Psika: Shumë prej nesh duam të ndihemi si njerëz të mirë, por për ironi, a e bën kjo më të vështirë për ne që të bëhemi njerëz më të mirë?


Dragoti: E rëndësishme është të ndihemi njerëz të mirë. Ky është fillimi, dhe fillimi i mirë është gjysma e punës. Pastaj do të përpiqemi, që pozitivitetin tonë ta përshtasim me nevojat dhe pritshmëritë e mjedisit tonë social. Sepse në kulturat kolektiviste siç është shoqëria jonë shqiptare, kanë shumë rëndësi pritshmëritë dhe qëndrimet e opinionit shoqëror dhe po ashtu, “të ndihesh mirë” apo “të jesh i mirë” janë kategori subjektive, të lëvizshme, fluide, që nuk varen vetëm nga perceptimi ynë, por edhe ai i të tjerëve, që është gjithmonë jo njëlloj. Prandaj, ne e kemi të pamundur që të ndihemi mirë me veten dhe njëkohësisht të jemi të mirë për të gjithë të tjerët.

Psika: A ju frymëzoi apo ndikoi ndonjë ngjarje nga jeta juaj personale, në shkrimet e juaja?

Dragoti: Natyrisht, gjithmonë. Është jeta e përditshme, me të njohurat dhe të panjohurat e saj që na zgjon, na jep impulset e mendimit, përjetimit dhe nevojën e sfidës.

Psika: Çfarë truku, talenti apo zotërimi përdorni për t’i bërë përshtypje njerëzve?

Dragoti: Nuk mendoj se kam nevojë për truke. Mjafton të jesh pjesë e mjedisit shoqëror, të futesh në komunikim të vazhdueshëm me të, të guxosh të peshosh veten dhe të tjerët, të përfitosh nga gabimet e tua dhe të të tjerëve dhe mbi të gjitha: ta duash veten dhe të tjerët. Përvoja është inteligjencë, intuitë, sukses. Por duhet të dish të përfitosh prej saj. Dhe nuk lind i ditur, por mund të bëhesh i tillë. Ndërsa në fëmijëri është libri që përfocon mundësinë për tu bërë i ditur, libri shkollor dhe jashtëshkollor. Më tepër libri sesa interneti, që në shumë raste është i pasigurtë dhe ç’orientues. Ky proces arrin ta krijojë në cilësinë e duhur atë, që sot quhet inteligjenca emocionale. Pra aftësinë për tu përshtatur me nevojat dhe pritshmëritë e të tjerëve që kemi pranë dhe që janë të rëndësishëm për ne dhe për t’i përdorur në plotësimin dhe realizimin e interesave tona. Ky mendohet sot se është çelësi i suksesit, inteligjenca emocionale, dhe jo IQ, koeficenti i inteligjencës.

Psika: Cili mendon që është libri që ju do të dëshironit që të gjithë në botë të lexojnë? Pse?

Dragoti: Nuk ka vetëm një libër të tillë. Ndryshe do të ishte shumë e thjeshtë: lexo një libër dhe mjafton, i’a hodhe jetës, u bëre i ditur. Librat që i kanë qëndruar kohës janë më të mirët, sepse koha është ilaçi, terapisti dhe gjyqtari më i mirë. Koha është e pamëshirshme, por e drejtë. Dhe njeriu ka më shumë nevojë për drejtësi sesa për mirëqenie ekonomike. Sepse drejtësia i mungon më shumë njerëzimit.

Psika: A është e mundur të dini pa dyshime se çfarë është e mirë dhe ç’është e keqe? Si?

