Psika: Zakonisht ju si psikolog flisni për të tjerët, por sa shpesh e ndieni të nevojshme të flisni më shumë për veten?

Uka: Shpesh, ndjej nevojë të madhe që të flasë për mendimet, ndjenjat dhe emocionet e mia. Më besoni, që edhe kjo përpjekje imja për të dhënë përgjigje në këto pyetje është një lloj përmbushjeje. Këtë ndjenjë shpesh e ushqej me vetëreflektim, por nuk mjafton. Kur e shkruaj apo e flasë atë që kam brenda duket sikur qetësohem. Andaj, falemnderit për mundësinë.

Psika: Kur e keni ndjerë ju për herë të parë nevojën për psikolog?

Uka: Për herë të parë, kur kam qenë shumë i vogël. Kam vuajtur jo pak kohë nga Auchlophobia, apo frika irracionale nga errësira. Ndërkaq, hera e parafundit është sot dhe e fundit është nesër. Sepse ndjej, që unë dhe secili prej nesh kemi nevojë për atë që mundëson raporti me psikologun – njohjen më të mirë të vetes.

Psika: Karakterizoheni me modesti të madhe, por arritjet tregojnë vetë! A mund të na tregoni se si realisht ndiheni për to dhe se sa krenar jeni me veten?

 

Uka: Në fakt, nëse pyetni miqtë e mi më të mirë, unë nuk jam modest. Megjithatë, nuk është që nuk përpiqem. Të them të drejtën, ndonjëherë ndihem i pakënaqur me atë që kam arritur, por kur shoh rrugën nga kam ardhur deri këtu, pyes veten si ia kam dalë. Nëse gjykoj rrethanat nëpër të cilat ka kaluar formimi im akademik, mund të them se jam pak krenar me veten, por gjithashtu kam edhe një dozë të shtuar të pamjaftueshmërisë. Andaj, besoj shumë që në të ardhmen do të ketë akoma më shumë arsye për t’u ndjerë krenar. Por, më shumë se sa krenar me veten, dua që familja ime të jetë krenar me mua. Ky është një tjetër motiv shtesë.

 

Psika: Me profesionin që ushtroni, ju zakonisht i ndihmoni njerëzit të ndjekin ëndrrat e tyre, por sa e keni ndjekur ju ëndrrën tuaj?

 

Uka: E kam thënë edhe më herët, që nuk jam shumë i sigurt që kam ndjekur ëndrrën time. Kam pasur shumë ëndrra, e kam ndryshuar shumë profesione, por mund të them me bindje që ndihem rehat me petkun prej psikologu. Psikologjia më ka dhënë atë lloj qetësie që nuk do të më falte asnjë profesion tjetër. Meqë në jetë, nuk e kemi mundësinë që të kthejmë kohën prapa dhe të provojmë rrugë të tjera, më mbetet të jetoj me shpresën që kjo ishte më e mira për mua. Ndryshe, mund ta përcaktojë si një ëndërr më pak në listën e ëndrravë të parealizuara.

 

Psika: Ani pse i ri në moshë rruga për tek suksesi të cilin e shijoni tani ka qenë mjaft e gjatë e me sfida, por a ka diçka që do të bënit ndryshe ose që ju ka mbetur peng?

 

Uka: E thashë, që po të kisha një mundësi të dytë për të zgjedhur, edhe do të mund të veproja ndryshe. Por, nuk besoj që në asnjë rrethanë do të isha ky që jam sot. Andaj, parapëlqej të mos e mendoj ndryshe.

 

Psika: Kujt i detyroheni më shumë për formimin tuaj?

 

Uka: Po, natyrisht familja është baza, prej nga ku kam marrë shumë. Babai im ka qenë mësues dhe mund të them se diçka kam trashëguar prej tij. Pastaj, nëna me sakrificën e saj, na ka dhënë një shembull të mirë për të kuptuar se sa i vlefshëm është shkollimi. Të dy prindërit, kanë sakrifikuar shumë në jetën e tyre, që të shkollojnë 7 fëmijë. Madje, nëna me humor e thotë që meriton një pension më të lartë, pikërisht për këtë kontribut. Pastaj, në familje janë zhvilluar shumë modele të mira. Unë kam në familje dy mjekë, dy gjuhëtarë, një pedagoge e logopede dhe një psikologe. Secili prej tyre ka dhënë një kontribut në formimin tim. Ndërkaq, natyrisht më meritori është vëllau i madh, Samiu. Ai ka shpenzuar kohë të gjatë me mua, ka qenë një inspirim, motivues i jashtëzakonshëm që nga fëmijëria ime.

