“Unë di një gjë, që s’di asgjë”
– Sokrati

E një gjase të madhe është mundësia se ju në një debat me familjen apo me shoqërinë keni hasur në dikë që me mburrje flet për një temë të caktuar në një mënyrë shumë bindëse, duke shprehur me plot guxim se ai dhe vetëm ai ka të drejtë. Madje për këtë person mendimi i të gjithë të tjerëve përreth tij nuk ka aspak vlerë ose është plotësisht mendim i gabuar. Mirëpo për të gjithë personat e tjerë në debat është qartë e dukshme se ky person nuk e ka idenë se për çka po flet, megjithatë ai vazhdon e vazhdon të flas, pa asnjë mëdyshje për diturinë e tij.

Këtë fenomen për herë të parë e shpjeguan dy psikologë social, Dejvid Dunning dhe Xhastin Kruger, e tani njihet si efekti Dunning-Kruger. Në studimin e tyre, psikologët kryen një seri prej katër hulumtimeve ku zbuluan se njerëzit që arritën pikët më të ulëta në testet e gramatikës, humorit dhe logjikës ishin po ata që kishin një tendencë të mbivlerësonin në mënyrë dramatike arritjet e tyre. Rezultatet e tyre aktuale të testit i radhitën ata në përqindjen e 12-të, mirëpo vlerësimet e tyre për veten i radhiten ata në përqindjen e 62-të.
Po këta studies gjetën se njërzit jokompetentë jo vetëm që janë performues të dobët, por, ata po ashtu janë ta paaftë të vlerësojnë me saktësi cilësinë e punës së tyre. Për më tepër, këta performues të dobët nuk ishin në gjendje të njohin aftësitë dhe nivelin e kompetencës të personave të tjerë, gjë që është pjesë e madhe e arsyes se pse ata e shohin vazhdimisht veten më të mirë, më të aftë e më të ditur se të tjerët. Kjo është edhe arsyeja se pse studentët që dështojnë në provimet e tyre kanë një ndjesi se ata kanë merituar një notë më të lartë. Kjo ndodh ngase ata e mbivlerësojnë dijen dhe aftësitë e tyre dhe prandaj janë të paaftë të shohin dobësinë e performancës së tyre (Dunning&Kruger).

Le të supozojmë se disa njerëz kanë para vetes një projekt kompleks për të kryer, qoftë ai ndërtimi i një banese funksionale, hartimi i një argumenti ligjor, ose mbrojtja e vendit nga sulmet terroriste.
Informacioni i rëndësishëm për këtë projekt mund të ndahet në tri kategori të ndryshme:
Së pari, ekziston “njohuria e njohur”, që është informacioni që njerëzit e kanë dhe janë të vetdijshëm që e kanë.
Së dyti, ekziston “e panjohura e njohur”, që është informacioni që njerëzit nuk e kanë dhe e dinë se u mungon.

E fundit por më e rëndësishmja për këtë analizë mbi injorancën është “e panjohura e panjohur”, informacion që është shumë i rëndësishëm por që njerëzit nuk e dinë se u mungon. Këto janë çështjet të cilat personi as nuk mund t’i konceptojë. Janë pyetjet për të cilat personi nuk ka dije të mjaftueshme që t’i vë në pah. Ky nocion i referohet çdo informacioni që shtrihet jashtë fushës së dijes së personit. Nocioni mund t’i referohet problemeve potenciale që personi nuk i parashikon; veprimeve që janë thelbësore për të arritur suksesin për të cilat personin nuk ka dijeni; lëvizjeve apo strategjive të mundshme të një vendimi të cilat mund të arrihen vetëm nëse vendim-marrësi di për ekzistencën e tyre; të pa
parashikuarave që kërkojnë parapërgatitje sikur të kishte paralajmërim dhe zgjidhjeve që personi do i arrinte vetëm e vetëm nëse ai do ishte intuitiv (Dunning, 2011).
Ky efekt mund të ketë një ndikim të thellë në veprimet e njerëzve, në atë se çka ata besojnë dhe në vendimet që ata marrin për të ardhmen e jetës së tyre.

Autore:
Blerina Maliqi

Referencat:
Kruger, J & Dunning, D. (1999). “Unskilled and unaware of it: How difficulties in recognizing one’s own incompetence lead to inflated self-assessments”. Journal of Personality and Social Psychology, 77(6), pp. 1121-1134.
Kruger, J & Dunning, D. (2011). “On Being Ignorant of One’s Own Ignorance”. Advances in Experimental Social Psychology, 44, pp. 247-296.