Psika: Çka konsiderohet “normale” në fushën e psikiatrisë?

Agani: “Normaliteti” në psikiatri është koncept shumëdimensional, i cili në plotni reflekton strukturën komplekse poliedrike të qenies njerëzore si në aspektin psikologjik e psiko-fizik, ashtu edhe në atë dhe social dhe kulturor. Nëse shiqohet nga aspekti biologjik i qenies njerëzore, atëherë “normale” është e gjitha që reflekton funksionimin standard, të verifikuar me metoda shkencore, të qarqeve neurale në tru, neurotransmiterëve, receptorëve dhe përbërësve të tjerë të proceseve tejet të ndërlikuara biokimike dhe biofizike, përfshirë ato gjenetike në tru, pra thënë shkurt “normale” është çdo gjë që nuk paraqet sëmundje ose çrregullim.
Nëse kundrohet nga aspekti social e kulturor i funksionimit të njeriut, “normale” është e gjithë ajo e cila nuk devijon nga standardet e mjedisit social dhe kulturor ku funksionon individi, si në aspektin e sjelljes individuale dhe kolektive, ashtu edhe në aspektin e perceptimit subjektiv të vetes, familjes dhe shoqërisë. Psikiatria është shkencë dhe profesion, e cila në masën më të madhe, subjekt të studimit dhe të punës i ka manifestimet klinike që udhëzojnë në shmangien nga ndjenjat dhe bindjet e zakonshme të njeriut, se është duke e gëzuar gjendjen e mirëqenies psikike, trupore dhe sociale. Rrjedhimisht, nga këndvështrimi më i rëndomtë, “normale” në psikiatri është gjithë ajo që është e pranueshme në aspektin biologjik, social e kulturor për individin dhe shoqërinë të cilës i përket dhe e kundërta, pra është çështje e konsensusit profesional, kulturor dhe social përkitazi me simptomat dhe sjelljen e individit dhe komunitetit të cilit i përket. 

Psika: Si do të ndryshonte rrjedha në jetën e një individi nëse do të fokusohej më shumë në gjërat pozitive, sesa në ato negative?

Agani: Ndryshimi do të ishte radikal! Sipas hulumtimeve më të reja shkencore, fokusimi i vemendjes, të menduarit dhe vullnetit në aspektet pozitive të jetës dhe përditshmërisë, gjeneron ndryshime pozitive biokimike dhe biofizike në qarqet neurale të korteksit prefrontal dhe të regjionit amygdal në tru, duke ndikuar në ndryshimin fiziologjik dhe struktural të sinapsave interneuronale në këto regjione. Studimet e tjera kanë dëshmuar se këto ndryshime në tru, shoqërohen me uljen e incidencës dhe prevalencës së sulmeve cerebrovaskulare, si dhe rritjen e imunitetit cellular; njëkohësisht, rritet optimizmi e ndjenja e relaksimit, ulet ankthi dhe ngritet vetëbesimi e ndjenja e sigurisë personale, që së bashku gjenerojnë marëdhënie më stabile sociale dhe vizion pozitiv për të ardhmen. 

Psika: Cili është keqkuptimi më i zakonshëm për juve në lidhje me atë që bëni?

Agani: Deri më tani, nuk kam qenë në situatë që të ballafaqohem me ndonjë keqkuptim serioz përkitazi me aktivitetet e mia, që shtrihen në fusha të ndryshme të jetës shoqërore. Ndoshta si keqkuptim, mund të interpretohet përkushtimi im për angazhim politik mbi platformën e demokracisë progresive konservatore, në cilësin e kryetarit të Partisë së Drejtësisë dhe ndërlidhja e këtij angazhimi me vetëm një aspekt të kësaj platforme, atë të theksimit të rëndësisë së identitetit fetar, individual dhe kolektiv, gjatë formulimit të politikave shtetërore. 

Psika: A mund të emëroni tre nga aspektet më sfiduese të rolit tuaj?

Agani: Konsideroj se me jetën time të deritanishme, kam dëshmuar se njeriu mund të ketë angazhime polivalente në jetën shoqërore, duke e ruajtur në plotni identitetin e tij gjenuin dhe në këtë mënyrë, të tentojë të realizojë sa më shumë që të jetë e mundur mundësitë e shumta të cilat që me momentin e konceptimit, i’a ka dhënë Zoti i Madhërishëm. Ndër këto angazhime, si më sfiduese dhe më të suksesshme do të kisha veçuar angazhimet e mia në:

  •  reformën e shërbimeve të shëndetit mendor në Kosovën e pasluftës dhe themelimin e sistemit plotësisht të ri të këtyre shërbimeve në komunitet, duke parandaluar me sukses të plotë ndërtimin e spitaleve psikiatrike;
  • themelimin dhe udhëheqjen e Partisë së Drejtësisë, si forca kryesore politike konservatore në vend, që ka kontribuar shumë në promovimin dhe fuqizimin e vlerave etike dhe morale në politikë, si dhe gjatë mandatit tim si Ministër i Shëndetësisë në reformën ligjore të shërbimeve shëndetësore në vend, duke shtruar themelin për sistemin e sigurimeve publike shëndetësore dhe;
  • punën time profesionale, shkencore dhe akademike në fushën e neuropsikiatrisë që çdo ditë e më shumë, edhe pas 35 viteve, më ofron satisfaksion të jashtëzakonshëm. 