Dragoti: Po, ky ka qenë meraku im i jetës në procesin e krijimit të vetes. Kuptohet, që përvoja është kandari më i mirë, që veçon të mirën nga e keqja, por ajo kërkon kohë dhe përdorimin e duhur të shumë mekanizmave të brendshëm psikologjik për të pasur sukses. Unë vlerësoj shumë tek vetja dhe të tjerët aftësinë organizative, që është veçori shumë e rëndësishme e inteligjencës emocionale. Aftësia organizative është pikërisht aftësia për të dalluar informacionet, stimujt, ngacmimet e rëndësishme të mjedisit që të rrethon nga ato të parëndësishme. Kjo aftësi na bën të dallojmë të mirën nga e keqja, sepse na kursen kohën në procesin e përzgjedhjes së informacionit, na jep mundësi të zgjedhim informacionin më të rëndësishëm, ta përshtasim atë me interesat tona, dhe ta përdorim atë në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe me produktivitetin e duhur. Pra, ta shtrydhësh kohën dhe mundësinë dhe të nxjerrësh prej tyre suksesin. Ka shumë njerëz që kanë aftësi të mëdha, që lidhen me kujtesën e jashtëzakonshme, me egon e pafund, me vullnetin e pashtershëm e të tjera të ngjashme. Por nëse nuk kanë aftësinë organizative, nuk arrijnë suksesin e dëshiruar. Dhe këta njerëz janë me shumicë në shoqëri.

Psika: A mund të jemi vërtet gjykues të mirë për veten? Nëse jo, atëherë a është “validimi nga të tjerët” i nevojshëm dhe i pashmangshëm?

Dragoti: Nuk është e lehtë të jemi gjykues të mirë për veten. Sepse në shumicën e rasteve ne e duam më shumë veten se të tjerët dhe kjo krijon tendencat e natyrshme, që na drejtojnë sjelljen tonë të përditshme. Por, në momente të caktuara, kur jemi në ekuilibër me veten, me të tjerët që duam, dhe me mjedisin që na rrethon mund të jemi të drejtë me veten, dhe të gjykojmë drejt për veten. Por, pavarësisht se na pëlqen vetja, kemi tendencën ta mbrojmë veten, të gjykojmë veprimet e të tjerëve dhe të justifikojmë gabimet tona, ne përsëri mund të përdorim një mundësi tjetër për ta vlerësuar drejt veten tonë. Mjafton të shikojmë veten me sytë e të tjerëve.

Psika: Kur mendoni se është koha për të ndaluar  llogaritjen e rrezikut dhe shpërblimeve, dhe vetëm të shkojmë përpara dhe të bëjmë atë që mendojmë se është e drejtë?

Dragoti: Po, po, e drejtë. Të llogaritësh koston dhe shpërblimin e një veprimi apo sjellje është e zakonshme për secilin, por jo të gjithë kanë kandarin e duhur, disave i’u është prishur peshorja e vlerave dhe shpesh shikojnë më tepër shpërblimin se sa rrezikun e sjelljes së tyre. Prandaj shumë zgjedhje që bëjmë na çojnë në gabime, dështime, devijanca shoqërore, çrregullime të personalitetit, krime ndaj shoqërisë e të tjera. Por edhe e kundërta është e gabuar, pra, nuk është nevoja të gjykojmë pambarimisht dhe të humbasim në llogaritje. Sepse nuk do arrijmë të zgjedhim, të marrim vendime, të veprojmë dhe të arrijmë atë që duam. Jeta ka një dinamikë, që nuk e kontrollojmë dot ne. prandaj na duhet t’i përgjigjemi ritmit të saj, me zgjedhjet që bëjmë, me vendimet që marrim dhe me zgjidhjet që duam. Sukseset e mëdha mbartin edhe rreziqe të mëdha, varet sa e kemi oreksin e dëshirave, pritshmërive dhe impulseve tona. Por nuk ka sukses dhe arritje pa mundësinë e dështimit dhe humbjes. Ka rëndësi, që edhe nëse humbasim një betejë, të mos humbim luftën.

Psika: Emëroni një fenomen që ju jeni të turpshëm për të bërë, sepse askush tjetër rreth jush nuk e bën atë.

