(Hulumtim me mostër në Kosovë)

Etiketimet janë terma klasifikues, kategorizues që determinojnë vetëkonceptin dhe sjelljen tonë (Becker, 1963). Feedback-u që marrim nga njerëzit tjerë, pra feedback-u i jashtëm ndikon feedback-un tonë për vetën, rrjedhimisht përceptimin që të tjerët kanë për ne e internalizojmë dhe e kthejmë në përceptim për veten (West&Turner, 2011). Kur nxënësit etiketohen si të suksesshëm ata tregojnë rezultate më të mira, duke sugjeruar se etiketimet krijojnë profeci vetëpërmbushëse, pra i çojnë nxënësit në sjellje që përmbushin emrin me të cilin janë identifikuar. Rrjedhimisht, etiketimet negative mund të kenë pasoja të rënda psikike e sociale për nxënësit. Të dhënat tregojnë se etiketimet negative të mësimdhënësve janë parashikues të sjelljeve që rrezikojnë shëndetin, ulin vetëvlerësimin e dëmtojnë vetëkonceptin (Ercole, 2009; Rosenthal & Jacobson, 1968). Sistemi i shpërblimeve, qoftë edhe vetëm një fjalë e mirë nga mësimdhënësit sipas studimeve (Ercole, 2009; Furrer&Skinner, 2003), duket se ka ndikim te nxënësit sepse ngritë motivimin e tyre dhe përmirëson performancën.

Në një hulumtim të realizuar në disa komuna të Kosovës u synua që të identifikohen fjalët etiketuese, emërimet që përdoren në drejtim të nxënësve, sidomos ato negative, duke hipotetizuar se ndikojnë përceptimet dhe vlerësimin e nxënësve për vetën, si dhe performancën e tyre akademike.

Mostër të studimit ishin 140 nxënës, shumica e pjesëmarrësve të moshës 12-13 vjeç, përderisa 52% e pjesëmarrësve kanë qenë djem. Pyetësorët janë administruar në disa shkolla fillore të Kosovës (Prishtinë, Gjakovë, Kaqanik). Për të matur llojllojshmërinë e etiketimeve që përdoren për të klasifikuar nxënësit është përdorur një pyetësor vetëraportues i dizajnuar për matjen e etiketimeve. Shkalla e Vetëvlerësimit të Rosenberg (1965) është përdorur për të matur nivelin e vetëvlerësimit, përderisa Pyetësori i Emocioneve të Arritjes (2011) është përdorur për të hulumtuar emocionet në kontekstin akademik.  

Rezultatet e studimit kanë treguar se mësimdhënësit në Kosovë përdorin etiketime të ndryshme për nxënësit. Në serinë e gjatë të etiketimeve të llojllojshme 19% nga 159 pjesëmarrës të përgjigjur në këtë pyetje në hulumtim janë deklaruar se i etiketojnë si “të dobët”, 22% nga 313 tregojnë se i quajnë “të papërgjegjshëm”, 24.35 nga 312 raportojnë se i quajnë “budallë”, 50.6% nga 286 raportime deklarojnë se marrin etiketime për pamjen e tyre “i hollë/i trashë”, 21.86% nga 311 raportojnë se i quajnë “problematikë”, 27.9% nga 311 që kanë raportuar deklarojnë se i quajnë “agresivë”. Gjithashtu është raportuar të jenë prezente edhe etiketimet si “dështak/e” e “i/e paaftë”. Por nuk kanë munguar as edhe emërimet e identifikimet me kafshë. Mësimdhënësit tanë shkojnë edhe kaq larg sa të përdorin edhe kafshët si majmun, gjirafë, hut, kali e lopë në formë ofendimesh. Këto etiketime që nxënësit kanë raportuar se marrin kanë rezultuar të kenë ndikim në vetëvlerësimin e tyre (r=.28, p<.01). Përceptimi negativ i tyre mbi vetën është ndikuar nga përceptimi i të tjerëve për ta. Veç kësaj ka rezultuar të ketë edhe lidhje signifikante me ankthin e përjetuar për mësimin (r=.17, p<.01). Në pajtueshmëri me perspektivat teorike dhe të gjeturat e hulumtimeve të tjera, rezultatet e këtij studimi përkrahin hipotezën se etiketimet negative ndikojnë në ulje të vetëvlerësimit. Poashtu, është gjetur se ka ndërlidhje pozitive ndërmjet etiketimeve negative dhe ankthit ndaj mësimit; dhe ndërmjet vetëvlerësimit të ulët dhe turpit në klasë.

Nga rezultatet e këtij hulumtimi, autorja e studimit del me disa rekomandime relevante:

  1. Mirëqenia psikologjike luan rol të jashtëzakonshëm në çdo sferë të jetës prandaj rekomandohet fuqishëm që të jetë edhe në fokusin e politikbërësve.
  2. Një qasje me nxënësin në qendër duhet të jetë prezente në sistemin e edukimit, që është e bazuar në respekt të vlerave të nxënësit, pavarësisht nëse ai/ajo mund të jetë ndryshe, e të mos jetë si shumica e nxënësve të tjerë tipikë.
  3. Krijimi i politikave që kanë në fokus grupet e rrezikuara, dhe krijimin e ambienteve të përshatshme qoftë fizike apo edhe përmbajtësore për të adresuar nevojat e tyre, si dhe për të respektuar të drejtat e tyre.
  4. Intervenimi në tekste shkollore dhe ndryshimi i literaturës me terma diskriminues ndaj grupeve të ndryshme të shoqërisë.

Autore e hulumtimit: Arlinda Gashi

Përgatiti: Bleona Humolli

Referencat:

Becker, H. S. (1963). Outsiders: Studies in the sociology of deviance. New York: Free Press.

Ercole, J. (2009). Labeling in the classroom: Teacher expectations and their effects on students’ academic Potential.

Furrer, C., & Skinner, E. (2003). Sense of relatedness as a factor in children’s academic engagement and performance. Journal of Educational Psychology,95(1), 148-162. doi:10.1037/0022-0663.95.1.148

Rosenthal, R., & Jacobson, L., (1968). Pygmalion in the classroom: Teacher expectation and pupil’s intellectual development. New York: Holt, Rinehart & Winston.

West, R. & Turner, H. L., (2010). Understanding Interpersonal Communication: Making Choices in Changing Times, Enhanced Edition. Wadsworth: Boston, USA.