PSIKA është kureshtare, PSIKA pyet dhe merr përgjigje nga profesionistë emë pas i ndan me lexuesit e saj. Kësaj rradhe PSIKA interesohet përNeuroshkencën dhe parashtron pyetje edhe për religjionin dhe shkencën, e këtopërgjigje i merr nga një perspektivë krejt tjetër nga ajo se çfarë rëndomshohim e dëgjojmë. Neuroshkenca, drejtim ky mjaft interesant i cili po itërheq dhe po i afron njerëzit çdo ditë e më shumë. Çfarë funksioni ka kjopjesë e trurit e çfarë tjetra? Çfarë ndodh me trurin kur ne bëjmë një veprim tëcaktuar e çfarë një tjetër? Na shpjegon më gjerësisht Drsc. Ilir Mazreku. Porjo vetëm, Profesori njëherit shpalos mendimet e tij edhe rreth debateve tëshumta në lidhje me shkencën dhe religjionin. E se cila është më e rëndësishmese tjetra e kuptojmë në intervisten në vazhdim të dhënë nga vetë ai.

PSIKA: Si e koordinojnë aktivitetin e tyre pjesët e trurit kur ne marrim një vendim?

Mazreku: Truri si organi më magjepsës që njeh njeriu (truri), përmban afërsisht 86 miliard neurone prej të cilave afërsisht 1/3 ndërtojnë pjesën kryesore të tij- Neokorteksin. Çdo informatë e cila vjen nga shqisat dhe nga kujtesa jonë përceptohet. Përpos pjesës semantike, kohore dhe hapësinore të informatës si ndër më të rëndësishmet është edhe pjesa e cila është vlerësimi që ka bërë truri ynë për rëndësinë e informatës për ne. Ky vlerësim në psikologji njihet si emocion. Pra, kur ne marrim një vendim, realisht informatat e ndryshme “bëjnë duel emocional” dhe më e “forta” fiton gjithmonë.

PSIKA: Çka i shkakton iluzionet optike?

Mazreku: Ne kemi një fushëpamje mjaft të gjerë në aspektin gjeometrik, nëpërmjet shqisës së të pamurit. Një sasi shumë e vogël (rreth 1%) e pamjes arrin të përceptohet nga truri ynë dhe varësisht nga lloji dhe rëndësia e informatës ajo do ruhet në kujtesën tonë. Kur ne rithirrim këtë informatë vetëdijshëm apo jo, ajo nuk vjen si e plotë, por ne nuk e vërejmë sepse truri ynë plotëson hapësirat boshe. Dëmtimet në qarqet e neuroneve që janë përgjegjëse për rithirrjen e informatave pamore dhe miksimin e tyre me pamjet nga shqisat tona (syri), shkakton iluzionet pamore. Ndërsa si pasojë e tentimeve që truri ynë t’i jep kuptim pamjeve nga syri, apo të plotësojë hapësirat boshe, ai mund edhe të gabojë dhe kështu ne njihemi me iluzionet pamore.

PSIKA: Çka do të thotë, “ngrirje e trurit”?

Mazreku: Ngrirja e trurit realisht është një gjendje kur njeriu mbështet një ushqim apo pije të ftohtë në qiellzën e tij për një kohë më shumë se 5 sekonda. Kjo ndjesi dhimbje vjen si pasojë e asaj që fundesat nervore të nervit palatin në qiellzën e gojës dërgojnë sinjale të forta në tru dhe për një kohë deri në 5 minuta ne do ndjejmë një dhimbje / therje e cila na duket se na vie nga truri.

PSIKA: Si funksionon truri kur studiojmë për një provim?

Mazreku: Provimet janë ngjarje që mund të jenë mjaft stresuese dhe ku zakonisht truri ka nevojë të memorizojë një sasi mjaft të gjerë të informatave tekstuale, numerike, pamore apo funksionale. Kujtesa si bazë, ka një proces të komunikimit të neuroneve që quhet LTP (Long Term Potentiation- Potencimi/përforcimi afatgjatë). Në bazë, ky proces funksionon sikurse gjendja jonë fizike – kondicioni, pra sa më shumë ushtrojmë aq më të lehta na duken ushtrimet. Prandaj dhe kujtesa si funksion i trurit do të ketë një performancë më të mirë nëse ne kemi bërë përsëritje më të shumta.

