Psika: Si mund të na shpjegoni me pak fjalë psikologjinë organizative në mënyrë që të kuptohet edhe nga njerëzit të cilët nuk e kanë profesion psikologjinë?

Agalliu: Psikologjia organizative është një degë e specializuar e psikologjisë e fokusuar në “Studimin shkencor të sjelljes njerëzore në organizata dhe vendin e punës”. Fusha është relativisht e re në kontekstin Shqipëtar dhe për këtë arsye po has sfida të mëdha si: në zhvillimin, njohjen dhe praktikën e zbatueshme por edhe nga vetë perceptimi që kemi mbi psikologjinë si profesion dhe nënfushat e saj. Psikologu organizativ konsiderohet psikolog pune dhe është domosdoshmëri, pasi jep kontribut madhor në suksesin e organizatës.

Psika: Çfarë bëjnë psikologët e I / O?

Agalliu: Psikologët organizativë përqëndroheshin kryesisht në efikasitetin e punës. Psikologët e I / O përdorin metoda shkencore për të zbatuar parimet e psikologjisë në një gamë të gjerë fushash, përfshirë administratën, burimet njerëzore, marketingun, menaxhimin dhe trajnimin. Qëllimi i tyre përfundimtar është identifikimi dhe zgjidhja e problemeve që kanë të bëjnë me vendin e punës. Sot psikologët organizativë mund të:

  • Përcaktojnë pengesat për rritjen e kompanisë dhe produktivitetin e punonjësve
  • Hartimin e masave për të shqyrtuar punën dhe kënaqësinë e vendit të punës
  • Të formulojnë programe më efektive të trajnimit
  • Përmirësimin e mjedisit të punës për të promovuar cilësinë e jetës për punonjësit
  • Identifikimin e tipareve kryesore të personalitetit që punojnë më së miri për role të veçanta
  • Ndihmojnë kompanitë të zgjedhin dhe promovojnë kandidatët më të mirë
  • Vlerësojnë efektivitetin e programeve të trajnimit të zbatuara rishtazi ose protokolleve të vendit të punës
  • Hulumtimin e sjelljes konsumatore dhe tendencat e marketingut

Psika: Cila është sfida më e madhe me të cilën po ballafaqoheni tani?

Agalliu: Sfida më e madhe për psikologët e kësaj fushe është gjetja e tregut të punës.
Është një nga fushat, aplikimi i së cilës në treg është shumë i pakët ose aspak i aplikueshëm.
Por vlen për t’u theksuar se në Shqipëri disa kompani private kanë krijuar hapësirat e para të punësimit për disa psikologë I/O. Siç edhe theksova më lartë, është një sfidë aktuale pasi psikologu organizativ ose psikologu i punës siç njihet ndryshe, është shumë pak ose aspak i njohur në Shqipëri dhe për bizneset Shqiptare.
Aktualisht me ngritjen e urdhrit të psikologut, me një punë të shkëlqyer e cila por realizohet ditë pas dite nga presidentja e Urdhrit të Psikologut, Znj. Valbona Treska, shumë shpejt do të kemi një shtrirje të gjerë të Psikologut I/O në tregun e punës.

Psika: Kush ka pasur ndikim më të madh në rrugën tuaj të karrierës?

