Psika: Çfarë ju bëri të interesoheni për këtë drejtim në radhë të parë?

Fejza: Seksologjia është shkencë e re dhe në shumicën e vendeve ende deficitare në kuadër. Interesimi zakonisht lidhet me pasion e kur ky bëhet profesion, atëherë përmbushet misioni i jetës.

Psika: Si do ta përshkruanit “gjendjen e edukimit seksual” në vendin tonë? A mendoni që tema rreth edukatës seksuale është ende tabu? Nëse po, cilat besoni se janë hapat që duhet ndjekur në mënyrë që të largohet ky lloj mentaliteti?

Fejza: Edukimi seksual në vendin tonë  është në fazën fillestare. Ministria e Arsimit dhe disa organizata ndërkombëtare, janë duke bërë përpjekje për ta futur në plan programin shkollor por ka edhe shumë për të bërë deri sa të kompletohet i tërë zinxhiri i nevojshëm për zbatimin e këtij lloj edukimi. Edukimi seksual duhet dhe është i domosdoshëm të fillohet në familje nga prindërit, në mënyrë që fëmijët të marrin informata të nevojshme lidhur me shëndetin seksual. Nuk mendoj se kjo temë është tabu, sepse ka filluar të flitet gjithandej nëpër tubime të ndryshme të shoqërisë civile, por mungon qasja institucionale pa të cilën vështirë mund të ecet përpara.

Psika: Në çfarë lloj vështirësish ndeshen zakonisht adoleshentët  kur përpiqen të gjejnë informacione mbi seksin dhe edukimin seksual?

Fejza: Adoleshentët duke u nisur nga kureshtja dhe nevoja për të qenë të informuar mbi seksin, shfrytëzojnë në rend të parë ato informata që janë të qasshme për ata. Duke mos patur edukim të mirëfilltë të përshtatshëm për moshën, është e vështirë që vetëm përmes internetit apo këmbimit të përvojave mes tyre, të kenë informata të duhura për shëndetin seksual dhe riprodhues. Informacioni i tillë është në të shumtën e rasteve i mangët apo i pamjaftueshëm për të krijuar njohuri të mirëfillta, që do t’i ndihmojnë ata në këtë fazë të jetës.

Psika: Cilat janë pyetjet më të çuditshme që njerëzit ju kanë bërë gjatë karrierës suaj? Po përgjigjet tuaja?

Fejza: Pyetjet më të çuditshme janë ato që kanë të bëjnë me njohjen e organeve gjenitale dhe funksionin e tyre. Përgjigjet e mia gjithmonë janë informuese, duke u mundur që ata mos të ndiejnë veten në situatë të palakmuar, sepse nuk është faji i tyre që nuk kanë njohuri për çështje bazike nga shëndeti seksual.

Psika: A do të thotë që nëse flisni me të rinjtë për tema seksuale, bën që ata të mendojnë më shumë rreth saj dhe pastaj ta praktikojnë atë? Sepse ndoshta kjo është ajo çfarë një prind/kujdestar që nuk flet me fëmijën e tij rreth kësaj teme, e mendon!

Fejza: Është mendim i gabuar gjithandej e jo vetën te ne, se nëse të rinjtë informohen apo edukohen rreth shëndetit seksual, do të praktikojnë më herët seksin. Edukimi dhe informimi seksual nuk përshpejton fillimin e marrëdhënieve seksuale dhe nuk rrit rrezikun e sjelljeve të rrezikshme seksuale. Përkundrazi, kur të rinjtë janë të informuar mirë nuk do futen në aktivitete seksuale të hershme, pa pëlqim paraprak apo të pambrojtur. Prindërit, nuk duhet të kenë frikë për të diskutuar këto tema më fëmijët e tyre. Nuk funksionin më logjika se “lejleku të ka sjellë në jetë”.  

Psika: Më parë përmes këshillave për edukatë seksuale, janë marrë shembull një grua dhe një burrë, a flitet tash më shumë edhe për marrëdhënie të një çifti me të njëjtin seks?

Fejza: Në seksologji dhe në terapinë seksuale, asnjëherë nuk flitet për raportin apo problemin në mes të një gruaje dhe burri, por çdoherë ju referohet problemeve në çift dhe në mes të partnerëve. Partnerë mund të jenë secili çift që janë të angazhuar në një lidhje seksuale, pa marrë parasysh statusin civil apo gjininë.  

