Psika: Si i ndihmoni nxënësit të zbulojnë pasionet e tyre?

Maliqi: Fillimisht, faleminderit për ftesën, vlerësimin dhe respektin, që t’ju përgjigjem pyetjeve të një revistë të vetme, e cila trajton temat psikologjike dhe edukative në vendin tonë me shumë profesionalizëm, e që natyrisht ndihem i privilegjuar të ndaj në pika të shkurtëra përvojën tonë më ju dhe lexuesit, të cilëve i’u dëshiroj lexim të këndshëm!

Nëse mund të fillojmë nga Orientimi në Karrierë, që është një ndër mangësitë që kemi në sistemin e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët (pasi që nuk është obligativ në aspektin e planprogramit apo Kurrikulës së Re), e që në maksimum, kemi mundësi të mbajmë vetëm mësim apo lëndë me zgjedhje, mund të themi se do luante një rol të rëndësishëm fillestar që do i paraprinte zbulimit të afiniteteve të fëmijëve por edhe do të kontribuonte të fuqizonin apo të shndërronin pasionin në profesion të së ardhmes. Ne këtu çalojmë paksa (si sistem në përgjithësi), pasi që mësuesit (lexo: kur shkruajmë mësuesit, nënkuptojmë mësimdhënësit e të gjitha niveleve të shkollës sonë: parafillore, fillore dhe të mesme të ulët) e trajnuar për të dhënë mësim/ ligjëruar një lëndë të tillë apo për t’i orientuar në karrierë, para më shumë se 10 vitesh janë trajnuar ata mësimdhënës që tashmë i përkasin fushës “Jeta dhe Puna”, e po të njëjtit janë shumica të vjetër apo të cilët kanë ligjëruar lëndën e dikurshme BAT (Bazat e Arsimit Teknik) dhe jo lehtë kanë mundur të transformojnë të ligjëruarit në lëndën e re që e kanë tashmë TIK (Teknologjia Informative dhe Komunikimi), e lëre më Orientimi në Karrierë, duke mos përfshirë një pjesë të shkëlqyer të mësimdhënësve të cilët janë të rinj dhe ata të cilët e duan “të mësuarit gjatë gjithë jetës”.

Rrjedhimisht, në vitin 2015 mësimdhënësja jonë ka mbajtë për një vit shkollor këtë lëndë që quhej “Orientimi në Karrierë”, por nuk ka pasur rezultate që vlen t’i theksojmë këtu. Po atë vit, kemi filluar seriozisht planifikimin me psikologen e shkollës, e cila me shumë interesim e ka marrë për obligim që të diskutojë fillimisht me Këshillin e Nxënësve, pastaj nëpër klasa të ndara, me të cilët ka diskutuar dhe i ka matur njohuritë dhe shkathtësitë e tyre konform elaborimeve të mësimdhënësve të tyre dhe në fund i’u ka dhënë rekomandime për t’i avancuar shkathtësitë dhe pasionet e tyre.

Meqë ishte një ndihmë e madhe apo një fillim i mbarë, neve kishim fatin që të kemi për dy (+një) vite, programin e Mësimit Tërëditor, duke qenë të parët në implementim/zbatim të këtij projekti komunal, ku nxënësit kanë qëndruar edhe për tri orë mësimore më gjatë sesa qëndrojnë nxënësit në shkollat tjera dhe kështu ka qenë mëse e mundur të punohet me aktivitete të ndryshme jashtë-mësimore, pastaj me mësimin plotësues dhe shtues (në rastin tonë këtu) për të përforcuar njohuritë, shkathtësitë dhe afinitetet e nxënësve tanë, duke i vënë në pah afinitetet dhe pasionet e tyre dhe krahas pasioneve, mësimdhënësit kanë punuar me metodën e sjellë apo përfituar nga projekti i binjakëzimit me sistemin e shkollimit finlandez, që quhet “Learning by doing” apo në shqip “Të mësuarit duke bërë/ duke u angazhuar”. Rrjedhimisht, shumë lehtë janë evidentuar pasionet e nxënësve dhe krahas tyre i kemi krijuar edhe klubet apo grupet profesionale të (nxënësve) shkollës, me të cilat grupe janë bërë projekte të ndryshme por edhe e kanë përfaqësuar shkollën tonë brenda dhe jashtë vendit (për katër vite funksionim të shkollës sonë, kishim dy nxënës përfaqësues jo vetem të shkollës sonë por edhe të tërë vendit tonë, që fituan projektin “Service Learning” në Sarajevë, në mesin e më shumë se 10 shteteve evropiane, e mos të flasim se sa e kemi përfaqësuar shkollën me projekte të vogla e të mesme, në mënyrë kibernetike edhe fizike në Finlandë dhe Suedi).