Agalliu: Kariera për mua është një rrugë e cila për ta përshkuar do të duhet t’i kesh këmbët zbathur për të kuptuar se çfarë kosto ka për të arritur në destinacionin e ëndërruar. Ëndërrat e mia më kanë ndihmuar të vendos objektiva të qarta për arritjen e qëllimeve. Gjithmonë kam besuar se pavarësisht diskutimeve të mëdha mbi faktorin korrupsion në Shqipëri, dituria, këmbëngulja, guximi dhe insistimi të drejtojnë në vendin e duhur. Pa diskutim, një rol shumë të rëndësishëm ka gjithashtu investimi i prindërve të mi, të cilët me shumë durim dhe dashuri kanë bërë të mundur ndërtimin e një sistemi vlerash të cilat i kam brendësuar me shumë besim dhe forcë të madhe shpirtërore. Kam dashur të shpërblej mundin dhe investimin e tyre me çdo kusht, t’i bëja krenarë për çfarë më kanë dhënë në jetë, është më themelorja për mua. Ndaj dëshiroj t’i bëjë të gjithë të rinjtë të reflektojnë dhe të kuptojnë se sakrifica prindërore është gjithçka duhet shpërblyer në jetë. Së dyti dua të theksoj se psikologjia ka qenë ëndërra ime më e madhe, nxitja për të dhënë më të mirën nga vetja në ndihmë të atyre që shpirti dhe mendja i tregojnë nevojat e thella të trajtimit.

Psika: Pse duhet të përmirësojmë inteligjencën emocionale të punonjësve?

Agalliu: Inteligjenca emocionale sipas meje është elementi themelor i suksesit profesional dhe individual. Inteligjenca emocionale është aftësia për të identifikuar, përdorur, kuptuar dhe menaxhuar emocionet pozitivisht në mënyrë që të shmangim stresin, ngarkesat emocionale, për të qenë empatikë me të tjerët dhe për të shmangur konfliktet. Nësë një kompani do të investonte me trajnime të ndryshme për përmirësimin e inteligjencës emocionale të punonjësve, i gjithë ky investim do të përkthehej në më shumë produktivitet dhe më shumë përfitime. Nëse inteligjenca emocionale e një prej punonjësve nuk është e mirë, ju siguroj se ka një ndikim zinxhiror, i cili influencon mbi punonjësit e tjerë dhe direkt në performimin e tyre në punë. Inteligjenca emocionale na ndihmon të krijojmë marrëdhënie të mira me kolegët, të perceptojmë siç duhet dhe të pranojmë detyrat që na ngarkohen, të ndjejmë kënaqësi në raport me kushtet e punës dhe të njohim limitet midis të duhurës dhe gabimit. Për këtë arsye lind edhe nevoja e psikologut I/O, pasi nëpërmjet punës së tij, identifikon nevojat e trajnimit për të bërë të mundur krijimin e ekuilibrave eficient midis marrëdhënies që krijojnë punonjësit me procesin e punës.

Psika: Pse duhet të përpiqemi të përmirësojmë kreativitetin dhe inovacionin e punonjësve dhe menaxherëve ?

Agalliu: Gjithmonë për një kompani është e rëndësishme procesi i trajnimit dhe zhvillimit të punonjësve, pasi puna e tyre ndikon gjithmonë dhe direkt mbi organizatën. Duke ofruar trajnime për procese të reja të punës nxisim inovacionin dhe kreativitetin. Punonjësit rriten profesionalisht dhe krijojnë ide të reja. Inovacioni dhe kreativiteti, gjithashtu janë pjesë edhe e një teknologjie të lartë në organizata. Drejtuesit e tyre duhet të jenë të orjentuar më së miri në tregun e zhvillimit teknologjik në mënyrë që të zëvendësojnë teknologjinë e vjetër me të re dhe të krijojnë kushtet fizike optimale për performimin me sukses të punonjësve. Kjo është një plus mbi organizatën, pasi performimi me sukses i punonjësve përkthehet në të ardhura shtesë në fund të vitit. Kjo do të thotë efikasitet dhe produktivitet.

Biografi e shkurtër
Aurela Agalliu ka përfunduar studimet bazike për Psikologji, për të vazhduar më master shkencor në Psikologji Organizative. Aktualisht punon si psikologe në shkollën fillore “Deutsch- Albanische Schule” në Tiranë dhe njëkohësisht është edhe ligjëruese në fakultetin e Shkencave Sociale, dega Psikologji.

Intervistoi:
Arbnora Sahiti & Fjolla Avdyli