“Kurthet e Mendjes”: Një libër i ri psikologjik në Panairin e Librit

Libri “Kurthet e Mendjes dhe si të dilni prej tyre” na njeh me skenaret që mund të na shpien në patologji dhe na tregon mënyrat sesi mund të ndihmojmë veten për t’u përballur me këta skenarë

Panairi i 21-të i Librit “Tirana 2018” po afron dhe të gjithë presim për t’u njohur me titujt e rinj e për të bërë pjesë të bibliotekës sonë librat e preferuar. Një ndër titujt psikologjikë që do të gjeni në panairin e këtij viti është libri “Kurthet e Mendjes dhe si të dilni prej tyre” me autor psikoterapistin Elton Kazanxhi. Për t’u njohur me këtë libër që i shtohet serisë së librave psikologjikë në vendin tonë, ne zhvilluam një bisedë me Eltonin.

Përshëndetje Elton! Libri “Kurthet e Mendjes” është libri yt i parë në gjuhën shqipe, që do të prezantohet për herë të parë në panairin e librit. A mund të na tregosh pak më tepër rreth tij? 

Po, sigurisht. Libri lindi nga dëshira dhe nevoja që kisha për të ndarë me publikun shqiptar përvojën time terapeutike, por edhe atë njerëzore. Jam larguar nga Shqipëria në moshën 12-vjeçare dhe që prej asaj kohe, shumë gjëra kanë ndodhur në jetën time. Unë kam një formim “eklektik” që do të thotë: artist dhe psikoterapist. Kam studiuar muzikë, vallet tradicionale të Shqipërisë dhe Italisë së Jugut, artet orientale dhe psikologji. Aktivitetet artistike sot janë një pasion për mua, ndërsa psikoterapia dhe formimi i psikologëve është puna dhe misioni im profesional.

Pse ky titull: “Kurthet e Mendjes”?

Titulli është një gjetje që shpjegon mënyrën sesi funksionon mendja jonë. Nga hulumtimet e terapistëve nëpër botë, rezulton se jeta jonë komplikohet për arsye të natyrës sonë si qenie njerëzore. Te shumë klientë që kam trajtuar psersonalisht, gjatë 13 viteve të mia të punës si psikoterapist, por edhe te rastet e trajtuara nga kolegët e mi në Itali, janë vërejtur shpesh mekanizma “vetëmashtrues” që njerëzit përdorin. Këto janë mekanizma automatike që secili prej nesh i përdor në mënyrë të pavetëdijshme. Shpesh, këto mekanizma janë ndërtuar prej vitesh dhe janë ngurtësuar aq shumë, saqë me të drejtë mund të quhen “kurthe mendore”. Më e keqja është se këto kurthe, nëse përdoren më tepër sesa duhet dhe nëse kombinohen mes tyre, shpien në çrregullime mendore, si: ankthi, depresioni, çrregullimi obsesiv-kompulsiv, fobi, vështirësi seksuale, etj .

Për shembull, cilat janë disa prej kurtheve mendore më të shpeshta që përdorin njerëzit apo edhe klientët tuaj?

Të gjithë njerëzit, pa përjashtim, përdorin kurthe mendore dhe sjellore. Ndërsa te klientët që vijnë në terapi, këto kurthe janë më të shpeshta, përdoren me tepri dhe shpesh kombinohen. Disa nga kurthet e mendjes janë: mashtrimi i pritshmërive, iluzioni i njohurive përfundimtare, arsyetimi perfekt, mashtrimi emocional, mendimi pozitiv etj.  Për shembull, “mashtrimi i pritshmërive”, kurthi më i studiuar në botë, i referohet prirjes që ne kemi ndaj të tjerëve që ata të sillen me ne siç ne do të dëshironim. Shpesh, kjo pritshmëri është mashtruese, sepse na shpie në zhgënjim dhe vuajtje. Pse? Sepse realiteti nuk është gjithmonë ai që ne presim të jetë.  Rasti i “arsyetimit perfekt” i referohet besimit se “përmes arsyetimit logjik racional ne mund të përballojmë të gjitha vështirësitë e jetës”. Është ajo që psikologu Paul VVatzlavvick (1921-2007) e quajti “hiperzgjidhje” e racionalizmit: vetëbesimi në mënyrë të verbër në aftësinë intelektuale për të analizuar çdo fenomen njerëzor, duke u ndriçuar nga drita e racionalizimit, që të arrijmë përmes një logjike të rreptë në shpjegim dhe në kontroll.

Në libër, përmendni jo vetëm shtatë kurthet e mendjes, por edhe tetë kurthet e reagimit. Ku ndryshojnë ato?