Psika: Sipas jush, cila është mënyra më e mirë për t’u marrë me traumën në vendin tonë, pasi kemi shumë njerëz që ende e përjetojnë këtë pas luftës?

Agani: Trauma psikike dhe fizike paraqet ngjarje të rëndë me pasoja të shumta, komplekse dhe afatgjata për shëndetin e njeriut, prandaj edhe përgjigja profesionale duhet të jetë e shpejtë dhe adekuate. Nëse kisha tentuar që në mënyrë të përmbledhur të paraqes se si duhet të duket kjo përgjigje, ajo duhet të përfshijë së paku tri komponenta: 1) identifikimin e hershëm të sëmundjeve dhe çrregullimeve klinike, në të cilat është transformuar trauma gjatë kohës nëpërmjet proceseve psikosomatike; 2) edukimin shëndetësor për mënyrat e shmangies nga stresi i përditshëm jetësor si dhe mënyrat e shëndosha të jetesës përfshirë ushtrimet trupore dhe mentale; dhe 3) trajnimin cilësor të numrit të duhur të profesionistëve të shëndetit mendor dhe të tjerë, në fushën e punës me çrregullimet traumatike. 

Psika: A duhet të shqetësohen psikologët për jetën spirituale/fetare të klientëve të tyre? A është ky informacion i rëndësishëm për kujdesin psikiatrik?

Agani: Çdo trajtim psikologjik dhe psikiatrik, zhvillohet në kontekstin e caktuar social dhe kulturor prandaj dimensioni shpirtëror-fetar i personalitetit të njeriut, paraqet aspekt tejet të rëndësishëm të punës profesionale, sepse ky dimension, në mënyrë përmbajtësore, reflektohet në strukturat intrapsikike, veçanërisht në ndërgjegjen dhe kodin etik e moral të pacientit. Shoqëria Kosovare është shoqëri me infrastrukturë të formuar shpirtërore dhe fetare, prandaj ky fakt duhet të merret parasysh me kujdes të skajshëm nga ana e profesionistëve të shëndetit mendor, sepse përndryshe, mund të vjen deri te dëmtimi serioz i marëdhënies terapeutike, për shkak të konfuzionit që mund të lajmërohet në komponentat e transferencës dhe kundër-transferencës gjatë procesit terapeutik. Nga ana tjetër, perceptimi i drejtë dhe puna profesionale me dimensionin shpirtëror-fetar të klientit, mundëson themelimin e aleancës më të fuqishme dhe më të qëndrueshme terapeutike dhe në këtë mënyrë kontribuon për suksesin më të madh të trajtimit. 

Psika: Pse ka kaq refuzim nga psikologjia për religjionin, a nuk e plotësojnë ato njëra-tjetrën?

Agani: Rezistenca e cila shumë shpesh shfaqet në proceset terapeutike nga ana e psikologëve klinik dhe psikiatërve ose neuropsikiatërve ndaj dimensioneve shpirtërore-fetare të klientëve të tyre, i ka rrënjët në proceset e kundër-transferencës së terapeutëve ndaj këtyre çështjeve, gjë që pamundëson qasjen e tyre adekuate terapeutike ndaj qëndrimeve specifike shpirtërore dhe religjioze, të cilat i sjellin klientët e tyre në seancën terapeutike. Me refuzimin e përpunimit profesional të këtyre të dhënave, jo vetëm që dëmtohet procesi terapeutik, por në masë të madhe, pa dashje dëmtohet edhe rehabilitimi dhe resocializimi i të sëmurëve psikiatrikë, për shkak të fuqizimit të stigmatizimit të tyre.  

Psika: Pse njerëzit janë kaq këmbëngulës në bindje që nuk mund të provohen?

