Është e njohur se prindërit që abuzojnë me fëmijët e tyre emocionalisht dhe fizikisht u shkaktojnë dëme të përhershme, duke zvogëluar kështu aftësitë e tyre për t’iu besuar të tjerëve dhe për të lexuar në mënyrë të duhur/saktë emocionet e tyre.

 

Por, a e dini se si ndikojnë tek fëmijët konfliktet e përditshme të prindërve?

Këtë e dëshmon një hulumtim i ri i realizuar nga Schermerhorn (2018) lidhur me këtë çështje, ku zbulon se prezenca e fëmijëve në konfliktet prindërore ndikon në shumë aspekte, veçanërisht në të bërit e tyre më pak vigjilentë, me më shumë ankth, më të gatshëm për të prishur interaksionet njerëzore dhe në mos mbajtjen e balancit me të tjerët edhe kur të rriten. Mesazhi nga hulumtimi ishte i qartë, duke theksuar se:‘’Edhe konflikti më i vogël mes prindërve nuk është i mirë për fëmijët’’. Në hulumtim ishin pjesëmarrës 99 fëmijë 11 vjeçarë të ndarë në dy grupe bazuar në një seri të vlerësimeve psikologjike që kanë treguar se sa ata kanë përjetuar konflikte prindërore dhe se sa ata janë ndjerë të kërcënuar nga konfliktet e prindërve të tyre. Fëmijëve pjesëmarrës në hulumtim, i’u janë treguar një seri e fotografive të çifteve me interaksion të lumtur, të zemëruar dhe neutral dhe ata për detyrë kanë pasur të zgjedhin se cila kategori e emocioneve përshtatet me fotografitë. Domethënë, a janë çiftet e paraqitura në fotografi të lumtur, të zemëruar apo neutralë. Nga të dhënat është gjetur se fëmijët nga familjet me konflikte të pakta prindërore, vazhdimisht kanë shënuar saktësisht fotografitë, pra kanë arritur të identifikojnë llojin e raportit mes çifteve. Ndërsa, fëmijët nga familjet me konflikte të larta prindërore dhe që e kanë përjetuar konfliktin prindëror si një kërcënim, ishin në gjendje të identifikojnë saktësisht çiftet e lumtura dhe të zemëruara, por jo çiftet neutrale, pasi që e kishin të vështirë të përcaktonin saktësisht se cilës kategori i përkisnin.

Lidhur me këto rezultate, hulumtuesja Schermerhorn dha dy interpretime të mundshme. Pasaktësisë për të gjetur se cilës kategori i takojnë çiftet e prezantuara, ia atribuoi mungesës së vigjilencës së fëmijëve ose vigjilencës së paktë. Ajo shtoi se: ‘’Përceptimi i konfliktit dhe kërcënimit nga konfliktet prindërore, i dërgoi fëmijët tek të qenurit vigjilent për shenjat e problemeve, duke i bërë ata që të interpretojnë shprehjet neutrale të çiftit të paraqitur si zemërim ose si sfidë për të identifikuar emocionin e fotografisë së çiftit neutral’’. Interpretimi tjetër lidhet me atë që çiftet me interaksion neutral mund të jenë më pak të rëndësishëm për fëmijët që ndihen të kërcënuar nga konfliktet prindërore. Ndër të tjerash, nga hulumtuesja është thënë se interaksioni neutral nuk ofron shumë informacion, kështu që fëmijët mund të mos i vlerësojnë ato ose mund të mos i njohin.

Nga hulumtimi në fjalë, po ashtu, është studiuar edhe ndikimi i fëmijëve të turpshëm në aftësinë e tyre për të njohur dhe procesuar emocionet. Fëmijët e turpshëm në studim, që janë identifikuar përmes një pyetësori që i’u është dhënë nënave të tyre, ishin po ashtu të paaftë të identifikojnë saktësishtë çiftet me interaksion neutral të paraqitur në fotografi, madje edhe kur fëmijët nuk ishin nga familjet me konflikte të larta prindërore. Të qenurit të turpshëm, i bëri ata më të prekshëm ndaj konflikteve prindërore. Fëmijët që ishin edhe të turpshëm, por edhe ata që ishin ndjerë të kërcënuar nga konfliktet e prindërve të tyre kishin nivele të larta të pasigurisë në identifikimin e interaksioneve neutrale. Prandaj, hulumtuesja Schermerhorn nga të dhënat e hulumtimit ritheksoi se prezenca e fëmijëve në konfliktet e prindërve ndikon dukshëm tek zhvillimi i tyre dhe secila e gjetur nga hulumtimi prezent mund të shkaktojë problem në këtë zhvillim.

 

Leximi i interaksioneve neutrale mund të mos jetë i rëndësishëm për fëmijët që jetojnë në familje me konflikte të larta prindërore, por hapësira në inventarin e tyre të përceptimit, mund të jetë e dëmtuar në eksperiencat e mëvonshme, për shembull në raport me mësimdhënësit, moshatarët e tyre dhe partnerët në marrëdhëniet romantike për shkak të përjetimit të këtyre konflikteve. Andaj, hulumtuesja Schermernhorn citon se: ‘’Askush nuk mund të eliminojë konfliktet prindërore krejtësisht, por të ndihmuarit e fëmijëve në këtë aspekt ka të bëjë me dhënien e mesazhit se edhe pse prindërit diskutojnë/argumetojnë, ata kujdesen për njëri-tjetrin dhe mund të punojnë dhe ta ndihmojnë njëri-tjetrin për gjërat e rëndësishme’’.

 

Autore:

Dorentina Murturi

 

Referenca:

Schermerhorn, A. (2018). Associations of child emotion recognition with interparental conflict and shy child temperament traits. Journal of Social and Personal Relationships.