Ndërkaq, nxënësit e kanë ndarë pasionin e tyre edhe me nxënësit e tjerë (apo janë duke planifikuar në programet e Këshillit të Nxënësve për t’i ndarë me të tjerët, duke ua demonstruar dhe thjeshtëzuar që të kuptohen më lehtë).
Megjithatë, mendojmë se jo vetëm 80% i mësimdhënësve të cilët punojnë në këtë drejtim duhet të vazhdojnë të inkurajojnë nxënësit e tyre për fuqizimin e talenteve të tyre, por edhe pjesa tjetër duhet të fuqizojë zbehjen në përkushtim, që t’i përkrahin dhe t’i vlerësojnë/ respektojnë afinitetet apo pasionet e fëmijëve.

Psika: Cili është mësimi thelbësor që u jep shkolla nxënësve?

Maliqi:  Mësimi thelbësor që mësuesit (mësimdhënësit në përgjithësi) dhe të gjithë akteret e tjerë të shkollës, i’u japin nxënësve, është/janë:

  1. Edukimi për të  respektuar, ruajtur dhe dashur vendin ku jetojmë dhe veprojmë
  2. Edukimi i qytetarisë demokratike
  3. Të mësuarit për shkathtësi për jetë
  4. Të mësuarit përmes angazhimit (në të gjitha fushat arsimore)
  5. Vullnetarizmi / aktivizmi qytetar

Të gjitha këto, duke involvuar teknologjinë informative dhe të komunikimit në 99% të klasave dhe kabineteve, kontribuojnë për zhvillimin dhe arritjen e kompetencave arsimore, të përcaktuaraa në Planin dhe Programin e Ri të Republikës së Kosovës, për arsimin parauniversitar.

Psika: Si e përshtatni kurrikulën tuaj me teknologjitë që fëmijët tashmë i përdorin?

Maliqi: Kurrikula apo Planprogrami arsimor nacional, mundëson fleksibilitet dhe përshtatje me të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme arsimore, meqë bazohet në kompetenca që përmes arritjes së rezultateve zotërohen edhe kompetencat.

Rrjedhimisht, nëse e keni vënë në fokus teknologjinë (dhe me të drejtë), ne kemi të involvuar nëpër secilën klasë Teknologji, duke përfshirë 3 TV me ekran të madh (siguruar nga prindërit), 2 TV (të siguruar nga Komuna e Prishtinës), 8 TV (të siguruar nga Qendra për Arsim e Kosovës), 3 Smart Board (të siguruar nga MASHT), 1 video projector (i siguruar nga DKA), 3 video projektore (të siguruar nga MASHT), 5 videoprojektor (të siguruar nga prindërit), 2 llaptope (të siguruar nga MASHT) dhe rreth 60 PC Kompjuterë (të siguruar nga MASHT).

Kështu siç mund ta vëreni, në të gjitha klasat dhe kabinetet kemi të instaluar mjetet e teknologjisë informative e të cilat shfrytëzohen për mësimdhënie, duke përfshirë edhe internetin e shpërndarë në të gjitha hapësirat shkollore (këtë e kemi bërë të mundur me vetiniciativë dhe vet kontribut).

Ndërkaq, jemi përfitues të dy platformave për herë të parë në Kosovë, njëra e cila shfrytëzohet tash e tri vite e që quhet “School me” apo në shqip: “Më mëso mua”, në të cilën janë të involvuara mbi 90% të njësive mësimore që i kërkon (Kurrikula) Planprogrami i Ri dhe tjetra është për komunikim të të gjithë aktereve brenda shkollës dhe jashtë (prindërit), që quhet “Schooler”, platformë kjo, që është tashmë risi në vendin tonë dhe që ngërthen në vete, softwaret e ngjashëm të: E-mail, facebook dhe viber. Rrjedhimisht, përveç këtyre që i cekëm, 64% të (mësimdhënësve) tanë përgatisin edhe njësi mësimore (të cilat nuk i kemi në platformë) edhe në “power point” për t’ua prezantuar në mënyrë sa më të mirë tërësitë apo njësitë mësimore nxënësve të tyre. Ndërsa, përveç në shkollë, secili nxënës ka llogarinë e tyre në platformën “Më mëso mua” dhe janë të obliguar të mësojnë në të edhe në shtëpitë e tyre, pastaj të përgatisin projekte duke hulumtuar edhe jashtë platformës, e të njëjtat t’i prezantojnë në shkollë.
Prezantimet hyjnë në vlerësimin formativ dhe në zhvillimin e shkathtësive të komunikimit/ prezantimit të njohurive të tyre.