 

Psika: Shumica e studentëve ju admirojnë. Si e bëni të mundshme këtë lidhje? Cili është sekreti?

 

Uka: E para, e dyshoj këtë që thoni. E dyta, unë përpiqem që me studentët të jem vetja, në raport me ta nuk përfaqësoj asnjë autoritet dhe që nga dita e parë ju tregoj që jemi kolegë dhe mendimi i tyre vlen po aq sa edhe i imi. Përpiqem maksimalisht, që gjithë çfarë di të transmetoj në mënyrën më të mirë të mundshme dhe përpiqem njëlloj që të mësoj shumë prej tyre. Mbi të gjitha, unë e kam pasion mësimdhënien dhe kjo e mundëson një lloj lidhje të veçantë me studentët.

 

Psika: Na tregoni një sekret për të cilin njerëzit e tjerë (studentët në veçanti) do të befasoheshin po ta dinin!

 

Uka: Hmm, do të më duhej të mendoja shumë për një sekret që i befason studentët. Sidoqoftë, pak kush e di, që natën kur ka lindur djali im Bindi, unë kam qenë në një ndejë jashtë Prishtinës. I pata thënë Bindit që të më lajmëronte një ditë para se të vinte në këtë botë që t’i gjeja vend në agjendën time, por ai nuk pyeti atëherë, siç nuk pyet as sot, për shumicën e takimeve që kërkon dhe planeve që prish.

 

Psika: Kush i vuan më së shumti pasojat e stresit tuaj në punë?

 

Uka: Unë e kam thënë shpesh, që profesioni ynë është i komplikuar. Në përpjekje për të luftuar stresin e të tjerëve, ne shpesh afektohemi nga ai stres dhe më pas e shpërndajmë padashje në familje apo rrethin tonë shoqëror. Mund të them që pasojat e stresit, të punës së ngarkuar, lodhjes dhe ndonjëherë pashpresës, i bart më së shumti Yllka, bashkëshortja ime, që duhet të dëgjojë shpesh për ankesat dhe problemet që ballafaqoj. Megjithatë, Yllka është psikologe dhe etnologe dhe e ka dëshmuar ndjeshmërinë e saj në raport me mua. Jo vetëm që kupton, por edhe shpesh mbështet skajshëm planet e mia, sado të pamundura e të largëta duken ato. Më duhet të them që mirëkuptimi nga ana e saj, shpeshherë ka tejkaluar kufijtë. Andaj, jam mirënjohës për këtë dhe natyrisht përpos mirënjohjes, i detyrohem edhe më shumë kërkim falje. Siç e thashë edhe më lart, ëndërroj që në këmbim të sakrificave dhe faljes së gabimeve që më janë bërë në të kaluarën, t’iu mundësojë që në të ardhmen të ndihen krenar me mua.

 

Psika: Shahu është ndër sportet e juaja të preferuara, por përveç kënaqësisë që ju ofron, a ju ndihmon diçka për jetën reale?

 

Uka: Më shumë se shahun unë e pëlqej futbollin. Megjithatë e vërtetë që unë e pëlqej lojën e shahut dhe mendoj që ajo në jetën reale na bën që të kuptojmë që për çdo problem ka më shumë se një zgjidhje, ashtu sikurse edhe në shah që ka miliona mënyra të lëvizjes, plot rrugëdalje nga problemet, ani pse lëvizjet janë të kufizuara në 64 katrorë. Edhe më e rëndësishme, shahu të mëson, që për të arritur suksesin në jetë, që është ekuivalent me pozitën mat në shah, duhet të sakrifikosh shumë gjëra të vlefshme. Në shah për të mposhtur kundërshtarin, ndonjëherë sakrifikojmë mbretëreshën, apo ushtarët, sikurse në jetë që sakrifikojmë kohën e e çmueshme me të dashurit tanë, për të përmbushur synimet tona.

 

Psika: Pyetja se cili është libri juaj i preferuar, do të ishte shumë klishe! Ajo çka ne na intereson është se a do të kemi ndonjë libër tjeter të shkruar nga vetë ju?

