Psika: A vlerësoni se ka objektivizim gjinor në shoqërinë shqiptare?

Aliaj: Do doja të kishte. Por ajo me çka përballem çdo ditë, më tregon të kundërtë. Dhe përpos vëzhgimit të lirë, krijimit të qëndrimeve dhe përshtypjeve personale, fatmirësisht ka edhe disa studime që përpiqen të hedhin akoma më shumë dritë për çështjet gjinore në shoqërinë tonë. Pikë së pari, unë vlerësoj që nuk ka një objektivizëm gjinor, pasi ka një trajtim të diferencuar të vajzave dhe djemve në ambientet familjare dhe në ato shkollore. Gjithashtu, vihet re një pabarazi gjinore në shanset për punësim. Pavarësisht se sipas statistikave, vajzat kanë përqindje më të lartë të ndjekjes dhe përfundimit të studimeve universitare, djemtë janë të punësuar në pozicione më të rëndësishme. Vlen të përmendet fakti, se djemtë dhe burrat janë më të paguar krahasuar me gratë dhe vajzat, një çështje problematike edhe në botë. Burrat kanë më shume gjasa të jenë punëdhënës ose të vetëpunësuar dhe gratë kanë gjasa të jenë të punësuara ose të kryejnë punë të papaguar në një biznes familjar. Ka më pak gra sipërmarrëse krahasuar me burrat. Karriera e një vajze dhe gruaje, shpeshherë cënohet nga roli i saj i amësisë apo detyrimit për të qënë kujdestarja  parësore e familjes. Duke qenë se sipas mendimit të shumë përkrahur steriotipik se familja vjen e para, me kalimin e kohës gratë bëhen më pak konkurruese në tregun e punës, sepse priren më tepër të mbështesin familjen, se sa të kërkojnë mundësi trajnimi dhe formimi për veten, në shprehjen dhe maksimizimin e potencialit. Kjo nuk është një shoqëri e barabartë.

Shoqëria përkrah në mënyrë të ndryshme djemtë dhe vajzat. Kështu, djemtë nxiten që të jenë më inovatorë, më energjikë dhe përkrahen më shumë në arritjen e suksesit përballë sfidave, ndërkaq vajzat orientohen ne rrugën sesi të jenë perfekte dhe të përsosura. Një shoqëri objektive i’u mëson si vajzave, ashtu edhe djemve, sesi të jenë të guximshëm që kur janë të vegjël, si të guxojnë në shkollë, në karrierë, si të zhvillojnë potencialin personal dhe si të ndikojnë në jetën e tyre dhe të të tjerëve. Shoqëria dhe të gjithë ne, duhet të fillojmë të tregojmë pranimin tonë ndaj vajzave dhe djemve, jo sepse përmbushin me sukses pritshmëritë sociale, as sepse janë perfekt, por sepse janë të guximshëm dhe përpiqen për krijimin e një e një bote më të mirë.

Psika: A pajtoheni që diskriminimi gjinor ndikon edhe sot në rritjen dhe edukimin e nxënësve vajza?