“Nxënësit me dhunti, përkufizohen si persona që japin prova për rezultate të larta, për aftësitë intelektuale, kreative, artistike, drejtuese apo në fusha të veçanta akademike dhe që kanë nevojë për shërbime apo aktivitete që nuk ofrohen në programet e rregullta shkollore, në mënyrë qe t’i zhvillojnë në maksimumin e tyre, këto aftësi.” – Woolfolk, A (2011).

Psika: Sipas juve, si duket një person i arsimuar sot?

Maliqi: Nëse do të ishte pyetja: Si do duhej të ishte një person i arsimuar sot?, ndoshta do të ishte më e lehtë për t’u përgjigjur.

Ndërkaq, mund të elaborojmë pak a shumë më aq sa mundemi, kështu:

  1. një person i arsimuar do duhej të këtë aftësinë e të menduarit në mënyrë të qartë dhe të pavarur;
  2. Një person i cili ka qasje konstruktive dhe nuk paragjykon e aq më pak të ketë paranoja, por të analizojë veprat dhe fjalët e personave me të cilët bashkëvepron;
  3. Një person i cili flet thjeshtë, rrjedhshëm dhe me modesti;
  4. Një person që është i gatshëm të jap kontributin e tij për të mirën e vendit, krahas profesionit të tij;
  5. Një person i cili shpërndanë përvojat e tij edhe me të tjerët për të ndikuar sado pak në zhvillimin e shoqërisë;
  6. Një person i cili është i gatshëm për vullnetarizëm dhe për aktivizëm qytetar;
  7. Një person i cili pranon gabimet e tij;
  8. Një person i cili di të kërkoj falje dhe të jetë falenderues;
  9. Një person i cili i’u largohet konflikteve apo mundohet të jetë ndikues për zgjidhje të konflikteve në mënyrë paqësore;
  10. Një person i arsimuar e di se si të krijojë raport ndërnjerëzor me të tjerët; etj.

Psika: Çfarë ndihme kanë ata nxënës, që nuk kanë privilegjin të kenë qasje të barabartë në arsimim dhe mundësi cilësore?

Maliqi: Majkëll Resnik ka thënë: “Të rinjtë (fëmijët) janë burime për t’u shfrytëzuar, e jo problem për t’u zgjidhur”.

Kështu, ne (bashkë me mësuesit) i’u japim të gjithë nxënësve privilegjin për të qenë të barabartë, natyrisht përmes qasjes sonë në mënyrë proporcionale për t’iu dhënë mundësi cilësore që të shprehin apo t’i vënë në pah të gjitha njohuritë apo nevojat e tyre. 

Për këtë, rëndësi të veçantë ka rregullimi i mjedisit mësimor, duke i rreguluar klasat/ bankat në mënyra apo trajta të ndryshme, por duke mos penguar lëvizjen e nxënësve brenda klasëve edhe nëse numri është i madh apo në maksimumin e lejuar (këtu duhet pasur parasysh standardin që për një nxënës duhet të rezervohet 1.5 deri 2 m2). Në raste të bashkërenditjes së bankave në klasë në atë mënyrë që të gjithë të jenë ballë përballë, apo afër njëri tjetrit, apo në grupe, apo në çifte, etj…pastaj ndërrimi i vendeve në klase çdo muaj, vërtetë mundëson të bashkëpunojnë secili me secilin por edhe të kenë pozitat e rezervuara nga secila pozitë e klasës në mënyrë të barabartë për të gjithë. Kështu në këto raste, fillimisht i kushtohet rëndësi klimës dhe kulturës në klasë pastaj qasja obligative e mësimdhënësve për secilin nxënës, duke parë arritjet e rezultateve për secilin veç e veç në fund të orës mësimore apo ditës dhe në rast të ngecjeve (tek ne organizohet mësimi në vetëm një ndërrim apo turn dhe kemi hapësira të zhvillohen mësimet pasmësimore deri në orën 16), mësuesit mbajnë mësim plotësues dhe punë individuale për secilin nxënës.

