulturor midis popullatës Shqiptare dhe asaj Gjermane dhe Amerikane, Bodinaku (2014) gjeti se popullata Amerikane dhe ajo Gjermane shfaqnin një tablo të simptomave depresive kryesisht të lidhura me arritjet, në të kundërt, popullata Shqiptare depresionin e manifestonte kryesisht përmes simptomave të lidhura me marrëdhëniet ndërpersonale. Bodinaku e argumentoi këtë gjetje me natyrën kolektiviste të shoqërisë Shqiptare, ku ndryshe nga shoqëritë individualiste, përparësi marrin marrëdhëniet sociale dhe ndërpersonale. Të gjetura të ngjajshme gjetën edhe Ahmeti dhe bashkëpunëtoret e saj (2016), ku u konkludua se simptomat e depresionit pas lindjes kishin një lidhje të fortë pozitive sidomos me njërën nga fushat e funksionimit social, marrëdhëniet sociale dhe kjo si pasojë e përparësisë së madhe dhe të rëndësishme që kanë marrëdhëniet sociale në jetën e individit në kulturën shqipëtare.

Pikërisht mbështetja nga partneri dhe ajo sociale përbëjnë një faktor të rëndësishëm në “luftën” kundër depresionit pas lindjes (O’Hara & Gorman, 2004; Lancaster, Gold & Flyn, 2010). Mbështetja e duhur sociale pakëson efektet e stresit në depresionin pas lindjes, redukton stresin dhe rrit reagimin e trupit për t’u mbrojtur nga ky stres (Cheng & Picslar, 2009; Lau & Wong, 2008). Marrëdhënia mes partnerëve është një nga pikat më të rëndësishme në luftën kundër depresionit pas lindjes. Partneri ka rëndësi dhe një ndikim tepër të madh dhe tek fëmija, pasi në këtë mënyrë zvogëlon rreziqet për çrregullime të sjelljes te fëmija (Letourneau, Duffett-Leger & Salmani 2009). Sa më e fortë të jetë marrëdhënia midis dy partnerëve dhe sa më tepër të ndihmojnë dhe të mbështesin partneren e tyre, aq më e pakët do jetë mundësia e zhvillimit të një depresioni pas lindjes. Mirëpo, në disa raste, edhe pse shtatzëna ka përkrahjen e partnerit, është i nevojshëm edhe këshillimi me psikologun për qartësimin e mëdyshjeve, reduktimin e stresit, balancimin e luhatjeve të humorit, largimin e ankthit, etj. Kjo vlen sidomos për shtatzënat të cilat lindin për herë të parë dhe nuk kanë përvojën e shtatzënive paraprake. Prandaj, është e këshillueshme që të gjitha shtatzënat të cilat manifestojnë këto ndryshime, të këshillohen me psikologun. Mjekimi i çrregullimeve të shkaktuara nga depresioni pas lindjes, shpeshherë merrë kohë dhe ndonjëherë mund të jetë i pasuksesshëm.

Autore: Kestrina Ahmeti, Erisa Ismalaj & Ina Blaceri

Referencat:

Ahmeti, K., Ismalaj, E., Blaceri, I., & Miftari, E. (2016). Relationship between social functioning and postpartum depresion. 7th International Symposium of Medical Sciences 2016, Pristina, Kosovo.

Bina, R. (2008). The impact of cultural factors upon post partum depression: a literature review. Health Care Women Int. 29(6): 568-92.

Bodinaku, B. (2014). Translation, validation and standardization of the Albanian version of the SCL-90-R (Symptom Checklist-90-Revised) and CORE-OM (Clinical Outcomes in Routine Evaluations – Outcome Measure). (Unpublished doctoral dissertation.) Vienna: Sigmund Freud Private University.

Cheng, C. Y., & Picslar, R. H. (2009). Effects of stress and social support in post partum healt of Chinese mothers in the USA. Res Nurs Health;32(6):582-91.

Kozinszky, Z., Dudas, R. B., & Csalordai, S. (2010). Social dynamics of postpartum depression: a population based screening in South-Eastern Hungary. Soc Psychiatry Psychiatr Epidemiol. March 19, (online).

Lancaster, C., Gold, K., Flyn, H. (2010). Risk factors for depressive symptoms during pregnancy: a systematic review. Am J of Obstet Gynecol; 5-14.

Lau, Y., & Wong, D. F. (2008). The role of social support in helping Chinese women with postnatal depressive symptoms cope with family conflict. J Obstet Gynecol Neonatal Nurs;37:556-71.

Letourneau, N., Duffett-Leger, L. & Salmani, M. (2009.) The role of parental support in the behavioural development of children exposed to postpartum depression. Can J Nurs Res;41(3):86-106.

O’Hara, M.W., & Gorman, L.L. (2004). Can Postpartum Depression Be Predicted Primary? Psychiatry;11(3):42-47.