Psika: Çfarë thotë shkenca për të ndjerit i/e vlerësuar, i/e dashur, i/e çmuar?

Voca: Në psikologji, të ndihesh i/e vlerësuar, dashur ose çmuar, konsiderohet një nevojë universale dhe bazike për të gjithë njerëzit. Secili njeri i plotëson këto nevoja duke u shoqëruar me njerëz tjerë. Si do ta trajtojnë prindërit fëmijën, konsiderohet shumë e rëndësishme për të plotësuar këto nevoja bazike. Poashtu, në secilën periudhë të jetës gjatë shoqërimit ne duam t’i plotësojmë këto nevoja bazike. Asnjë njeri nuk dëshiron të qëndron në një ambient ku ndihet i nënvlerësuar, pa dashur ose nënçmuar.

Psika: Si ndikojnë stereotipi, paragjykimi dhe diskriminimi në shoqëri?

Voca: Mendoj se nevojitet një sqarim për konceptet stereotip, paragjykim dhe diskriminim, pasi që shpesh ngatërrohen nga njerëzit. Stereotipet i referohen mendimeve që kemi për një shoqëri të caktuar, paragjykimet i referohen aspektit emocional dhe diskriminimi – sjelljeve tona ndaj anëtarëve të grupit të caktuar. Këto – stereotipet, paragjykimet dhe diskriminimi, zakonisht janë të ndërlidhura dhe mënyra se si ndikojnë në shoqëri varet nga mendimet dhe emocionet që mund të kemi për grupe të caktuara. Për shembull, nëse kemi mendime negative për një grup të caktuar të shoqërisë (p.sh. personat e grupit tjetër etnik ose religjioz), sjelljet dhe emocionet tona do të jenë poashtu negative. Një problem themelor i stereotipeve/paragjykimeve është kur nuk janë të mbështetura në realitet, por më shumë në perceptime që nuk kanë të bëjnë me realitetin. Jo rrallë, stereotipet ose paragjykimet konsiderohen si një nga faktorët kryesorë për konflikte ndërmjet grupeve. Shqiptarët gjatë viteve 90ta, përshkak të paragjykimeve dhe stereotipeve (duke mos harruar edhe faktorët tjerë), kanë qenë të diskriminuar nga serbët.

Psika: Çka e shkakton dhunën dhe agresionin?

Voca: Dhuna është një formë në të cilën shfaqet agresioni. Agresioni shprehet në forma të ndryshme, si me fyerje, poshtërim ose edhe ngacmim fizik. Sporti, në kontekstin pozitiv, është një rrugë nëpërmjet së cilës shprehet agresioni. Nuk ekziston një faktorë i vetëm që mund të shkakton dhunë dhe agresion. Mendohet se secili nga ne kemi një lloj instikti ose biologjikisht jemi të përgaditur për të shfaqur dhunë ose sjellje agresive, sidomos kur vlerësojmë se jemi në rrezik. Në anën tjetër, faktorët social, si konfliktet fizike në familje, shkollë ose shoqëri mund të ndikojnë në shfaqjen e dhunës. Në raport me këtë, evidenca shkencore tregon se sa më shumë të vëzhgojmë emisione me përmbajtje të dhunshme ose t’i ekspozohemi dhunës në ambientin ku jemi, aq më shumë ne do të imitojmë këto sjellje të dhunshme. Prandaj, për të kuptuar më mirë se çfarë shkakton dhunën dhe agresionin duhet të shikohet si individi ashtu edhe situata në të cilën është shfaqur dhuna/agresioni.

Psika: Cilët janë determinuesit psiko-socialë të shëndetit mendor?

