Nuk ka ditë kur nuk jemi dëshmitarë të një tragjedie moderne. Janë të shpeshta rastet kur dëgjojmë që fëmijë, adoleshentë dhe të rinj, janë të përfshirë në sjellje agresive dhe të dhunshme. E, poashtu nuk ka ditë që nuk shohim fëmijët që punojnë si shitës cigaresh apo kartelash telefonike. Ndonjëherë i shohim duke shtyrë karrocën në treg e ndonjëherë i hasim edhe pranë kontenjerëve duke kërkuar metal për ta shitur më pas. Kjo është puna që fëmijët i mban larg nga shkolla.

Shpesh në jetën e përditshme shohim fëmijë që punojnë punë të ndryshme, vetëm që të ndihmojnë familjen. Në kohët e fundit fatkeqësisht shohim që fëmijët braktisin shkollën për të punuar, qoftë edhe punë të rrezikshme për shëndetin e tyre. Duke u ekspozuar në një moshë shumë të re para përgjegjësive të mundimshme vetëm për të kontribuar në tejkalimin e vështirësive ekonomike në familje, fëmiu përjeton vështirësi në formimin e mirëfilltë të personalitetit. Kjo e bën realitetin edhe më të hidhur.
Pse fëmijët e Kosovës detyrohen të punojnë? Kush duhet të merret me rastet e keqtrajtimit të fëmijëve? Çka ka bërë shoqëria e Kosovës për t’i mbrojtur të miturit? A janë duke u detyruar fëmijët të punojnë për arsye ekonomike dhe nëse po, a është kjo e arsyeshme? A kanë marrë hapa konkret institucionet e Kosovës për t’i larguar fëmijët nga punët e vështira? Këto janë shumë pyetje për të cilat akoma nuk është dhënë përgjigje, e përgjegjësia shpërndahet gjithandej.
Nuk ka ditë kur nuk jemi dëshmitarë të një tragjedie moderne. Janë të shpeshta rastet kur dëgjojmë që fëmijë, adoleshentë dhe të rinj, janë të përfshirë në sjellje agresive dhe te dhunshme. E, poashtu nuk ka ditë që nuk shohim fëmijët që punojnë si shitës cigaresh apo kartelash telefonike. Ndonjëherë i shohim duke shtyrë karrocën në treg e ndonjëherë i hasim edhe pranë kontenjerëve duke kërkuar metal për ta shitur më pas. Kjo është puna që fëmijët i mban larg nga shkolla.
Vetëm në komunën e Gjilanit ka gjithsej 20 shkolla të mesme. Në bazë të të dhënave të drejtorisë së arsimit, të gjitha shkollat raportojnë për braktisje të shkollimit. Në çdo 250 nxënës braktisin shkollën 4 nxënës. E, këto janë shifra që nuk duhet të neglizhohen asesi. Mbase, është koha që institucionet e Kosovës të ndërmarrin masa konkrete në këtë drejtim dhe të parandalojnë braktisjen e shkollës që po merr përmasa shqetësuese.
Kësisoj, fëmijët po rrezikojnë jo vetëm shëndetin. Shikuar në aspektin psikologjik, kjo madje ka ndikim në rritjen e veprimeve agresive te të rinjtë, që zgjohet si pasojë e motivit për të përfituar më shumë të ardhura për familjen dhe për të krijuar një jetë me kushte optimale.
Familja është një sistem social ku fëmiu zhvillon personalitetin e tij, ku ngrehin rrënjë vlerat morale, ku zhvillohet komunikimi. Por, shkolla luan një rol të veçantë në edukimin dhe përgatitjen profesionale të fëmijëve. Andaj, familja dhe shkolla, janë dy institucionet më me influencë në zhvillimin e fëmijës. Po mungoi njëra…
Një pjesë e madhe e prindërve, mbase pa të keq, fajin për sjelljet e papërshtatshme të fëmijëve të tyre i’a hedhin shkollës, televizionit, internetit, por asesi vetes.
Nëse marrim shembull vetëm dhunën në shkolla, janë prindërit ata që përgjegjësinë i’a hedhin vetëm institucioneve shkollore, edukatorëve, mësuesve dhe profesorëve, por asesi vetes.
Megjithatë, dhuna në shkolla nuk njeh vetëm një shkaktar. Mediat, dinamika e socializimit, vështirësitë ekonomike, por edhe familja, që të gjithë mund të jenë faktorë në shtimin e dhunës në shkolla. E në evitimin apo zbutjen e dhunës luan rol të rëndësishëm poashtu familja dhe posaçërisht prindësimi i mirë. Një këshillë e mirëfilltë e një prindi do të luante rol të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. Andaj, nuk e thonë më kot që të rrisësh një fëmijë është jo vetëm privilegj, por edhe përgjegjësi e madhe.
Andaj, them me bindje të plotë se në rast se nuk funksionon diçka, si në shkollë ashtu një familje, një psikolog do të ishte zgjidhja më e mirë. Psikologu i duhet një shkolle, sikurse për të ka nevojë edhe familja. Psikologu do të ishte me gjasë, një përgjigje shumë e mirë për dhunën në shkolla, për dhunën në familje, për braktisjen e shkollës dhe për sjelljet e papërshtatshme të fëmijëve. Tashmë, ka ardhur koha që t’i besohet psikologut dhe të këshillohet ai, sa herë që është nevoja.

Autore:
Arta Hyseni

Burimi:
Psika Klasike