Sipas një studimi të ri shkencor, kequshqyerja është përgjegjëse për më shumë vdekje në nivel global sesa duhani, presioni i lartë i gjakut ose ndonjë rrezik tjetër shëndetësor. Konsumi i ultët i ushqimeve të shëndetshme, si drithërat e plota dhe konsumi i lartë i ushqimeve të pashëndetshme, si pijet e ëmbla, shkaktojnë një në çdo pesë vdekje në nivel global.

“Mundësitë që dieta e varfër të jetë vrasëse, janë shumë të larta”, tha Dr. Ashkan Afshin, autor i studimit dhe asistent profesor në Institute for Health Metrics and Evaluation (IHME) në Universitetin e Uashingtonit. “Ne jemi ajo që hamë dhe rreziku prek njerëzit të kategorive të ndryshme, duke përfshirë moshën, gjininë dhe gjendjen ekonomike”.

Afshin, i cili ka shkruar një letër globale mbi obezitetin në vitin 2017, theksoi se studimet e sotme përqendrohen në efektet e ushqimit mbi probleme kronike shëndetësore, siç janë sëmundjet e zemrës dhe diabeti, pavarësisht nga lidhjet e tyre me obezitetin. Më shumë se 130 shkencëtarë nga gati 40 vende të botës, kontribuan në analizën e cila u botua në revistën mjekësore ndërkombëtare “The Lancet”. Ky artikull është analiza më e plotë e kryer ndonjëherë për efektet shëndetsore të dietave.  

Kequshqyerja ishte përgjegjëse për vdekjen 10.9 milion personave, ose 22% e të gjitha vdekjeve në mesin e të rriturve në 2017, së bashku më sëmundjet kardiovaskulare, si shkaqet kryesore të vdekjeve, duke u pasuar nga kanceret (913 mijë persona) dhe diabeti (338 mijë persona). Ndërsa duhani ishte përgjegjës për vdekjen e 8 milion personave dhe presioni i lartë i gjakut, përgjegjës për vdekjen e 10.4 milion personave. Studimi zbulon se edhe pse ndikimi i faktorëve dietikë ndryshon në vende të ndryshme, tre faktorë –  konsumimi i pakët i drithërave të plota, frutave dhe konsumimi i lartë i natriumit, shkaktojnë më shumë se 50% të vdekjeve nga kequshqyerja. Pjesa tjetër e vdekjeve i atribuohen konsumit të lartë të mishit të kuq, mishit të përpunuar, pijeve të ëmbla dhe ushqimeve yndyrore. “Ne po theksojmë rëndësinë e konsumit të ulët të ushqimeve të shëndetshme, në krahasim me konsumin e lartë të ushqimeve të pashëndetshme”, tha Afshin. “Fushatat që përqendrohen në nxitjen e të ushqyerit të shëndetshëm, mund të kenë efekt më të madh sesa fushatat që luftojnë të ushqyerit e pashëndetshëm”.

Boshllëqet më të mëdha mes dietave aktuale dhe atyre optimale, janë vërejtur të jenë tek promovimi i arrave dhe farërave, qumështit dhe drithërave të plota. Këto mangësi, tha Afshin, rezultojnë nga prodhuesit e ushqimeve. “Është urgjente nevoja për ndryshime në sektorët e ndryshëm në ciklin e prodhimit të ushqimit, si rritja, përpunimi, paketimi dhe marketingu”, tha Afshin. ”Hulumtimi ynë thekson nevojën për një ndërhyrje gjithëpërfshirëse për të promovuar prodhimin, shpërndarjen dhe konsumimin e ushqimeve të shëndetshme në të gjitha kombet”.

Profesori i Harvardit, Dr. Walter Willett, një bashkëautor i studimit, vërejti nga rezultatet e studimit se faktorët e rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare mund të ulen duke zëvendësuar mishin e kuq me proteina bimore. “Kështu, miratimi i dietave që i japin rëndësi ushqimeve të sojës, fasuleve dhe bimëve të tjera të shëndetshme si burime të proteinave, do të sillte përfitime në shëndetin njerëzor dhe tokësor”, tha ai.

Përktheu dhe Përshtati:

Arbenita Berisha

Referenca :

Technology Networks. (2019). Poor Diet Kills More People Globally Than Tobacco and High Blood Pressure.