Sa më shumë që ju shihni shokët tuaj të publikojnë stërvitjet e tyre në mediat sociale, aq më keq mund të ndiheni për peshën tuaj, sidomos kur i perceptoni ata si shumë të ngjashëm me ju. Megjithatë, disa njerëz gjejnë motivim në këtë lloj të postimeve të miqve të tyre. Ne të gjithë e kemi nga një shok, i cili vazhdimisht poston foto të aktiviteteve të tij të stërvitjes: në palestër, ecje nëpër natyrë, duke kaluar një vijë të finishit 10km etj. Qëllimi i këtyre postimeve mund të jetë mburrja, frymëzimi ose thjesht ndarja e një pjese të ditës me miqtë e tyre. Por këto lloj postimesh, për të mirë apo për të keq, po ndikojnë në shëndetin e shokëve të tyre, sipas një studimi nga studiuesit në Universitetin Shtetëror të Teksasit dhe Universitetin e Arizonës. Studiuesit zbuluan se sa më shumë që një person sheh në mediat sociale postime lidhur me stërvitjen, aq më tepër fillon të shqetësohet për peshën e tij, gjë që mund të rezultojë në një imazh jo të shëndetshëm të trupit.

 

Megjithatë, lajmi nuk është vetëm i keq. Për disa njerëz, postimet e stërvitjes së shokëve duket se kanë një efekt motivues kur bëhet fjalë për qëndrimet rreth stërvitjes. Studiuesit zbuluan se kjo është e vërtetë për njerëzit që kanë më shumë gjasa të angazhohen në “krahasime sociale lartësuese” ose të shikojnë veten në dritën e njerëzve të cilët i kanë si pikë reference. “Me krahasimin social në rritje, ju tentoni të krahasoni veten me ata që ju i perceptoni si më të lartë se ju”, tha Burke. “Për shembull, nëse jeni në një klasë, ju do të krahasoni veten me fëmijën më të mençur të klasës. Përsa i përket stërvitjes, nëse një person është duke postuar shumë rreth stërvitjes dhe është me të vërtetë i aftë, ju e përdorni atë pikë motivimi”.

 

Në të kundërt, ata që angazhohen në “krahasime sociale në rënie” përdorin si pikë të referencës personat që i perceptojnë si më pak të mirë se ata. Tendenca për t’u angazhuar në krahasime në rënie nuk ka ndikimin për shqetësimet rreth peshës ose qëndrimet mbi stërvitjet.

 

Autore:

Tuena Govori

 

Referenca:

Burke, T. & Rains, S. (2018). The Paradoxical Outcomes of Observing Others’ Exercise Behavior on Social Network Sites: Friends’ Exercise Posts, Exercise Attitudes, and Weight Concern. Health Communication.