Psika: A ka ndonjë bazë shkencore apo hulumtim që tregon se cili model i edukimit seksual  është më efektiv?

Fejza: Ka mjaft informacione dhe të dhëna shkencore që proklamojnë edukimin seksual dhe së fundi ekziston konsensus i përbashkët, se edukimi gjithëpërfshirës seksual i bazuar në moshën është më efektiv. Qasja e bazuar në të drejtat e edukimit gjithëpërfshirës seksual, synon që të pajisë të rinjtë me njohuritë, shkathtësitë, qëndrimet dhe vlerat që u nevojiten të  përcaktojnë dhe të shijojnë seksualitetin e tyre – fizik dhe emocional, individualisht dhe në një marrëdhënie.

Psika: Çfarë duhet t’u tregojmë të rinjve për efektivitetin e prezervativëve në parandalimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme?

Fejza: Të rinjtë kanë nevojë fillimisht të informohen për mënyrën e vendosjes së prezervativit, sepse shumica e bëjnë këtë në mënyrë joadekuate. Pastaj, ata duhen të jenë të vetëdijshëm që mos të futen në marrëdhënie seksuale me partnerë pa prezervativë, e posaçërisht në rast se ata nuk njihen mirë mes vete. Prezervativi përveç që mbron nga infeksionet seksualisht të transmetueshme, është metodë e mirë kontraceptive që mbron nga shtatzënitë e hershme dhe të padëshirueshme.

Psika: Sa i rëndësishëm është edukimi seksual për fëmijët? Cila moshë është më e përshtatshme për një arsimim të tillë?

Fejza: Edukimi gjithëpërfshirës seksual duhet të fillojë në fëmijërinë e hershme dhe të vazhdojë gjatë tërë jetës së një personi. Për fëmijët është shumë me rëndësi që fillimisht nga prindërit, e pastaj në shkollë, të marrin informata të përshtatshme për moshën e tyre rreth shëndetit seksual.

Psika: Cili është mendimi juaj për fuqinë e internetit lidhur me informacionet dhe imazhet seksuale? Cilat janë përparësitë dhe rreziqet e saj?

Fejza: Të rinjtë  mund të përdorin  burime të ndryshme të medies për të mbushur boshllëqet nga edukimi seksual që marrin nga shkollat dhe prindërit. Informatat nga media janë gjithnjë e më shumë një faktor kyç në shëndetin seksual të fëmijëve. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm për “gjurmën digjitale” të tyre dhe rreziqet fizike dhe ligjore të sjelljes së tyre në internet. Ekziston një interes në rritje tek adoleshentët për të hyrë në internet e të informohen për shëndetin seksual. Ata kryesisht kërkojnë informacione në gjuhën që mund të kuptojnë, shpesh në një format interaktiv dhe që paraqet një lloj argëtimi për ata. Mundësitë e edukimit nga interneti janë të kufizuara, sepse shumica e kërkuesve në internet  përfshijnë faqe të papërshtatshme ose pornografi si zgjedhja e parë e disponueshme, përderisa faqet që ofrojnë edukim seksual të mirëfilltë, e kanë përmbajtjen e tyre të bllokuar nga faqet e rrjeteve të ndryshme sociale.


Hajrullah Fejza – Seksolog

Biografi e shkurtër

Dr. Hajrullah Fejza, është Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Kërkime Seksuale dhe Shëndetësore  – LIBIDO, në Prishtinë. Është specialist i Epidemiologjisë dhe Seksologjisë. Ka doktoruar në American Academy of Clinical Sexology, Orlando, SHBA. Është i licencuar si seksolog nga American Board of Sexology. Në Evropë  ka titullin Fellow nga  Multidisciplinary Joint Committee of Sexual Medicine (MJCSM) i cili vepron nën kujdesin e  European Union of Medical Specialists (UEMS). Ka të publikuar numër të madh të punimeve shkencore nga fusha e shëndetit publik dhe seksologjisë. Jeton dhe vepron në Prishtinë.

Pyetjet për: Hajrullah Fejza

Përgatiti: Fjolla Avdyli (Revista Psika)