Pastaj, hapësirat jashtë klasës gjithsesi duhet të jenë të përshtatshme për secilin nxënës – frekuentues gjatë ditës. Rrjedhimisht, përmes investimeve komunale, pastaj të prindërve të nxënësve tanë dhe donatorëve të ndryshëm, ne kemi krijuar mbi pesë kënde të ndryshme leximi në shkollë, pastaj këndet kreative, pastaj kantina e shkollës, pastaj nëpër të gjithë korridoret e shkollës kanë hapësira për shfrytëzim. Nëse flasim për një numër të madh nxënësish në shkollë, shtrohet pyetja: Si mund të kenë çasje në të gjitha këto hapësira pa interferuar nxënësi me nxënësin?, por ne e kemi menduar edhe këtë, duke planifikuar kështu, fillimisht një orar të fillimit të procesit mësimor ndaras në katër nivele (psh: niveli i mesëm i ulët fillon mësimin në 8:05, kati i parë i nivelit fillor, në orën 8:40, kati i dytë i nivelit fillor, nga ora 8:50, pastaj parafilloret nga ora 9:00) pastaj njësoj pushimet e gjata janë katër sosh dhe nuk i’u bie të interferojnë të gjithë nxënësit në të njëjtën kohë dhe kështu kanë mundësi dhe hapësira të përshtatshme për t’i shfrytëzuar individualisht sido që të kenë dëshirë.

Për fund, ndihma e psikologes së shkollës ka ndikimin kryesor, në rast të evidentimit të ndonjë nxënësi që nuk ndihet i barabartë me të tjerët, duke përfshirë nxënësit të cilët nuk kanë aftësi të kufizuara por edhe ata me aftësi të kufizuara apo edhe me nevoja të veçanta fizike, e cila përkrahë dhe trajton secilin prej këtyre nxënësve në bashkëpunim me mësueset. Rol të rëndësishëm luajnë planet individuale të arsimit të cilat hartohen nga psikologia, prindërit e fëmijës, vet nxënësi dhe grupi apo ekipi komunal i gjithëpërfshirjes, të cilët hartojnë një plan të detajuar që ndihmon dhe mbështetë nxënësit të cilët nuk janë apo nuk ndihen të barabartë me të tjerët. Rrjedhimisht, zbatimi i këtyre planeve nga mësueset kryesore dhe asistentet personale të fëmijëve me nevoja dhe specifika të veçanta, është duke u kryer me shume kujdes dhe profesionalizëm dhe në diskutime dhe matje të zhvillimit të shkathtësive të tyre, vërejmë që ka përmirësime dhe përparime të theksuara tek këta fëmijë.

Vlen të theksohet tek ky paragraf, se edhe për fëmijët e talentuar e të cilëve mund t’ju bëhet monoton rutina e procesit të rregullt mësimor, pasi që kanë njohuri edhe më të mëdha, edhe për ta planifikohet në mënyrë të veçantë (psh. kemi një nxënës që nga klasa e tretë ushtron me nxënës të klasëve të teta apo të nënta në kuadër të lëndës së gjeografisë).

Psika: Si e vlerësoni mësimin joformal dhe të vetëdrejtuar që ndodh jashtë shkollës (kurset)?

Maliqi: Për t’i ikur këtij lloji të mësimit joformal ne kishim programin e mësimit gjithëditor (me gjithë të metat dhe përparësitë që kishte), duke i’u mundësuar të gjithë nxënësve pa dallim, të zhvillohen në ato lëndë ku mendojnë se kanë ngecje dhe duhet përmirësim, e që të mos shpenzojnë buxhetin familjar.
Kështu, edhe tani një rol të tillë e kryejnë edhe programet e tanishme tona të cilat janë planifikuar me një kujdes dhe përkushtim profesional, në të cilat po të marrin pjesë nxënësit do t’ua mundësonte një arritje më të madhe të rezultateve të të nxënit dhe nuk do kishin kërkesa familjare për të vijuar pasditeve apo fundjavave kurse të ndryshme private.