Aliaj: Besoj që po. Diskriminimi gjinor ka efekt jo vetëm tek nxënëset vajza, por edhe tek djemtë. Tek individët, edukimi primar vjen nga familja. Prindërit në të shumtën e rasteve janë kujdestarët tanë parësorë, të cilët na ndihmojnë të krijojmë një perceptim për mjedisim ku do rritemi dhe zhvillohemi. Duke qenë se ata janë modeli jonë i parë, lentja e parë e kontaktit me botën, edukimi me bazë familjen është shumë i rëndësishëm dhe ka efekt përgjatë gjithë jetës. Prindërit na tregojnë se çfarë është e lejueshme dhe jo, çfarë është e pranueshme dhe jo, çfarë pritet nga ne në mënyrë direkte, nëpërmjet udhëzimeve, shpërblimeve dhe ndëshkimeve dhe në mënyrë indirekte, duke i vëzhguar ata. Për tu fokusuar më specifikisht tek edukimi me bazë gjininë, shpesh prindërimi bazohet, ndërtohet dhe aplikohet bazuar në ndarjen vajza dhe djem. Kështu, sapo mësohet gjinia e fëmijës, në mënyrë absolute vajza do të ketë dhomë dhe rroba  rozë dhe djali do të ketë dhomë dhe rroba blu. Në linjën e edukimit, vajzat konsiderohen si të brishta dhe të ëmbla, kurse djemtë si të fortë dhe të zgjuar. A keni parë vajza që të jenë të  zgjuara dhe djem që të jenë të brishtë? Unë po. Por, për shkak të steriotipeve të krijuara, tek djemtë theksohen cilësi që hipotetikisht i bëjnë ata më të fortë, kurse tek vajzat cilësi që i bëjnë më delikate.

Loja është një tjetër mënyrë ku fëmijët krijojnë një botë të tyren dhe është shumë më shumë se një aktivitet kënaqësie. Gjatë lojës, fëmijë testojnë realitetin, zhvillojnë imagjinatën, kreativitetin dhe përpos gjithë benefiteve kognitive dhe socio-emocionale, loja i’u jep mundësi të vegjëlve të ndërmarrin dhe të provojnë role të ndryshme. Ajo që vihet re, është që edhe në lojë fëmijët shfaqin dallime gjinore, ku vajzat marrin rolin e nënës përkujdesëse, infermieres, mësueses së dashur dhe djemtë rolin e babait që punon ose policit autoritar. Një ndarje e tillë përforcohet edhe nga lodrat e blera që janë një tjetër kategori e agjentëve socializues për fëmijët. Në të shumtën e rasteve, vajzave i’u blihen kukulla, lodra gatimi, mjete kuzhine; që evokojnë ndjenjën e shtëpisë, kujdesin ndaj të tjerëve, kurse djemve biçikleta, makina, avionë, ushtarë; që nxisin largimin jashtë shtëpisë. Duken si elementë shumë të parëndësishëm, por në fakt, në këtë mënyrë ne jemi duke i’u mësuar vajzave se ato duhet të jenë të bukura dhe të përkryera si kukullat barbi, të jenë të orientuara drejt mjedisit familjar, kurse djemve jemi duke i’u mësuar sesi të jenë të fortë, mbizotërues, agresivë dhe ndonjëherë edhe të dhunshëm.

Psika: Po përsa i përket institucionit të shkollës, cili është ndikimi në promovimin e barazisë gjinore?

Aliaj: Shkolla është një institucion që ka ndikim shumë të madh në edukimin e  fëmijëve.  Duke qenë se institucionet arsimore nuk janë të izoluara nga traditat, kultura, normat, ligjet dhe politikat që ekzistojnë në vend dhe në komunitet, atëherë shkolla në mënyrë implicite mund të legjitimojë dhe përforcojë normat e dëmshme gjinore. Shkolla mund të përkrahë normat tradicionale gjinore kur inkurajon dominimin e nxënësve vajza, në sektorë të ndryshëm nga nxënësit djem. Vihet re se ka një diferencim gjinor në lëndët që zhvillohen, ku djemtë nxiten dhe vlerësohen më shumë pozitivisht për shkencat ekzakte dhe vajzat nxiten dhe orientohen më shumë drejt shkencave shoqërore, një ndarje kjo e bazuar në hamendësime dhe aspak korrekte. Më parë, kishte një ndarje edhe më drastike, ku djemtë zhvillonin orët e edukimit fizik, kurse vajzat e mbyllura në klasë zhvillonin orët e ekonomisë shtëpiake. Vajzat sërish ngarkohen me  role tipike, si të qënit përkujdesëse të nxënësve të tjerë ose janë të vetmet të zgjedhura për të bërë rradhën e pastërtisë në klasë. Në këtë mënyrë, shkolla nuk është duke bërë gjë tjetër, pos që përforcon steriotipet gjinore. Për këtë arsye, shkollat duhet të promovojnë në mënyrë aktive një kulturë të barabartë gjinore, të respektueshme dhe jo të dhunshme, pasi të rinjtë kanë potencialin për të vepruar si agjentë ndryshimi dhe tranformimi shoqëror. Kjo mund të arrihet nëpërmjet trajnimeve dhe orëve sensibilizuese për mësuesit dhe nxënësit, ngritjes së politikave për identifikimin e steriotipeve gjinore, mbështetetjen e barabartë të secilit nxënës, si dhe me anë të bashkëpunimit me komunitetin.