 

Uka: Unë kam shkruar një libër, që edhe sot i’u shërben studentëve për të kuptuar shkrimin akademik. Dhe, jam shumë i bindur që nëse më fal Zoti jetë edhe pak, nuk do të jetë i fundit. Mund t’iu befasoj më shpejt se sa që ju e mendoni, por ndonjëherë merr më shumë kohë se sa që edhe unë vetë e mendoj. Të shkruarit është një proces dhe si i tillë varet prej shumë faktorëve. Megjithatë, dilema ime më e madhe është vetja ime. Nëse unë bind veten që diçka ia vlen të shkruhet ju edhe mund ta lexoni. Kur do të ndodhë, kësaj nuk i dihet.

 

Psika: Statuset e juaja në fb tashmë pjesë edhe e jona! Neve padyshim që na inspironi jashtëzakonisht shumë me to, por ju ku e gjeni inspirimin për t’i shkruar?

 

Uka: Jeta është inspirim. Unë pëlqej të ndaj me njerëzit reflektimet e mia. Ato ndonjëherë janë të motivuara nga ngjarjet personale e ndonjëherë tjetër nuk kanë të bëjnë fare me to. Por, tendenca është kryesisht që të transmetojë një mesazh dhe të motivojë njerëzit. Sa ia dal nuk e di, por këtë synim kam.

 

Psika: Shpesh shkruan për miqësinë, a besoni se ka miqësi të vërtetë?

 

Uka: Po, natyrisht. Jam shumë i bindur që ka miqësi të vërtetë. Këtë ma dëshmojnë disa miq të mirë që i kam përkrah që nga viti i parë i studimeve. Besniku, Ramizi, Liridoni dhe Agroni janë katër miqtë e mi më të mirë dhe me ta bashkë kemi kaluar nëpër shumë sfida, por edhe kemi përjetuar shumë suksese. Këta i kam quajtur përherë miq dhe kanë mbetur të tillë. Me ta jam vetja, flas lirshëm dhe pa pardon dhe gjithëherë është kënaqësi koha që shpenzoj me ta.

 

Psika: A ke përjetuar ndonjëherë zhgënjimin në shoqëri?

 

Uka: Në shoqërinë e vërtetë asnjëherë, sepse çdo përplasje e kemi kaluar pas një kohe. Megjithatë, me disa bashkëpunëtorë a kolegë, si do që i quajmë, që rrethanat e bëjnë të domosdoshëm një komunikim dhe pastaj e zhvillon një lloj besimi gradualisht, më shumë për shkak se dëshiron që të mendosh se njerëzit janë të sinqertë dhe jo manipulues, kam përjetuar shumë zhgënjime. Unë kam parime të atilla, që për ata që kuptoj që flasin prapa krahëve, fyejnë, gënjejnë apo dhe mashtrojnë dhe janë skajshëm mosmirënjohës, nuk meritojnë bashkëpunimin dhe dedikimin tim. Sigurisht, në situata të tilla kam reflektuar ndjeshëm për të gjetur edhe gabimet e mia, por asnjëherë reflektimi, sado objektiv të ketë qenë, nuk më ka nxjerrë fajtor. Andaj, nuk ka urrejtje në këtë mes, thjeshtë e pranoj mosmirënjohjen e njerëzve dhe unë vazhdoj në rrugën time, duke i’u uruar fat atyre në rrugën që kanë zgjedhur dhe duke u lutur që një ditë të ngjallet ndërgjegja e tyre e fjetur.

 

Psika: Cila ka qenë përvoja juaj e parë e mësimdhënies dhe si e keni përjetuar?

 

Uka: Përvojën time në mësimdhënie e kam provuar për herë të parë në Universitetin Ludvig Maximilian të Mynihut në Gjermani. Atje për një semestër kam shërbyer si tutor në disa lëndë, kryesisht Metoda të Hulumtimit dhe Statstikë. Të them të drejtën ka qenë ndjenjë e veçantë. Nuk mund të them se ka qenë ëndërr e imja, por në momentin që u realizua, më dukej si ëndërr që e kisha pasur kaherë. Më duhet të pranoj që isha pak i frikësuar dhe në ankth për pyetjet që mund të më bëheshin, por gjithçka ka shkuar mirë. Pata një vit të shkëlqyer nën përkujdesjen e dy profesorëve shumë të mirë të Universitetit Ludvig Maximilian të Mynihut, që i kthyen orët e mia tutoriale në ligjërata të zakonshme. Bëra një copë përvojë që më hyri në punë kur u ktheva në Kosovë.