Megjithëkëtë,  nëse flasim në të përgjithshmen, kurset profesionale (të cilat janë të licencuara) pas moshës 11 vjeçare mund të jenë efektive, në aspektin e të nxënit në mënyra të ndryshme dhe jo vetëm në ato të cilat i’u servohen në shkolle, ndryshimi i ambientit, duke i’u mundësuar që për të paktën dy orë të mos shfrytëzojnë teknologjinë informative, pastaj për të paktën dy orë të mos qëndrojnë me shoqëri e cila kryesisht është adoleshente/ në moshë puberteti dhe ka mundësi devijimi apo çrregullime në sjellje, etj.. por jo që siguron 100% arritje të rezultateve të cilat përcaktohen në planprogram nacional apo të ndonjë misioni që vet prindërit i kanë vënë fëmijës së tyre për ta arritur dhe kësisoji konsideroj që nëse prindërit janë të përkushtuar të bashkëpunojnë me mësuesit në shkollë, nëse nxënësit janë të vëmendshëm në proces mësimor dhe jashtë tij për të nxënë, nëse mësimdhënësit do t’i kishim të gjithë të shkëlqyer (e që do mbanin siç mbajnë në shkollën tonë mësimin plotësues dhe shtues), nuk do kishte nevojë fare të shkonin në asnjë kurs apo arsim joformal paralel me atë të procesit të rregullt arsimor në një shkollë publike, sidomos në shkollën tonë ku i posedojmë të gjitha kushtet e mundshme për proces të rregullt arsimor, me të gjitha standardet e trendit bashkëkohor të nivelit të lartë.

Psika: Çfarë ndikimi do të kishte shkurtimi i buxhetit në cilësinë e arsimit?

Maliqi: Fillimisht, ne nuk jemi të decentralizuar dhe nuk kemi qasje direkte në buxhet të shkollës dhe nuk menaxhojmë me buxhetin (ne i bëjmë kërkesat tona në Komunën e Prishtinës dhe ato sillen mbi 90% në kohën e duhur dhe shërbimet janë të plotësuara sipas prioriteteve sepse nuk jemi vetëm një shkollë në një komunë, pastaj kemi mundësi të shfrytëzojmë për të blerë elemente apo gjësende që janë emergjente e pa të cilat nuk bën deri në 99.99 euro vlerë monetare në muaj, por prap vetëm marrim faturën e rregullt dhe dërgohet për t’u paguar nga financierët e DKA-së), por nëse Grupi Parlamentar për Arsim e Shkencë, pastaj Qeveria e Kosovës bën planifikim me shkurtime buxhetore, duke konsideruar që akoma nuk është ministri prioritare qeverisjes apo nuk ka buxhetin më të lartë të dedikuar për arsim dhe presim në vitin e ardhshëm të shtohet buxheti për arsim për përmirësimin e gjendjes së sistemit arsimor, e kështu indirekt do të ndikonte në ngritjen dhe sigurimin e cilësisë në arsim, sepse gjendja në sistemin arsimor në vend,  lë shumë për të dëshiruar, e lëre më t’i përgjigjem pyetjes suaj se çfarë do ndodhte po të shkurtohej buxheti edhe më shumë (vlen të theksohet se ka shkollë në Skandinavi apo Singapor apo Kanada, që buxhetin e ka sa është i ndarë i gjithë buxheti për tërë arsimin në vendin tonë).

Psika: Çfarë këshille do t’i jepni një mësuesi të ri, në vitin e tij të parë?

Maliqi: Nga viti 2014 kur edhe ka filluar (është hapur) së funksionuari shkolla jonë, kemi pritur dhe përcjellë (për në shkolla tjera) një mori mësimdhënësish.

Mësimdhënësit që kanë qenë në fillim, kanë qenë pas një ndarje jo profesionale nga shkollat prej nga kanë ardhur për të mbuluar shkollën tonë për nxënësit tanë (psh: për një normë të plotë për një arsimtar e dijmë që duhet të jenë 20 orë mësimore direkte me nxënës në javë dhe nëse për 38 orë mësimore sa duheshin në shkollën tonë kishim 4 mësimdhënës (që do duhej të kishim 80 orë mësimore për ta) dhe në bashkëpunim të ngushtë me DKA-në e Komunës së Prishtinës kemi risitemuar mësuesit në shkollat nga kanë ardhur për të lënë mësuesit që mbulojnë orët e duhura për nxënësit tanë. Ndërsa, kishte edhe katër mësimdhënës të tjerë të cilët nuk e kanë gjetur veten të punojnë me teknologji informative apo nuk kanë dashur të kenë në dy apo tri shkolla orë mësimore, janë sistemuar në një shkollë të vetme dhe janë transferuar ata mësimdhënës duke kaluar me normë të ploteë në një shkollë tjetër, meqë ne kemi nga vetëm dy klasë për secilën gjeneratë dhe është e pamundur të mbulohen orët për secilin mësimdhënës/ që të ketë një normë të plotë vetëm në shkollën tonë, edhe pse deri diku i’a kemi dalë mbanë dhe janë të gjithë tashmë me normë të plotë pune.