Psika: Si lidhet pabarazia gjinore me dhunën e ushtruar, kryesisht ndaj vajzave dhe grave ?

Aliaj: Dhuna me bazë gjinore është ndoshta shprehja më ekstreme e pabarazisë gjinore në shoqëri dhe absolutisht një nga shkeljet e të drejtave të njeriut. Është fakt që dhuna me bazë gjinore afekton në mënyrë disproporcionale gratë dhe vajzat, me impakt të madh tek mirëqenia fizike dhe psikologjike. Vetëvlerësimi i ulët, problemet me identitetin, depresioni, ankthi, PTSD dhe në disa raste edhe vetëvrasjet, janë pasojat fatale të dhunës me bazë gjinore.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave shpesh njihet si “dhunë me bazë gjinore”, sepse pjesërisht vjen nga statusi i tyre nënshtruar, duke u shoqëruar me dëmtim të integriteti personal. Familja, e cila përgatit anëtarët e saj për jetën sociale, formon steriotipet gjinore dhe perceptimet për ndarjen e detyrave sipas gjinive, duke u bërë kështu një nga vendet e para dhe kryesore të dhunës gjinore. Në të shumtën e rasteve, dhuna mbetet e pa raportuar sepse konsiderohet një çështje shumë private që ndodh brenda dyerve të shtëpisë.

Shoqëria shpesh justifikon sjelljen e abuzuesve djem dhe burra që synojnë  vendosjen  e kontrollit mbi gratë dhe vajzat, si dhe mbështet praktikat e dëmshme tradicionale të dhunës. Sektorët e ndryshëm të punësimit janë sërish vende të shfaqjes së dhunës gjinore, ku vajzat dhe gratë janë më të më prekshme ndaj ngacmimeve, fyerjeve, dhunës, pagesave më të ulëta dhe mundësive më të pakta për karrierë.

Ka shumë shembuj dhe fakte për dhunën me bazë gjinore në gjithë botën. Së pari, statistikat e lidhura me dhunën e ushtruar, me vdekjet dhe dëmtimet e rënda si pasojë e këtyre praktikave apo trafikimit, janë të frikshme dhe lidhen në mënyrë ekskluzive me gratë dhe vajzat. Aborti selektiv ose vrasja e heshtur është një tjetër çështje shqetësuese, ku shumë bebe vajza nuk konsiderohen të denja për të jetuar…ose më keq akoma, sepse emocioni i zakonshëm kur lind një vajzë do të jetë keqardhja ose turpi. Gjatë luftërave apo konflikteve civile, gratë dhe vajzat janë targeti kryesor i përdour për dhunim dhe poshtërim. Gjithashtu, fakti që shumë gra dhe vajza qëndrojnë në vendet ku dhunohen lidhet me mungesën e një strehe të sigurt, destabilitetin ekonomik, perceptimin për humbjen e statusit social, mosaprovimin dhe mosmbështetjen nga familja dhe shoqëria, si dhe me ndjenjat e tyre të fajit dhe turpit për braktisjen e një lidhje dhe veprimit me rebelim. Kështu, dhuna ndaj grave është e lidhur me pritshmëritë sociale dhe pabarazinë gjinore, e cila inkurajon gratë dhe vajzat të vetësakrifikohen, të përshtaten dhe të kujdesen për marrëdhëniet ku janë të përfshira, pavarësisht kostos.

