Si identitete të ndërtuara nga strukturat sociale, djemtë dhe burrat mësojnë role gjinore “të përshtatshme” në përputhje me prespektivën e shoqërisë së tyre. Kjo do të thotë se djemtë, qysh herët marrin mesazhe se çfarë do të thotë të jesh një djalë. Kjo vërehet edhe nga fakti, se si lodrat tregtohen ndryshe për djemtë dhe vajzat.

Përveç burimeve të jashtme, djemtë dhe burrat mësojnë rolet konvencionale gjinore nga familja dhe miqtë. Në shumicën e shtëpive, djemve u thuhet se “djemtë nuk qajnë” dhe “të bëhen burra”. Këto “ligjërime” të cilat janë të dëmshme, bëhen mënyra të transmetimit të pritshmërive shoqërore, të cilat nëse nuk përmbushen, atëherë njëri mund t’i nënshtrohet talljes madje edhe dhunës. Si rezultat, djemtë dhe burrat mësojnë të ndihen të turpëruar nga emocionaliteti dhe nën presion për të vërtetuar burrërinë e tyre, i çon ata drejt agresionit.

Kjo shpjegon se rolet gjinore, ende janë të papërcaktuara ndonëse në mënyrë paradoksale, ato imponohen dhe zbatohen me mjaft vigjilencë nga shoqëria. Kjo ndhodh për arsye se është transformuar tregu i punës, janë krijuar kërkesa të reja nga familja dhe kjo krijon pamundësi për t’i kushtuar vëmendje të duhur kësaj çështjeje dhe ngjall shqetësim e pasiguri, në këtë rast te mashkulli, për rolin e tij gjinor në shoqëri.

Edhe pse kultura jonë ka ndryshuar në mënyrë drastike gjatë shekullit XX, cilësitë që e karakterizojnë “burrërinë” si: dominimi, kontrolli, forca fizike, seksizmi dhe kufizimi emocional mbeten ende të pandryshuara. Për më tepër, sipas Craig Wilkinson (autor i librit “Babai”) këto përdoren për të zëvendësuar tre gjëra, të cilat qëndrojnë thelbin e burrërisë:

  1. Një betejë për të luftuar. Sipas Wilkinson, beteja është në thelbin e asaj që do të thotë të jesh një njeri. Shumica e njerëzve, megjithatë, kanë një betejë më metaforike për të luftuar. Kjo betejë mund të jetë çdo gjë që, të ushqejë të pastrehët për të nisur një biznes për të krijuar një produkt, për t’u ngjitur në malin më të lartë në çdo kontinent. Beteja është arsyeja për të dalë nga shtrati në mëngjes, qëllimi që i drejton në jetë.
  2. Një aventurë për të jetuar. Aventura është më shumë rreth procesit sesa rezultatit përfundimtar. Mendoni kohën kur ishit fëmijë. Nuk ishte e mjaftueshme që vetëm të kishit një biçikletë, ishte edhe adrenalina që vinte me ngasjen e saj. Disa njerëz gjejnë aventurën e tyre në makinat e shpejta, të tjerë në udhëtime në ato vende që bëjnë shumicën e njerëzve të dridhen. Këto janë historitë që do t’i shpalosin gjeneratës së re.
  3. Një bukuri për të ndjekur. Natyrisht, bukuria për të ndjekur është një grua. Çdo mashkull dëshiron një grua të bukur në jetën e tij, dhe jo vetëm për arsye seksuale. Wilkinson vëren se, burrat kërkojnë vlefshmëri dhe miratim nga gratë e bukura. Kjo është e natyrshme, por nëse përkthehet në kontekstin e sotëm, kjo mund të jetë gjithashtu patologjike.

Për shkak të stresit negativ nga kultura dhe ndryshimeve në dinamikën shoqërore, burrat dhe djemtë drejtohen drejt mënyrave shkatërruese, të ballafaqimit me jetën, si tërheqja pasive, e cila merr formën e shikimit të materialeve pornografike, varësisë ndaj drogës apo alkoolit dhe përdorimit të forcës fizike. Wilkinson thotë se është esenciale për një mashkull të marrë përgjegjësi, duke analizuar këto sjellje dhe duke qenë skeptik ndaj mentalitetit në të cilën është futur. Kështu ai mundet gradualisht të çlirohet dhe të arrijë në totalitet, potencialin e tij.

E tërë shoqëria, duhe të fokusohet në promovimin e vlerave pozitive të mashkulloritetit, se si djemtë dhe burrat mund të kenë miqësi dhe marrëdhënie të frytshme, qofshin ato seksuale apo jo seksuale, romantike ose jo romantike. T’i prezantohet një version krejtësisht i ri për burrërinë gjeneratës së re dhe t’u jepet kohë dhe hapësirë për t’i hequr nga mendja mesazhet e gabuara, gjeneratës së vjetër.

Autor:
Korab Mala

Referencat:

Harbinger, A. (a.d.). The Crisis of Masculinity. https://theartofcharm.com/finding-your-purpose/the-crisis-of-masculinity/

Hurst, B. (a.d.). Boys won’t be boys. Boys will be what we teach them to be. https://www.youtube.com/watch?v=3dp08bAUwi8

Men and Masculinities. (a.d.). Gjetur  wgac.colostate.edu: https://wgac.colostate.edu/education/gender-and-identity/men-and-masculinities/

Why we need to stop talking about a ‘masculinity crisis’. (2013). http://theconversation.com/why-we-need-to-stop-talking-about-a-masculinity-crisis-88713