Ndërkaq, për mësuesit e rinj, fillimisht i presim se çfarë apo kush na vjen, nga përcaktimi i një komisioni profesional i përcaktuar nga Komuna e Prishtinës, të cilët fillimisht kanë kryer një fakultet të akredituar në Kosovë, pastaj të cilët e kanë bindur komisionin se janë adekuat për pozitën e caktuar.

Më pas, i ftojmë për t’ua dhënë instruksionet e para të sistemit të rregulluar në shkollën tonë (ata të cilët kanë durim të dëgjojnë dhe të jenë konstruktivë kjo i’u ndihmon që të adaptohen më lehtë, por kemi pasur një rast ku as ne as psikologia e shkollës, nuk kemi mundur ta bindim se duhet qasje konstruktive dhe duhet të diskutohet për sistemin brenda shkollës, e që ndryshon me shkollat e fshatrave apo të vendeve të tjera), për t’ua dhënë orarin e punës mësimore, t’ua tregojmë klasat dhe kabinetin e saj/ tij, t’ua tregojmë hyrje-daljet e shkollës, se ku dhe si mbahet kujdestaria e ditës, ku merren informacionet ditore dhe ku ato mujore, që shpërndahen nga Masht, DKA, shkollë, pastaj duhet takuar me departamentin (aktivin) profesional të fushës së saj/tij përkatëse, njoftimi me vendin dhe orarin e takimeve individuale me prindër, njoftimi me ambientin e kuzhinës së shkollës (që një kafe apo çaj e kanë gratis çdo ditë) pastaj takimi me zyrtaren administrative për t’i dhënë dokumentet e nevojshme për t’u futur në listën e pagave, natyrisht  takim me nxënës për ta njoftuar/ prezantuar me ta dhe në mbledhjen e parë me prindër duhet njoftuar secilin mësimdhënës me ta.

Mentorimi dhe ndihma profesionale përgjatë vitit të parë me mësimdhënës të rinj (dhe viteve të tjera natyrisht në mënyrë të vazhdueshme), përmes takimeve individuale, diskutimeve zhvillimore, vetvlerësimi, vlerësimi dhe analiza e orëve mësimore, analiza/ planifikimi dhe rishikimi i planeve kurrikulare dhe ekstra-kurrikulare janë ndihma të nevojshme dhe të pashmangshme për një sukses të mësuesve të rinj.

Ndërkaq, si përfundim, këshilla kryesore për mësimdhënësit e rinj janë tri fjalë: “Bashkëpuno, bashkëpuno, bashkëpuno!”, sepse këto me qasje konstruktive dhe mendime pozitive e pa paragjykime e paranoja, janë çelës i suksesit me: nxënësit, kolegët (dhe administratën) dhe prindërit.

Psika: Si e organizoni ndërtimin e marrëdhënieve të mira me stafin dhe prindërit?

Maliqi: Fillimisht, kemi bazën ligjore të krijimit të “urave” të bashkëpunimit me prindër dhe staf në përgjithësi dhe të cilën duhet respektuar në vazhdimësi, por me qëllim të fuqizimit apo ndërtimit profesional të raporteve/ marrëdhënieve kemi bërë disa plane dhe vendime të përbashkëta me Këshillin Drejtues, Këshillin e Prindërve, Këshillin e Nxënësve dhe Këshillin e Mësuesve të Shkollës.

Kështu në pika të shkurtëra mund edhe t’i paraqesim para jush.

Me Këshillin Drejtues të Shkollës, kemi themeluar Parlamentin e Shkollës që ngërthen në vete të gjitha këshillat tjera të shkolles në një vend për të diskutuar në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend, pasi që në çdo shkollë kudo qoftë, këshillat e lartcekura dhe nënkëshilla të tjera, çdo herë mbajnë mbledhjet dhe diskutojnë veç e veç, por kështu ne, me Parlamentin e Shkollës, mundësojmë që të gjithë të takohen bashkarisht dhe përmes promovimit të qytetarisë demokratike, shprehin pëlqimet, pajtimet, mospajtimet, shenjat e mirënjohjes, vërejtjet, këshillat, e shumëçka tjetër, nga njëri në tjetrin grup parlamentar (e që KDSH është qeveria e cila merr informata direkt nga këto këshilla apo grupe parlamentare dhe diskuton më tej për gjendjen e paraqitur pas një mbledhjeje/ seance të tillë), por edhe mundësia që të gjithë këta njerëz (që herën e fundit ka shkuar  afro 200 persona pjesëmarrës: rreth 90 nxënës, rreth 55 prindër, mbi 27 mësues dhe 8 nga KDSH) të kenë ndikim në hartimin e Planit Zhvillimor të Shkollës dhe në Vlerësimin e Performancës së Brendshme të Shkollës, përmes përshkrimit dhe analizën profesionale “SËOT”, e shumë të mira që dalin nga ky organ relativisht i lartë i shkollës.