Psika: Cili është roli i medias në luftën kundër steriotipeve gjinore ?

Aliaj: Media vazhdon që të jetë një nga burimet kryesore të informacionit, ideve dhe opinioneve të shumë njerëzve. Ndonëse në strukturat shoqërore dhe në pikëpamjet personale të individëve mund të ekzistojnë pabarazi dhe steriotipe gjinore, mediat kanë potencialin të shumëfishojnë dhe përkeqësojnë ose të përmirësojnë qëndrimet dhe besimet. Roli pozitiv mund të arrihet përmes zgjerimit të horizonteve të të menduarit për barazinë gjinore dhe steriotipet me bazë gjinore.

Pikërisht, për shkak të këtij impakti kaq të rëndësishëm të medias në shoqëri, do doja që të përmendja që në të shumtën e rasteve ajo është desensibilizuese. Kështu, media e shkruar apo vizive fuqizon steriotipet, ku e paraqit gruan të varur emocionalisht, të pazonjën profesonalisht dhe nga ana tjetër e paraqet një shtëpiake të përkushtuar, familjare, nënë dhe bashkëshorte të denjë. Reklamat, nga ana tjetër, janë një formë shumë e fuqishme e seksizmit, ku gratë shfaqen të lidhura me familjen, shtëpinë, pastrimin, gatimin, kurse burrat mbizotërojnë në publicitetin që lidhen me udhëtimet, kohën e lirë, telekomunikacionin, bankat apo investimet. Pjesa më e madhe e reklamave janë një përshkrim i hollësishëm i steriotipeve gjinore, duke bërë  që të duken normale dhe të pashmangshme.

Më konkretisht, imazhet e grave dhe vajzave në mjetet masive të komunikimit janë të steriotipizuara nga modelet tradicionale, ku ato janë simbol i feminilitetit, me trup të bukur, të veshura dhe të kuruara mirë, sigurisht tërheqëse. Media parapëlqen më tepër imazhin e një gruaje të hijshme, të durueshme, të qëndrueshme, që sakrifikon për familjen e saj, si dhe është shumë e zonja në punët e shtëpisë, gatim dhe në kujdesin ndaj fëmijëve. Pavarësisht tentativave për modernizim, një grua e përkryer është e sukssshme në karrierë, e interesuar në çështjet sociale, por që vazhdon të kryejë detyrat e saj në familje.

Nga ana tjetër, vihet re se për dhënie të mendimeve që prekin çështjet publike, burrat janë të përzgjedhurit kryesorë në rolin e ekspertit dhe roli i gruas si profesioniste zë pak vend dhe  citohet shumë rrallë. Figura e gruas është më së shumti në rolin e viktimës dhe rrallë herë ndodh që të paraqitet si një individ me një kontribut të madh në shoqëri. Mediat, qoftë vizive apo të shkruara, kanë një rol potencialisht të madh në fuqizimin e figurës së gruas, duke promovuar një paraqitje të ekuilibruar dhe josteriotipizuese.