PSIKA: A është i nevojshëm gjumi për konsolidimin e kujtesës?

Mazreku: Gjumi është një proces mjaft i rëndësishëm, sidomos për kujtesën. Gjatë gjendjes së gjumit, sidomos fazave të gjumit të thellë kemi një aktivitet të lartë nervor, sidomos në zonat përgjegjëse për memorizim – hipokampus. Kjo pjesë e trurit – hipokampusi, shërben si një organizues dhe përforcues i kujtesës për ngjarjet ditore. Gjatë këtij procesi informatat thirren nga hipokampusi nga zonat ku ato janë ruajtur ( në zona të ndryshme të korteksit ndodh perceptimi i formave të ndryshme të stimujve) dhe ndërlidhen me informatat e mëhershme. Kur këto informata janë pamore ato aktivizojnë zonat për të pamur. Kjo lloj rithirrjeje e informatave nga kujtesa dhe informatave të ditës do jenë “brumi” i asaj që ne quajmë ëndrra.

PSIKA: Çfarë po bën shoqëria tani, që pas 20 vjetëve do të tallen njerëzit me ta?

Mazreku: Do e fitoja çmimin nobel po ta dija këtë përgjigje. Gjithmonë shoqëria ndahet sipas shpërndarjes së Gausit, në ata që kontribuojnë me dije dhe vepra për shoqëri, ata që jetojnë dhe kryejnë funksione në të mirë të shoqërisë momentalisht dhe grupi i atyre që veq punojnë në dëm të një shoqërie. Për fat të mirë dhe të keq, grupi i parë dhe i fundit janë në përqindje mjaft të ulëta.

PSIKA: Cila do të ishte mënyra më e mirë për të krijuar një publik më të informuar shkencërisht?

Mazreku: Shkenca është aktiviteti njerëzor më i konfirmuar deri më tani. Imagjinoni një ditë tuajën nga mëngjesi deri në mbrëmje. Shtrati ku ju flini është i ndërtuar nga materiale dhe teknika të zbuluara nga shkencëtarë, rrobat që ju vishni janë të bëra nga teknika, makineri dhe materiale për të cilat kanë punuar një armatë shkenctarësh në laboratoret e tyre. Vetë materialet e banesës apo shtëpisë suaj janë zbuluar falë hulumtimit të shkencës. Pasta e dhëmbëve, ushqimi që ju hani, ambalazhi i tij, çezma dhe sistemi i ujit, shamponi që ju përdorni për pastrim, etj etj. Çdo artikull që ju sot e merrni si të mirëqenë është krijuar falë një armate gjeneratash të njerëzve që kanë punuar në mënyrë shkencore. Kjo armatë është pra ai grupi i parë që e ceka më lartë dhe është pjesë mjaft e vogël e popullatës. Përqindja më e madhe janë konsumuesit, ata që nuk e kanë idenë se sa dije, mund e prova janë dashur, deri në zbulimin e njërit prej elementeve të një artikulli të përditshëm. Pra, për shumicën, shkenca edhe mund të duket e zëvendësueshme apo e panevojshme, por jo edhe dijet që janë mbledhur deri më tani falë metodës dhe aktivitetit shkencor.

PSIKA: A mendoni se shkenca mund ta zëvendësojë ndonjëherë fenë?