Agani: Psikologjia dhe Psikiatria si shkenca, si substrat të studimit anatomik, biokimik, gjenetik, epigjenetik e patofiziologjik të sëmundjeve dhe çrregullimeve psikike, e kanë trurin e njeriut, i cili në përqindje shumë të lartë të funksioneve të tij komplekse dhe të shumëfishta, është ende i panjohur për shkencën bashkëkohore, prandaj edhe njerëzit këtu gjejnë hapësirë për interpretime të cilat nuk mund të shpjegohen në plotni me metoda shkencore. Rrjedhimisht, mungesa e njohurive përkatëse shkencore për sëmundjet dhe çrregullimet psikiatrike si dhe shkalla tejet e lartë e stigmatizimit të këtyre patologjive në shoqërin tone, kushtëzojnë tendencën jashtëzakonisht të lartë të individëve dhe të familjeve për t’u mveshur këtyre gjendjeve klinike etiologjinë mistike-religjioze, ndonëse në masë shumë të madhe, shkenca bashkëkohore ka siguruar informata dhe shpjegime të besueshme për shkaqet e sëmundjeve dhe çrregullimeve më të shpeshta psikiatrike, si dhe mundësitë e trajtimit të tyre të suksesshëm. Në situatën aktuale, është e domosdoshme që profesionistët e shëndetit mendor gjatë punës së tyre, të udhëhiqen kryekëput me postulate të verifikuara shkencore, gjithmonë të vetëdijshëm për kufizimet të cilat ato i kanë në momentin aktual. 

Psika: Ju vini nga një familje në të cilën edukimi ka luajtur rol të rëndësishëm dhe është investuar në të. Na tregoni si është transmetuar kjo vlerë nëpër breza në familjen tuaj.

Agani: E ndjej veten shumë me fat dhe të privilegjuar, që jam pjesëtar i familjes në të cilën gjithnjë ka pas përkushtim dhe synim për edukim dhe arsimim të mirëfilltë, në dobi të kombit dhe shoqërisë së gjërë. Themelet e këtij përkushtimi janë vendosur nga stërgjyshi im, Mulla Agan Koja, dhe djemtë e tij; gjyshi im Hafëz Bajram Agani, që në dymbëdhjetë vitet e para të pas luftës së dytë botërore, ishte edhe Myfti i Kosovës dhe djali tjetër, Mulla Adem Agani. Mbi këto baza, familja Agani në pesë dekadat e fundit, përveç dhjetëra të diplomuarve në fakultetet e Universitetit të Prishtinës dhe pesë profesorë universitar, gjashtë doktorë të shkencave, pesë magjistra, dhe dhjetë specialistë në lëmi të ndryshme të mjekësisë dhe stomatologjisë.  Kjo traditë vazhdon të kultivohet edhe në ditët e sotme; në familjen time, bashkëshortja Shpresa është specialiste e gjinekologjisë dhe obstetrikës, magjistre e shkencave dhe para përfundimit të studimeve të doktoratës në shkencat e mjekësisë në Universitetin e Tiranës; vajza Natyra përfundoi studimet e doktoratës në shkencën e psikologjisë sociale, në Universitetin Clemson në SHBA dhe tani është specialiste e psikologjisë klinike dhe mësimdhënëse në Universitetin “Hasan Prishtina”; ndërkaq djali Nysreti, sapo u promovua në doktor të mjekësisë së përgjithshme pas përfundimit të studimeve në programin ndërkombëtar të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Stambollit në Republikën e Turqisë. 

Psika: Shpesh kemi dëgjuar të flisni me krenari për familjen tuaj. Por së fundi ju jeni bërë edhe 
gjysh. Na tregoni pak për ndjesinë që ky status i ri ofron për ju.

Agani: Familja ime është pa asnjë dyshim krenaria ime e madhe, sepse cilësohet me mishërimin e vlerave të sipërpërmendura të familjes Agani nëpër gjenerata, çdo herë e më të fisnikëruara dhe më të kultivuara. Por, ashtu siç e sugjeruat edhe ju në pyetjen tuaj, krenarinë e veçantë, që më shumë se një vit, ma jep të qenit gjyshi i Diellit, djalit të vajzës Natyrës. Nuk mund të përshkruaj ndjenjën e lumturisë dhe të gëzimit kur e shoh përparimin dhe rritjen e tij të përditshme. Shkëlqimi i syve të tij dhe buzëqeshja e çiltër, më bëjnë të ndjehem si në ditët më të mira të rinisë dhe për këtë i jam pafundësisht falenderues Zotit të Madhërishëm.

Biografi e shkurtër

Prof. Dr. Agani është profesor asistent në Fakultetin e Mjekësisë në UP. Në periudhën e pasluftës udhëhoqi reformat e shëndetit mendor, ndërkaq prej pozitës së Ministrit të Shëndetësisë udhëhoqi reformat në shëndëtsinë kosovare. Ai është publikues i shumë punimeve shkencore dhe udhëheqës i projekteve studimore dhe njëkohësisht fitues i shumë çmimeve ndërkombetare si ai Max Hayman për punë humanitare nga Asociacioni Amerikan i Orthopsikiatërve në vitin 2005. Ai mban gjithashtu edhe titullin “Doctor Honoris Causa”.

Intervistoi: Fjolla Avdyli (Revista Psika)