Alton Grizzle, ekspert pranë UNESCO për çështjet gjinore, bën një paralelizëm mes idesë së barazisë gjinore dhe fotos së kapur në Alaskë nga Kent Smith, të titulluar “Ndërthurje oqeanesh“ për rëndësinë dhe efektivitetin që  mund të ketë media  në  luftën kundër steriotipeve. Pikëpamjen e tij, po e citoj në vazhdim:“ Në vendin ku takohen dy baticat ka një vijë të përhershme shkume të bardhë, për shkak të dendësisë së ndryshme të ujërave. Nëse do të lundronit bashkë me mua në këtë udhëtim, besoj që edhe ju do të pajtoheshit se ky është një përshkrim i goditur i barazisë gjinore. Pse? Sepse ne të gjithë së bashku do të mund ta shihnim këtë vijë të bardhë e të përhershme ndarëse si një pranim të ngjashmërive ndërmjet grave dhe burrave, vajzave dhe djemve, me merita dhe aftësi të barabarta, me lirinë për të qenë, për të aspiruar, për të pasur arritje, për të ecur përpara. Por kjo vijë e bardhë mund të jetë edhe simbol i përqafimit të dallimeve, simboli i një lloji tjetër lirie, liria e grave dhe burrave për tu takaur si të barabartë në të njëjtat borde drejtuese, zyra, bashkësi, redaksi lajmesh, filma apo edhe në reklama e publicitet, pavarësisht  dallimeve që ekzistojnë  mes  tyre.“

Psika:Sa/si kontribuojnë filmat e animuar dhe përrallat në fuqizimin e stereotipizimit gjinor?

Aliaj: Filmat e animuar, ashtu si përrallat apo tregimet janë shumë të rëndësishme në edukimin  e fëmijëve, pasi jo vetëm janë argëtuese, por ato nxisin zhvillimin e personalitetit, nxisin imagjinatën, paraqesin një formë të organizuar dhe të thjeshtëzuar të përvojës njerëzore, evidentojnë vlerat, ndikojnë të menduarin, ndjesitë, gjykimin, si dhe zhvillojnë dhe pasurojnë gjuhën. Shumica e filmave të animuar janë të bazuar në përralla dhe tregime, ku vihet re një theksim shumë i madh i roleve gjinore. Në përrallat tradicionale dhe filmat e animuar, ka dy karaktere të personazheve që përfaqësojnë gjininë femërore. Prespektiva e parë është paraqitja e vajzave që janë heroina të bukura, të përsosura, të mira, të dhembshura dhe të vetësakrifikueshme. Këto lloj vajzash janë modeli ideal që të gjitha duhet të ndjekin! Prespektiva tjetër e paraqitur janë vajza “të këqija“, në rolin e shtrigave apo njerkave keqbërëse, që nuk posedojnë karakteristikat e heroinës së mirë, por përpiqen vazhdimisht t`iu prishin lumturinë të tjeëve.

Nëse do përmendja disa përralla, gjithashtu të realizuara film, do të viheshin re disa karaktersitika të ngjashme, që fuqizojnë steriotipet gjinore. Kështu për shembull, tek Bukuroshja e fjetur, Hirushja, E bukura dhe Bisha, Borëbardha dhe Shtatë Xhuxhat, ka një heroinë të bukur dhe një personazh të keq përballë tyre. Këto përralla tregojnë sesi shoqëria i shikon vajzat dhe gratë dhe se çfarë pret prej tyre. Kështu, për të arritur lumturinë, vajzat duhet të jenë shumë të bukura, të bindura dhe të nënshturara. Në filmat e animuar dhe tregimet e lartpërmendura, bukuria e jashtme lidhet automatikisht me të qenit “e mirë“, kurse personazhet vajza që kanë role negative janë portretizuar si shumë jo tërheqëse. Herionat e mira, përpos pjesës së bukurisë karakterizohen nga durimi dhe nënshtrimi. Ato durojnë vujatjet, nuk kundërshtojnë, binden dhe presin që të shpëtohen nga “princi“ për të pasur një martesë dhe jetë të lumtur.