Voca: Për shkak se jam psikolog social, gjithmonë kam tendencën të përqendrohem te determinuesit socialë. Të mos harrojmë se faktorët biologjikë dhe gjenetikë janë shumë të rëndësishëm në përcaktim të shëndetit mendor. Në aspektin social, ndërveprimi prind-fëmijë luan rol shumë të rëndësishëm në shëndetin mendor. Shumë hulumtime shkencore tregojnë se mënyra se si i trajtojmë fëmijët përcakton se si, ky fëmijë më vonë, do t’i trajtojë të tjerët. Traumat e ndryshme gjatë periudhës së fëmijërisë kanë rol determinues në shëndetin mendor gjatë tërë jetës. Përveç ndërveprimit direkt prind-fëmijë, aspekti indirekt, se çfarë vëzhgojnë fëmijët ka rëndësi. Fëmijët dhe të rriturit, shpeshherë, shfaqin sjellje negative përshkak se jetojnë në një vend me nivel të lartë të krimit ose sjelljeve të ndryshme negative. Kjo është për arsye se këto ambiente me nivel të lartë të krimit ose sjellje negative japin mesazh fëmijës se problemet mund të zgjidhen edhe me dhunë. Kohëve të fundit, studimet tregojnë se sporti i rregullt ndikon pozitivisht në funksionet tona konjitive. Prandaj, edhe si këshillë të jetë që të merremi me sport, qoftë edhe ecje, pasi që ndikon pozitivisht në kujtesën, përqendrimin dhe aftësinë për zgjidhjen e problemeve.

Psika: Na flisni pak për kontribuimin e psikologjisë sociale në përmirësimin e raporteve ndër-etnike në vendet e pas-luftës?

Voca: Fatmirësisht, që nga pas-lufta e dytë botërore, psikologjia sociale ka filluar të ofrojë ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e raporteve ndër-etnike në vendet e pasluftës. Psikologjia sociale shpjegon se si strategji të ndryshme mund të jenë të dobishme për përmirësimin e raporteve ndër-etnike. Por, zbatimi i këtyre strategjive varet shumë nga konteksti, si kultura dhe kohë-zgjatja e luftës. Si shembull, nëse ofrojmë vende të sigurta ku njerëzit e etnive të ndryshme pas periudhës së luftës mund të takohen ose platforma për të marrë informacione pozitive për njerëzit e etnive të ndryshme, atëherë raportet do të përmirësohen gradualisht. Një strategji tjetër vjen nga identitetet sociale, që thekson se nëse njerëzit e etnive të ndryshme gjejnë elemente të përbashkëta dhe përqendrohen te këto elemente (shembull nëse konsiderojmë se të gjithë jemi njerëz para se të përqendrohemi te veçantitë), atëherë raportet mund të përmirësohen. Në përgjithësi, ideja e këtyrë strategjive është se sa më shumë mësojmë që jemi të ngjashëm me njëri tjetrin, por duke mos anashkaluar ndasitë, ne aq më paqësorë do të jemi me tjerët.

Psika: Si ndikojnë luftërat në shëndetin mendor?

Voca: Ndikimi i luftërave në shëndetin mendor varet edhe nga intensiteti dhe kohëzgjatja e luftës. Mirëpo, në përgjithësi, armiqësitë gjatë kohës së luftës vazhdojnë edhe në periudhën e pasluftës. Për këtë arsye, shpeshherë, ndodhin edhe shpërthime të incidenteve të dhunës pas përfundimit të luftës. Kësi shpërthime kanë ndodhur në Kosovë pas vitit 1999. Si pasojë e luftës, negativiteti mbizotëron ndërmjet njerëzve. Kjo i bie që njerëzit ndjehen më armiqësorë dhe shumë më lehtë zemërohen dhe shfaqin sjellje të dhunshme. Në shumë vende të pas-luftës, shumë individë përjetojnë çrregullim të stresit post-traumatik. Në këtë aspekt, roli i psikologëve është shumë i rëndësishëm në trajtimin e këtij çrregullimi dhe, më gjerë, ofrim të këshillimeve psikologjike në zonat ku niveli i dhunës ka qenë i lartë.

Psika: Cila është mënyra më e mirë për ta definuar kulturën dhe çka mund të jetë kulturore e çka jo?