Mazreku: Mendoj se dyjat janë aktivitete që për njerëzimin kanë kontribuar shumë, secila në mënyrën e vet dhe në kahje shpesh të kundërta. Kemi raste kur njerëz shkurtpamës dhe me probleme psikike i kanë shkaktuar dëme të mëdha njerëzimit duke shfrytëzuar dijet shkencore për të përmbushur idealet e tyre. Megjithatë primarisht, puna e shkencëtarit është përparimi i dijes njerëzore dhe përmirësimi i mirëqenies së njeriut dhe do duhej të ishte dhe gjallesave tjera. Në anën tjetër kemi fenë, e cila gjithashtu ka kontribuar në zhvillimin moral dhe praktik të njerëzimit. Si aktivitete njerëzore të veçanta mendoj se kanë dallim vetëm se njëra ka të bëjë me besimin dhe emocionet, ndërsa tjera me njohjen dhe dijen. Megjithatë sa për krahasim kemi Mesjetën, periudhën më të errët të njerëzimit…….. E di që deri më sot, nuk kam dëgjuar se janë nisur luftëra për shkak të shkencës, por vetëm janë shfrytëzuar dijet e shkencës që të përmbushin ideale apo thirrje tjera njerëzore. Në momentin që tentojmë të krahasojmë dy entitete të tilla, ne i vendosim në kundërshtim me njëra tjetrën, gjë e cila do shkaktojë një stagnim të zhvillimit të të dyjave.

PSIKA: Si munden perspektivat evolucionare të ndërhyjnë në dialogun shkencor dhe fetar?

Mazreku: Mendoj se nuk ekziston perspektivë evolucionare dhe as dialog i tillë; mund të ekzistojnë monologje. Ekziston “Teoria e evolucionit të botës së gjallë”, si një nga zbulimet më të mëdha të njerëzimit e ndërtuar nga ligje natyrore të cilat mundësojnë shpjegimin dhe parashikimin e proceseve jetësore tek gjallesat e planetit tonë. Numri i gjallesave mendohet së është mbi 15 milion lloje sipas matjeve të fundit dhe një histori prej 3.7 miliard vitesh e evolucionit të jetës. Shpesh lexoj ose dëgjoj një pyetje injorante, “se pse nuk e shohim evolucionin sot?” Do i parashtroja një kërkesë po ashtu injorante pyetësit; të numëronte deri në një miliard dhe kur të përfundojë do e shihte evolucionin e vërtetë. Sa për ilustirm, në botë ekzistojnë rreth 5 religjione të mëdha. Vetëm dy prej tyre janë religjione monoteiste (Islami dhe Krishterizmi) dhe për nga numri i besimtarëve nuk janë shumica e popullatës njerëzore. Pra, ekziston një larmi e praktikave dhe besimeve. Ndërsa njohja, klasifikimi dhe shpjegimi i botës së gjallë në botë realizohet vetëm sipas gjetjeve shkencore të Teorisë evolutive, si e vetmja që shpjegon një gjë të tillë.  

PSIKA: Pse shkencëtarët duhet të interesohen më shumë për fenë?

Mazreku: Mendoj se religjioni është një praktikë dhe aktivitet shumë i rëndësishëm nga ana e njerëzve dhe më parë e ceka se një shkencëtar ka për qëllim të mbledhë dije të reja dhe të përmirësojë mirëqenien e gjallesave dhe vet njeriut. Përderisa religjioni është aktivitet njerëzor dhe njeriu është pjesë e hulumtimeve shkencore mendoj se edhe religjioni do duhej studiohej si i tillë, gjë e cila bëhet nga Teologjia. Njerëzit përgjatë historisë kanë grumbulluar dije sepse nga natyra jemi qenie kurioze. Kurioziteti nxitet nga e panjohura dhe ne sa më shumë dimë ose mësojmë, kuptojmë se ka shumë herë më shumë çka të mësojmë e të dimë. Pamundësia që t’i japim përgjigje gjithçkaje që na rrethon mendoj se është edhe burimi i nevojës për spiritualitet. /Revista Psika

Biografi e shkurtër:

Ilir Mazreku ka përfunduar studimet bazike në Biologji inxhinierike dhe në Psikologji në Universitetin e Prishtinës për të vazhduar me Master Shkencor në Fiziologji-Biokimi, gjersa tani është doktor shkence për Biomjekësi eksperimentale- Neurobiologji në Universitetin e Prishtinës. Ilir Mazreku numëron një sosh publikime dhe prezantime shkencore në revista dhe konferenca të ndryshme shkencore. Gjithashtu është trajner në shumë punëtori për mësimdhënës dhe pjesë e bordit redaktues të Revistës Psika për rubrikën e Neuroshkencës, duke qenë njëherit edhe asistent në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, dhe Fakultetin Filozofik, drejtimi Psikologji.

Intervistoi:

Fjolla Avdyli