Pastaj, me mësimdhënës janë marrë disa vendime të përbashkëta përgjatë këtyre katër viteve e më shumë, të cilat vendime kanë rregulluar edhe më shumë kushtet e tyre, por në ndërtimin e raporteve ndërnjerëzore dhe profesionale apo ndërkolegiale ndikojmë, me takime të përbashkëta, të rregullta individuale, pastaj në takime me departamente (aktive) profesionale, pastaj në mbledhjet e përgjithshme me Këshillat e Klasave apo Këshillin e Mësuesve, duke diskutuar në mënyrë tejet konstruktive dhe demokratike për të mirën e shkollës dhe nxënësve të shkollës sonë, por çelesi i suksesit është evidentuar që është, të komunikuarit efektiv dhe konstruktiv edhe nëse nuk korrespondojnë idetë apo lidhjet ‘bio-kimike” në mes njëri-tjetrit. Bashkëpunimi për hartimin e planeve, bashkëpunimi për përmirësimin e gjendjes e një nxënësi, bashkëpunimi me prindërit për zhvillimin apo përmirësimin e gjendjes së nxënësit, bashkëpunimi me drejtorinë e shkollës për të planifikuar, vlerësuar, qasje me prindër dhe kolegë, qasje me nxënës, ngritje dhe zhvillim profesional, etj… ndikojnë në përmirësimin dhe fuqizimin e raporteve apo marrëdhënieve ndeënjerëzore e të cilat pashmangshmërisht janë të nevojshme.

Për të ndikuar dhe për të lidhur raportet, në çdo gjysmëvjetor e nganjëherë një herë në vit, mbajmë trajnime me bazë në shkollë, që përveç komunikimit të shpejtë në baza ditore, trajnimet janë më të gjata dhe kanë mundësi të njihen me njëri-tjetrin edhe më shumë në aspektin njerëzor por me synim të njohjes profesionale reciproke (këtu edhe pse janë të obliguar të marrin pjesë të gjithë mësimdhënësit, ka deri në 4 persona që nuk e konsiderojnë të nevojshme, ndoshta për shkak të profesionalizmit të jashtëzakonshëm të tyre, ndoshta për shkak të vetëbesimit të tepruar që janë profesioniste dhe nuk i’u duhet zhvillimi profesional e aq më pak duke bashkëpunuar me kolegët, me të cilët shumë më lehtë mund të bëjnë edhe ndërlidhjen ndërlëndore duke mundësuar një zbatim efektiv të Kurrikulës së Re – për shembull), por natyrisht edhe ndejat e përbashkëta rekreative kolegiale, si për nder të festave ashtu edhe pa asnjë rast të theksuar, që ndikon shumë në “largimin” e stresit që shkakton ky profesion shumë delikat.

Psika: A diskutojnë grupet e mësuesve për të plotësuar nevojat e ndryshme të nxënësve në orët e tyre? Si siguroheni ju që kjo të ndodhë?

Maliqi: Edhe pse në pika të shkurtëra mund ta hasni si përgjigje edhe në pyetjet e lartcekura, mund të themi se grupet apo këshillat e klasave, kanë obligim kryesor për të diskutuar se si duhet plotësuar kërkesat apo nevojat specifike të nxëëesve, ku mësimdhënësit paraqesin emrat e nxënësve dhe paraqesin nevojat, mangësitë apo përparësitë e nxënësve dhe secili me ide të ndryshme mundohet të japë kontributin e saj/ tij, e në të njëjtën mbledhje apo në të njëjtin takim merr pjesë edhe administrata e shkollës që evidenton do detaj që diskutohet aty, për të përcjellë gjendjen më tutje, ku për disa raste vendimet merren në mbledhje me pëlqimin e të gjithë mësuesve për qasje apo trajtim të veçantë të ndonjë nevojë të ndonjë nxënësi.