Nëse personazhet vajza në filma dhe tregime janë shumë të zëna duke lindur dhe duke u kujdesur për fëmijët, bëjnë punët e shtëpisë, komplomentojnë kundër njëra-tjetrës apo shqetësohen për bukurinë e tyre, personazhet djem paraqiten shumë të zënë me punët dhe sundimet e mbretërisë, me luftërat dhe gjuetinë  apo të fokusuar në zgjidhjen e problemeve të rëndësishme  ku do  marrin kurorën e shpëtimtarëve. Ata shpëtojnë princeshat e mbyllura në kullë, ata shpëtojnë botën! Pra më përmbledhtazi, filmat, tregimet, përrallat i tipizojnë vajzat si të bukura, të nënshtruara, të bindura, kurse djemtë i’u atribuohen cilësitë e fuqisë, kontrollit, autoritetit dhe pushtetit. Kështu në mënyrë të pandërgjegjshme, fëmijët e vegjël përqafojnë steriotipet gjinore, duke qenë se ata i’u besojnë historive, si dhe krahasojnë dhe identifikojnë veten  me personazhet.

Borëbardha pastron dhe gatuan për 7 xhuxhat që shkojnë në punën. Për përkujdesjen e saj, ajo shpërblehet me bashkimin me princin, i magjepsur pas bukurisë. Tek përralla e Hirushes, fëmijëve i’u përcillet mesazhi se vajzat duhet të jenë të bindura, të edukuara dhe të presin për princin. Bazuar në këtë tregim, mbështetet edhe sindroma psikologjike e varësisë, e quajtur

“Kompleksi i Hirushes“. Ky kompleks është i përvetësuar thellë dhe i natyrshëm në mendjen e disa grave që preferojnë varësinë në vend të pavarësisë, që kanë nevojë për mbështetje dhe që janë në pritje të një figure mashkullore për t’iu transformuar jetën.

Mulan është princesha që nuk mund të udhëhiqte sepse ishte vajzë. Për këtë arsye ajo preu flokët dhe u vesh si djalë. Shumë qartazi, jemi duke i’u treguar fëmijëve se roli i udhëheqësit është vetëm për djemtë dhe nëse “rastësisht“ një vajzë i duhet të jetë në pozicione lidere, atëherë duhet të internalizojnë dhe shfaqë cilësitë mashkullore. Kohët e fundit, filmat e animuar janë drejtuar drejt shfuqizimit të roleve gjinore. Një shembull është Frozen, ku personazhet vajza i marrin vetë vendimet dhe nuk varen nga të tjerët. Kjo është një përpjekje e mirë, por ka ende shumë punë për të bërë, në mënyrë që filmat dhe  përrallat të jenë edukativë dhe mos influencojnë në steriotipizëm.

Psika: Si mund ta përmbushim ndjeshmërinë gjinore në shoqëri?

Aliaj: Çështjet gjinore, janë çështje sensitive jo vetëm në shoqërinë tonë, por edhe në shumë shoqëri të botës. Si fillim për të arritur barazinë gjinore, mendoj që duhet të identifikohen fushat, qëndrimet, mesazhet apo veprimet që kryhen bazuar tek diskriminimi gjinor. Kur flitet për mekanizmat që mund të përdoren për të arritur ndryshime pozitive, ajo që më vjen së pari në mendje është edukimi dhe arsimimi. Edukimi është instrumenti më i rëndësishëm për të luftuar çdo fenomen. Shkolla, që nga niveli fillor është një institucion i rëndësishëm me potencialin për të adresuar dhe parandaluar pabarazitë gjinore. Arsimimi luan  një  rol  vendimtar, pasi hedh më shumë dritë mbi rolet tradicionale, si dhe fuqizon individët për t`iu kundërpërgjigjur atyre. Programet e zhvilluara në shkollë jo vetëm rrisin ndërgjegjësimin, por edhe nxisin krijimin e marrëdhënieve të barabarta dhe respektuese. Do doja që pjesë e ndryshimit të ishte përmirësimi i kurrikulave të shkollës, pasi shumë tekste janë përforcuese të roleve steriotipizuese gjinore. Kështu për shembull, steriotipet gjinore vihen re në shembuj, ilustrime apo formulim fjalish, ku tregohet sesi vajzat bëjnë punët e shtëpisë dhe djemtë shkojnë në punë. Tekstet shpesh krijojnë imazhe seksiste që frenojne qëllimet  e  vajzave , duke bërë që ato t`i përshtaten profesioneve tradicionale. Shkolla duhet t`i përgatisë si vajzat edhe djemtë që të jenë më të sigurtë në vetvete dhe të pajisen me aftësi për të përballur detyrat që i’u paraqiten vazhdimisht.