 

Psika: A mund të përmendni një çështje e cila mendoni që është e rëndësishme në edukimin sot?

 

Uka: Atë që e mendoj në lidhje me edukimin sot dhe në veçanti me edukimin në Kosovë, do ta them në një nga edicionet e ardhshme të Debat n’Shilte!

 

Psika: Si mundet që psikologët (duke ju përfshirë edhe juve) të masin dhe të kuptojnë pikat e forta dhe virtytet njerëzore?

 

Uka: Në fakt, ne bëjmë përpjekje për të kuptuar mendimet, ndjenjat dhe sjelljet e njerëzve. Dhe, fokusi nuk është vetëm tek virtytet dhe pikat e forta të individit, por edhe tek sjellja atipike, tek pjesa problematike, që e vështirëson funksionimin e mirëfilltë. Pra, përpjekja e psikologjisë është që të ndihmojë njerëzit për të kuptuar potencialin e tyre dhe për ta shfrytëzuar maksimalisht atë. Por, nuk mund të them se sa ia dalim që t’i përafrohemi të vërtetës. Jam shume skeptik për këtë pjesë. Ajo që dimë me siguri është që dimë shumë pak. Në psikologji përdoren metoda të ndryshme studimi dhe fatkeqësisht shpeshherë ndodh që metoda të ndryshme të prodhojnë rezultate të ndryshme për të njëjtin konstrukt psikologjik që studiohet. Kështu që, profesioni ynë ka shumë hapësirë për përmirësim. Sado që deri më tash falë psikologjisë ia kemi dalë që të njohim shumë dimensione të rëndësishme të funksionimit njerëzor, të tjera mbesin për t’u kuptuar. Meqë fundamenti është i mirë, besoj që e ardhmja flet në favor të psikologjisë.

 

Psika: Cili është trajtimi më i mirë për çrregullimet mendore?

 

Uka: Meqë njeriu është një qenie komplekse për nga natyra, forma e të menduarit, ndjenjat dhe emocionet e njeriut janë edhe më komplekse dhe shpeshherë vështirë të kuptueshme. Si rrjedhojë, akoma debatohet për shkaktarët e çrregullimeve mendore dhe për mënyrat e trajtimit. Ka mijëra mënyra, rrugë, psikoterapi që trajtojnë çrregullimet mendore, por nuk ka një të atillë që është ideale. Disa funksionojnë më mirë në raste të caktuara, por nuk ia dalin të japin as rezultatin minimal në rastet e tjera. Andaj, qasja më e mirë duket të jetë integrimi i njohjeve që vijnë nga të gjitha format e trajtimit dhe përshtatja e tyre me personalitetin e klientit dhe natyrën e problemin që sjell. Dhe, sigurisht që edhe kjo është art më vete.

 

Psika: Çfarë aspekti nga jeta juaj e përditshme ju ndihmon më së shumti me klientë?

 

Uka: Ka shumë aspekte të jetës së përditshme, që unë i përkthej në përvoja të vlefshme dhe që përpiqem t’i shfrytëzojë në punën me klientët e mi. Nuk mund të ndajë një përvojë të veçantë që do të dominonte tjerat. Megjithatë, ndjeshmërinë dhe mbështetjen që marrë nga familja dhe miqtë për problemet e mia, e përkthej jorrallë në empati për klientët e mi.

 

Psika: Çfarë po bën aktualisht?

 

Uka: Aktualisht jam në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më saktësisht në Universitetin e Illinois në Çikago, ku po përfundoj studimet e mia post-doktorale dhe po dizajnoj një hulumtim të ri, që do ta realizoj në Kosovë. Jam këtu në kuadër të programit që udhëhiqet nga prof. Steven Ëeine, një psikiatër i njohur për Kosovën, që ka qenë i pranishëm në vendin tonë me shumë projekte të ndryshme për shëndetin mendor.

 

Psika: Shumëkush pyet se pse shpërdoroni mundësitë e qëndrimit në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ktheheni në Kosovë? A do ta bënin të njëjtën gjë edhe të tjerët?