Dragoti: Mashtrimi, që megjithëse është mekanizëm mbrojtës për individin, unë nuk do ta bëja dot. Sepse duke qenë i hapur, preferoj të jem i drejtpërdrejtë. Natyrisht, në këtë rast mund të krijohet përshtypja se je naiv, se të tjerët mund të përfitojnë prej teje ose mund të marrin avantazh në procesin e komunikimit, se marrin më shumë informacion për ty dhe të japin më pak, se në këtë mënyrë, mund të të kenë në kontroll. Por në të vërtetë, përfitimet tona nga vetëhapja dhe sinqeriteti janë më të mëdha. Sepse ndihesh më mirë me veten. Nuk akumulon dhe mbart me vete pakënaqësi, negativitet, inate, zemërim dhe urrejtje. Të gjitha këto veçori negative kanë efektin e topit të borës që bëhet ortek kur i mbajmë brenda vetes dhe nuk i transferojmë jashtë saj. Kjo i ngjan rastit kur ne e mbajmë helmin brenda vetes me shpresën se po vdes ai, që na helmoi, por në fakt kemi vdekur vetë.

Psika: Cila është ajo cënueshmëri/dobësi e psikologjisë njerëzore e cila përdoret me ndërgjegje/nënkuptim nga politikanët apo njerëzit me autoritet/famë?

Dragoti: Egocentrizmi pa kufi, që është gjeneratori i gjithë çrregullimeve të personalitetit; paaftësia për të pranuar ekzistencën e të tjerëve, e mendimit tjetër, e të vërtetave të tjera; mungesa e ndjenjës së masës, mungesa e ndjeshmërisë ndaj nevojave dhe dëshirave të të tjerëve; devijancat dhe deformimet patologjike, që nuk korrigjohen dot; dhe mungesa e dëshirës për të ndarë kohën dhe ndjenjat pozitive me të tjerët. Natyrisht, këto janë të dëmshme kur ndodhin shpesh dhe në përmasa të pazakonshme. Sepse , nëse do studiojmë veten dhe sjelljen tonë me imtësi, do të shikojmë dhe do të gjejmë të gjitha këto elemente dhe veçori të sjelljes që nuk i duam dhe i dënojmë tek të tjerët. Por në dallim nga egocentrikët patologjikë, ne nuk i kemi veçori të sjelljes sonë, por mbartim vetëm mundësinë për t’i pasur. Siç thotë një fjalë e urtë e popullit tonë: janë brenda tek i gjalli, edhe ëngjëlli edhe djalli.

Psika: Sa ndryshon praktikimi i teorive psikologjike në jetën e përditshme, në baza kontekstuale?

Dragoti: Teoritë psikologjike kanë dalë nga jeta e përditshme dhe nëse i mendon si pjesë e saj, nuk është e vështirë t’i vësh në funksion të të përditshmërisë. Mjafton të mos shkëputesh nga normaliteti i jetës, të jesh pjesë e shoqërisë ku jeton, ta mendosh veten brenda shoqërisë dhe jo mbi të, të jesh me këmbë në tokë, dhe teoritë psikologjike natyralizohen, jetësohen.

Biografi e shkurtër

Edmond Dragoti është profesor në Universitetin e Tiranës, në Departamentin e Shkencave Sociale. Menaxhon procesin mësimor dhe kërkimor të departamentit. Për një periudhë kohore, ka qenë rektor i Universitetit Shtetëror të Beratit. Ka shërbyer edhe si zëvendës ministër i Shkencës, Teknologjisë dhe Sportit. Ka qenë udhëheqës i shumë hulumtimeve, trajnimeve dhe shërbimeve sociale. Është autor i shumë librave shkollorë mbi psikologjinë dhe të tjera. Ka një numër enorm të publikimeve shkencore.

Intervistoi: Fjolla Avdyli (Revista Psika)