Ndërkaq , lidhur ngushtë me edukimin lidhet edhe punësimi. Edukimi funksional mund të disbalancojë mënyrën e operimit në tregun e punës. Në këto momente, vajzat dhe djemtë janë të orientuar drej profesioneve klasike, ku burrat kanë pozicione drejtuese dhe të mirëpaguara dhe gratë janë më pak të angazhuara dhe të paguara. Gjithashtu, vihet re se për shkak të ndikimit të roleve tradicionale dhe lidhjes së figurës së gruas me përkujdesin ndaj shtëpisë, shumë vajza dhe gra sakrifikojnë karrierrën e tyre dhe përmbushjen e potencialit personal për t’iu dedikuar jetës familjare. Përkushtimi ndaj shtëpisë i bën gratë dhe vajzat më pak konkurruese në tregun e  punës, nuk i’u mundëson kohë në ndjekjen e trajnimeve për aftësimin e tyre, duke sjellë që të jenë të përshtashme për pozicione pune varësie dhe më pak të paguara. Barazia gjinore është e lidhur fort me edukimin dhe punësimin. Një ndër shkrimtaret e njohura feminsite, Charlotte Gilman, pohon se barazia gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave dhe rritja e tyre mund të arrihet vetëm me anë të edukimit dhe fuqizimit ekonomik.

Familja është shumë e rëndësishme në promovimin e barazisë gjinore. Trajtimi i njëjtë i vajzave dhe djemve, dhënia e shanseve të njëjta në familje, nxitja e konkurencës, inovacionit, përkujdesjes tek të dyja gjinitë, bën që të përqafohen modele larg atyre steriotipike. Në jetën e përditshme, prindërit në mënyrë të ndërgjegjshme ose jo, nëpërmjet shembullit të tyre, u transmetojnë fëmijëve qëndrime pozitive ose negative. Që në fëmijëri ata duhet të mësohen me drejtësinë dhe barazinë gjinore. Në familje duhet të krijohet një klimë barazie, ku modelohet që nëna dhe babai, motra dhe vëllai kanë të drejta të barabarta. Rrugë të tjera sesi mund të arrihet barazia gjinore janë edhe përmirësimi i mekanizmave ligjor apo fuqizimi i grave dhe vajzave nëpërmjet rritjes së vendimmarrjes. Promovimi i aksesit në arsim, trajnime, rritja e ndërgjegjësimit, përmirësimi i rolit të medias apo përmirësimi i kurrikulave shkollore janë strategji të tjera frytdhënëse në luftën për barazi gjinore.

Dhe në fund dua ta mbyll me një shprehje të Edward Munch, një thirrje të tejkalimit të vetes nëpërmjet kapërcimit të roleve steriotipike gjinore: “Nuk dua të pikturoj më burra që lexojnë dhe gra që thurin. Dua të pikturoj njerëz të gjallë që frymojnë, ndiejnë, vuajnë dhe dashurojnë!“

Biografi e shkurtër

Sulltana Aliaj, është Psikologe Klinike dhe Pedagoge e jashtme pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Fushat e saj të interesit dhe kërkimet shencore lidhen me dhunën në shkollë, krijimin e strategjive për kulturën pozitive në insitucionet arsimore, mirëqenien psikologjike të fëmijëve dhe adoleshentëve, inteligjencën emocionale dhe çështjet gjinore. Është angazhuar në implementimin e strategjive kundër bullizmit dhe është pjesëmarrëse në një sërë konferencash.

Intervistoi: Fjolla Avdyli