Voca: Kultura në disiplina të ndryshme definohet në mënyra të ndryshme, por të gjitha disiplinat përfshijnë traditën, sjelljet, rregullat dhe normat në kuadër të definicionit ‘kulturore për një grup të caktuar’. Shkenca e psikologjisë më shumë përqendrohet në elementet subjektive të kulturës si vlerat, besimet, qëndrimet, këndvështrimet dhe si ndikojnë këto te personaliteti i individit.

Psika: A është kultura tipar definues vetëm për njerëzit apo edhe kafshët mund të kenë kulturë?

Voca: Kultura konsiderohet edhe si mënyrë e përshtatjes në ambientin e jashtëm me qëllim të plotësimit të nevojave tona biologjike dhe sociale. Në këtë aspekt, edhe kafshët mund të konsiderohen se kanë një lloj kulture ‘primitive’ përshkak se kanë një hierarki sociale dhe koordinim të aktiviteteve dhe janë përshtatur në ambientin e jashtëm.

Psika: Si e mësojnë fëmijët sistemin kulturor?

Voca: Fëmijët gjatë ndërveprimit me prindërit dhe ambientin mësojnë se çfarë është ose nuk është e lejuar, mësojnë për qëndrimet, vlerat dhe religjionin. Në këtë mënyrë, secili fëmijë internalizon këto rregulla (qëndrimet, vlerat, etj.) dhe fillon t’i shfaq nëpërmjet sjelljeve të tyre. Në psikologjinë kulturore, ekziston termi ‘akulturim’ që i referohet procesit të mësimit dhe përshtatjes në kulturë. Por, si dhe çfarë mëson fëmija, varet nga kultura specifike. Bie fjala, në kulturat individualiste, fëmijët udhëzohen se suksesi varet më shumë nga faktorët personal, ndërsa në kulturat kolektiviste, fëmijët udhëzohen se suksesi varet më shumë nga raporti që ke me shoqërinë.

Psika: Cila është mënyra më e mirë për të zbuluar dhe/ose matur aspektet kulturore të sjelljeve njerëzore?

Voca: Ekzistojnë mënyra të ndryshme për të kuptuar aspektet kulturore të sjelljeve njerëzore. Një mënyrë e mirë për të zbuluar është thjesht vëzhgimi i sjelljeve specifike në kultura të ndryshme. Duke u rritur në kulturë të caktuar, në mund të mendojmë se të gjithë njerëzit sillen në mënyrë të njejtë, për shembull, shprehin zemërimin në mënyrë të njëjtë. Mirëpo për të ditur këtë, ne duhet të vëzhgojmë nëse, për shembull, zemërimi shprehet në mënyrë të njëjtë në kultura të ndryshme. Zhvillimet në shekullin e fundit, sidomos teknologjisë dhe internetit, kanë mundësuar që njerëzit e kulturave të ndryshme të njohin më mirë njëri tjetrin dhe të kuptojnë më mirë dallimet ndërmjet veti. Mirëpo, duke vëzhguar ne shpeshherë duam të dimë pse ka dallime kulturore. Për të kuptuar këto, ne poashtu përdorim metoda të ndryshme hulumtuese dhe në psikologji kemi matje të ndryshme që na lehtësojnë matjen e sjelljeve specifike njerëzore.

Biografi e shkurtër

Shpend Voca është student i doktoraturës në Universitetin Masaryk në Republikën e Çekisë. Duke përdorur disa nga teoritë kryesore në fushën e Psikologjisë Sociale, ai mundohet të kuptojë zbatimin e tyre në përmirësimin e raporteve ndërmjet grupeve të ndryshme në vendet e pas-luftës. Në këtë aspekt, është duke hulumtuar nëse identitetet sociale dhe viktimizimi kolektiv kontribuon në përmirësimin e raporteve ndëretnike në Kosovë. Në lidhje me çështjet e tij të interesit, ai ka bërë prezantime të ndryshme në konferenca vendore dhe ndërkombëtare. Aktualisht është ligjërues në Fakultetin e Psikologjisë në Kolegjin AAB dhe pjesë e një ekipi hulumtuesish në Institutin e Psikologjisë, në kuadër të Akademisë së Shkencave në Brno, Republikën Çeke.

Intervistoi: Fjolla Binaku