Psikokurthet e reagimit u referohen sjelljeve që burojnë nga kurthet mendore. Disa nga këto kurthe janë: insistimi, dorëzimi, mania e kontrollit, shmangia, ndihma që dëmton, mbrojtja paraprake dhe socializimi i gjithçkaje. Për shembull, insistimi ka të bëjë me të vepruarit deri në ekzagjerim ose këmbëngulja me çdo kusht për të zbatuar të njëjtën mënyrë veprimi, në situata të ndryshme, edhe kur ajo nuk funksionon.  Ndërsa dorëzimi është i kundërt me insistimin. Ai merr formën e heqjes dorë para vështirësive të para. Kjo prirje varion nga mosbesimi te aftësitë personale deri tek dembelizmi. Të mos besosh në vetvete, duke hequr dorë nga një provë, nuk bën gjë tjetër veçse konfirmon paaftësinë, derisa ajo bëhet e vërtetë. Profecia vetëpërmbushëse mund të marrë këtë formë: Djali që heq dorë nga një shëtitje me një vajzë, për shkak të mungesës së iniciativës, konfirmon paaftësinë e tij dhe bëhet më pak tërheqës në sytë e vajzës. Ndërsa shmangia është një tipar karakteristik te njerëzit me fobi. Nga njëra anë, personi shmang situatat që i sheh të rrezikshme, nga ana tjetër konfirmon paaftësinë për t’u përballur me to e për ta kaluar vështirësinë.

Që në titull: “Kurthet e mendjes dhe si të dilni prej tyre” ju sugjeroni zgjidhje,mënyra për të dalë nga këto kurthe në të cilat shpesh biem. Cilat janë këto mënyra?

Në pjesën e parë të librit, lexuesi do të njihet me dy raste klinike. Më pas, do të shpjegohen mekanizmat automatikë, të quajtur “skenare mendore” apo “kurthe mendore”: shtatë kurthet e mendjes, tetë psikokurthet e reagimit dhe kombinimet patologjene të kurtheve mendore. Pas çdo psikokurthi, jepet një psikozgjidhje. Pra, pasi është shpjeguar mekanizmi sesi kurthi mendor apo sjellor funksionon, jepet një udhëzim bazë sesi ai mund të sfidohet e ndryshohet. Për shembull, në rastin e psikokurthit të parë “mashtrimi i pritshmërive”, nevojitet një qëndrim mendor që parandalon krijimin e tij. Domethënë, është e nevojshme të vëzhgojmë realitetin nëpërmjet vështrimit të të tjerëve dhe jo vetëm atyre që janë më pranë nesh. Mbi të gjitha, është e nevojshme të shmangim ngurtësimin e perspektivës sonë sikur ajo të ishte e vetmja dhe më e mira. Duhet të përpiqemi ta pyesim veten nga pikëpamja e personave të tjerë, një  ushtrim që duhet të jetë konstant, sepse mendjes sonë i mjafton shumë pak për të aktivizuar skematizimet e ngurta dhe vetëmashtrimet e rehatshme. Ama nëse bëhet fjalë për kurthe që kanë shpënë në patologji, si çrregullimi obsesiv-kompulsiv, duhen teknika më të sofistikuara.  Në këtë çrregullim, psikokurthi dominues është tendenca e personit për të ushtruar kontroll të ekzagjeruar. Në këtë rast, aplikohet teknika kundërparadoksale “fantazia më e keqe” ose ekzagjerimi vullnetar i ndjenjave dhe pasojave që duam të evitojmë. Personi mëson të ekzagjerojë frikën ose humbjen e kontrollit, që të krijojë paradoksin e anulimit të tyre.

Cilët lexues synon libri “Kurthet e Mendjes”?

Ky libër është shkruar për publikun e gjerë, por edhe për profesionistët. Ai mund të lexohet si një libër vetëndihme dhe të përdoret si një udhërrëfyes nga të gjithë njerëzit e interesuar për të njohur veten dhe për t’u vetëndihmuar përmes teknikave që mund të përdoren edhe pa një terapist. Megjithatë, ka njerëz që kanë nevojë për ndihmë të specializuar, të cilët nuk duhet të ngurrojnë për të kërkuar ndihmë nga një psikoterapist. Gjithashtu, libri synon studentët e psikologjisë, psikologët dhe terapistët, pasi, përveç trajtimit psikologjik të kurtheve mendore dhe zgjidhjeve mendore, në libër gjendet dhe një kapitulli posaçëm “Për Psikologët” ku bëhet një prezantim me Terapinë Strategjike, një formë e terapive të shkurtra që ka treguar efektivitet në botë, në trajtimin e shpejtë të rasteve klinike.

A keni një mesazh për lexuesit e revistës “PSIKA”?

Patjetër që po. Shpresoj që të jem treguar sadopak i qartë për ato që më keni pyetur dhe besoj se libri do t’ju duket interesant dhe i dobishëm të gjithë atyre që do të zgjedhin ta bëjnë pjesë të bibliotekës së tyre. Unë i pres me kënaqësi më datë 15-18 nëntor në Panairin e Librit në Tiranë dhe në takimin promovues për librin, më datë 16 nëntor. Jeni të mirëpritur!