Kështu, ne kemi një praktikë që nga niveli në nivel (nga klasa përgatitore apo zero, për në klasën e parë përgatiten raporte të veçanta për secilin fëmijë që mësuesja e klasës së parë të ketë një pasqyrë të detajuar për secilin fëmijë në aspektin psiko-social, por edhe detajet që vijnë nga informatat që marrin mësueset nga prindërit e tyre dhe kështu mësueset e klasave të para e kanë më të lehtë t’ju qasen fëmijëve duke lexuar paraprakisht për secilin fëmijë/ nxënës, por edhe se si t’ju qasen secilit prind në bazë të specifikave të theksuara në raportin e marrë apo pranuar nga mësuesja e klasave përgatitore.
Kështu ndodhë edhe me mësuesen pasi ta përfundojnë nxënësit e saj, klasën e pestë, për t’i njoftuar sa më mirë arsimtarët apo mësuesit e nivelit të mesëm të ulët, me një raport elektronik dhe kopje të fortë fizike, për secilin nxënës veç e veç, që të kenë kujdes në qasje dhe të kenë kujdes në planifikim individual për secilin nxënës, pasi që në raport shkruan se si nxënësi “X” mund t’i nxë njësitë mësimore me lehtësi), ku bëjmë raportet dhe dorëzohen ato nga niveli në tjetrin nivel brenda shkollës, që ndihmon në plotësimin e nevojave specifike të nxënësve.

Ndërsa, për të përcjellë trendin e përmiresimit të mbështetjes së këtyre fëmijëve, drejtoria përcjellë raportet e mësimdhënësve, procesverbalet e mbledhjeve me prindër, shqyrton kërkesat dhe ankesat e prindërve që dorëzohen shumë shpesh në drejtori por edhe në Parlamentin e Shkollës, çdo detaj që nuk është realiuar apo secili nxënës që nuk ka pasur mbështetjen apo përkrahjen e duhur në bazë të nevojave të tij, ai apo ajo i paraqet në seancë dhe i diskutojmë. Kështu, secili mësimdhënës e di që duhet të jetë i përgjegjshëm dhe llogaridhënës para grupeve të ndryshme parlamentare, e më pas nëse është e nevojshme, të japë llogari edhe në drejtorinë e shkollës.

Fokusi profesional i diskutimit gjithnjë ka kahje, siç thotë dr. Laura Parker – drejtoreshë e vlerësimeve dhe menaxhimit të performanëes e Departamentin e Edukimit në SHBA:  “Ne nuk filluam/vazhduam me sistemin e gjetur arsimor, por menduam se duhej të zevëndësonim ose të adresonim gjithçka në të. Në vend të kësaj, filluam me propozime të thjeshta dhe  morëm vendime të bazuara vetëm në prioritetet tona. E nëse opsioni nuk i plotësonte prioritetet, atëherë nuk përfshihej,…”.

Megjithatë, gjer tani konsiderojmë që kemi një gjendje të mirë dhe kërkesa të sistemuara mjaft mirë e gjithashtu edhe nevojat e nxënësve, e kjo natyrisht ndodhë duke prioritizuar ato dhe me shumicën e mësimdhënësve që i kemi me performancë të shkëlqyer, me psikologen e shkëlqyer dhe me administratën e shkollës, mundohemi dhe i’a kemi dalë që të plotësojmë çdo nevojë dhe kërkesë të mundshme, jo vetëm të nxënësve por edhe të prindërve e komunitetit./PSIKA

Biografi e shkurtër:

Liridon Maliqi, punon në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët ‘’Qamil Batalli’’ (ish-Shkolla MODEL) në Prishtinë, që nga themelimi i kësaj shkolle, në cilësinë/pozitën: drejtor.
Studimet themelore i kreu në Fakultetin e Edukimit pranë Universitetit të Prishtinës, ndërkaq, studimet post-diplomike i përfundoi në drejtimin e Udhëheqjes Arsimore pranë të njëjtit fakultet.
Ai është trajner i katër programeve të akredituara trajnimi, në fushën e arsimit. Gjithashtu, mori pjesë në disa konferenca vendore dhe në punëtori të ndryshme, për hartimin e disa Udhëzimeve Administrative, Planit Strategjik të Arsimit Paraunveristar dhe planeve zhvillimore komunale.

Intervistoi: Fjolla Avdyli, Bordi Editorial i Revistës Psika.