 

Uka: Jo, unë nuk e di a e bëjnë të njëjtën edhe të tjerët, por di të them, që unë gjithmonë kam qenë i bindur që do të jetoj dhe punoj në Kosovë. Pothuasje asgjë dhe asnjëherë nuk e ka zbehur dhe zbrapsur një dëshirë të tillë. E pata shqyrtuar një ofertë tepër tunduese për të shkuar në Gjermani para disa viteve. Do të punoja në universitet, pak mësimdhënie dhe hulumtim, ashtu siç unë dua, me mundësi të udhëtimit të shpeshtë në Kosovë, që e pëlqeja shumë, por që në fund jam tërhequr. Thjeshtë, kam kuptuar që Kosova është adresa ime dhe do të përpiqem deri në fund që të jap më të mirën nga vetja në universitet dhe jashtë tij, për gjithë ata që e shohin dhe e kosniderojnë se njohjet që vijnë nga unë janë të vlefshme. Por, mund të them që udhëtimet e mija të shpeshta nëpër botë e bëjnë më pak interesante idenë që unë të jetoj jashtë Kosovës. Kam shumë mundësi të udhëtimit, shoh shumë vende të ndryshme dhe kthehem në Kosovë i përmbushur.

 

Psika: Deri më tash keni prezantuar në mbi 50 konferenca të ndryshme në qendrat më të mëdha evropiane, por edhe në Amerikë e Australi, keni publikuar edhe artikuj të ndryshëm shkencorë, që janë cituar dhjetëra herë? Si ia keni dalë që të realizoni gjithë këto? Talenti apo puna?

 

Uka: Puna. Unë punoj jashtëzakonisht shumë dhe kjo është shpërblyer me shumë publikime dhe pjesëmarrje në konferenca. Natyrisht, unë pres që 10 vitet e ardhshme të jenë edhe më të frytshme në kuptimin e publikimeve dhe të konferencave, por kjo nënkupton investim të madh të kohës në përgatitje të hulumtimeve, realizim të tyre dhe shkrim të raporteve. Megjithatë, shpresoj që numrat do të rriten dhe bashkë me numrat edhe kualiteti i hulumtimeve.

 

Psika: Jeta rezervon momente të pamëshirshme! Por cili është benefiti që ne mund të nxjerrim nga kjo gjë?

 

Uka: E thjeshtë. Secili moment i pamëshirshëm është një leksion më vete. Unë refuzoj të them që jeta ka suksese dhe dështime. Ka vetëm suksese dhe mësime – leksione. Kështu duhet të shohim çdo sfidë, sepse e keni parë që kur kalon vështirësia, shpeshherë qeshemi me sfidën dhe admirojmë forcën tonë. Ky është mësim i vlefshëm për të ecur para.

 

Psika: Çka nënkuptoni me: ”gjithë çfarë nuk është e jona, vlen më shumë?”

 

Uka: Njeriu, në esencë duhet të jetë një qenie e pamjaftueshme. Ajo që e disponon, ka më pak vlerë, ndërkaq ajo që është e huaja dhe nuk bëhet e tij, është gjithmonë më e vlefshme. Ky është burimi i mungesës së qetësisë që kanë njerëzit. Po e zgjidhëm këtë lëmsh jetojmë në paqe apo na mbyt monotonia.

 

Psika: Ata që prekin fundin, e shijojnë më shumë çdo shkallë që ngjesin” – përvojë personale apo inspirim?

 

Uka: Të dyja. Jam me fat që kam prekur fundin, të paktën ashtu e kam konsideruar dhe edhe me më shumë fat që kam ngjitur disa shkallë. Megjithatë, inspirohem edhe nga shumë miq të mi, për mënyrën se si ia dalin që të mposhtin çdo sfidë.

Biografi  e shkurtër

Fitim Uka është themelues i Qendrës për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore dhe botuesi i revistës së parë psikologjike në Kosovë “Psika”. Ai është gjithashtu ideator dhe bashkë-themelues i Ambulancës së Psikologjisë Klinike “Uni”, ku edhe ofron psikoterapi për fëmijë dhe adoleshent. Fitim Uka ka përfunduar studimet bazike për psikologji në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe studimet master në Universitetin Ludvig Maximilian të Mynihut. Ai ka përfunduar edhe studimet e tij të doktoraturës në Universitetin e Freiburgut në Gjermani. Për më tepër, ka ndjekur për një vit edhe studimet e profilizuara për Terapi Familjare. Uka numëron mbi 50 paraqitje në konferenca të ndryshme shkencore vendore dhe ndërkombëtare. Aktualisht është profesor në Universitetin e Prishtinës, fakulteti Filozofik, departamenti i Psikologjisë.

 

Intervistoi:

Fjolla Avdyli