Dhuna seksuale gjatë luftës nuk mund të kuptohet dhe të trajtohet vetëm si një traumë psikologjike apo fizike, e cila shërohet me kalimin e kohës, për shkak që ajo ka ndikim gjatë gjithë jetës dhe ndër breza. Gati dy dekada pas përfundimit formal të luftës në Kosovë, tregimet e torturës dhe abuzimit seksual po mbahen të heshtura, dhe jashtë narracionit të luftës dhe diskursit publik. Kjo për shkak të stigmës së madhe që i nënshtrohen ata/ato.

Ekzistimi i stigmës, argumentohet përmes rrëfimeve të të mbijetuarëve, si dhe nga personat relevantë që merren me çështjet e dhunës seksuale. Pasi që në shekullin që po jetojmë, dhuna seksuale po luftohet që të mos përdoret si mjet lufte, në këtë hulumtim janë përmendur arsyet se pse për serbët, dhuna seksuale ka qenë ndër mjetet më të rëndësishme për ta.

Qëllimi i këtij hulumtimi është të analizojë gjendjen e të mbijetuarëve/ave të dhunës seksuale gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë, si dhe të jap përgjigjje për pyetjen hulumtuese, se a janë të stigmatizuar/a ata/ato. Analiza fillon duke definuar se kush është i/e mbijetuar e dhunës seksuale, pasi jo çdo i/e mbijetuar mund të njihet si i/e tillë.


Metodologjia

Metodologjia e këtij hulumtimi ka qenë e kombinuar me theks të veçantë në analizën cilësore, përmes aplikimit të burimeve primare ku është intervistuar drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti si dhe janë aplikuar burimet dytësore përmes shqyrtimit të literaturës (analizave, hulumtimet paraprake, si dhe kornizën ligjore). Po ashtu në këtë hulumtim është bërë krahasimi i gjendjes së të mbijetuarëve të dhunës seksuale në Kosovë me vendet si Gjermania dhe Bosnja e Hercegovina.  

Arsyeja pse është krahasuar me Gjermaninë, është bërë në mënyrë që të merret si shembull për trajtimin dhe luftimin e stigmës. Ndërsa arsyeja pse është krahasuar me Bosnjën, është se agresori ka qenë i njëjtë (serb), numri i të mbijetuarëve ka qenë pothuajse i njëjtë, po ashtu trajtimi i tyre nga ana institucionale ka qenë e mangët ngjashëm me rastin e Kosovës, si dhe luftimi i stigmës mbetet sfidë për të dyja vendet.

Kuptimi i dhunës seksuale – Dhuna seksuale është një formë veçanërisht e urryer e dhunës, e cila përfshinë përdhunimin, si dhe çfarëdo sulmi tjetër të natyrës seksuale, të kryer kundër grave, vajzave, burrave, dhe djemve. Pasojat e saj mund të jenë brutale, dhe përfshijnë pasoja fizike dhe psikologjike, për të mbijetuarit si dhe për dëshmitarët. Në disa rrethana, dhuna seksuale përbën krim sipas të drejtës ndërkombëtare: krim lufte, krim kundër njerëzimit, dhe/ose një akt gjenocidi, ku elementet e këtyre kategorive të krimeve plotësohen, dhe mund të hetohen, ndiqen penalisht si të tilla, në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Kuptimi i stigmës – Stigma nënkupton ndotje të personalitetit, dhe nga shoqëria konsiderohet imorale. Njerëzit të cilët janë të stigmatizuar shpesh quhen të “ndryshëm”, Dhe si rezultat përjashtohen, dhe zhvlerësohen nga shoqëria. Stigma mund të jetë disa lloje: stigma familjare, vet- stigma, stigma institucionale, stigma sociale.       


Kush është viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë?

Viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, është personi i cili i ka mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit brenda periudhës 27.02.1998 deri më 26.06.1999. Gjatë kësaj periudhe dhunimi, dhuna seksuale ndaj grave ishte instrument i luftës dhe pjesë e strategjisë për spastrim etnik. Njëra prej arsyeve pse Serbia e përdori dhunën seksuale si mjet lufte, është tradita në të cilën janë bazuar shqiptarët, dhe gruaja ka qenë “nderi” i familjes, “kështu ata dëshironin që përmes abuzimit seksual t’i lëndojnë gratë, por edhe të shkaktojnë, largojnë mllef tek burrat e tyre, dhe në këtë mënyrë të përhapin animozitet mes familjeve kosovare, dhe t’i ndajnë gratë nga burrat e tyre. Abuzimi seksual ka ndodhur në prani të familjes, vajzat ishin përdhunuar para syve të baballarëve të tyre, gratë përpara syve të burrave… Vetëm për të dehumanizuar, vetëm për të përulur”. Gati 20 vite pas luftës, të mbijetuarit e dhunës seksuale nuk flasin për dhunimin që i’u ka ndodhur me frikën se familja i paragjykon, po ashtu edhe rrethi shoqëror. Arsyeja pse ato ndihen të stigmatizuar/a, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës Feride Rushiti, thotë është fakti se “ato viktima kanë qenë pjesë e diskursit patriakal në shoqëri, dhe si rezultat i kësaj familja i ka pa si pjesë të “marres”, pasi nderi i familjes ishte i lidhur me ato. Në rastet kur trauma ka qenë e përbashkët, po ashtu është përkujtuar njëjtë, por ndonjëherë kjo traumë është kthyer në dhunë fizike”.   

Mirëpo, kjo dhunë është manifestuar në forma të ndryshme: disa prej vajzave i kanë mbajtur në ahur (vendqëndrim i kafshëve), i kanë martuar me burra me moshë dyfish më të madhe se ato, apo me njerëz skizofrenë. Ka shumë prej atyre rasteve kur të mbijetuarat i kanë treguar bashkëshortëve se janë abuzuar seksualisht dhe ata janë ndarë prej tyre.

Njëra prej të mbijetuarave Viki, tregon: …”Erdh burri jem tha “Prej sodit ma, s’ je gruja jeme”. Ajo tregon se pas përfundimit të luftës kishte shkuar në Belgjikë, dhe pas tre viteve është kthyer, mirëpo burri i saj e kishte dhunuar:… “Mas tri vjete që jom kthy n’Kosovë, osht ardhë burri. Edhe n’prezencë t’ vajzave m’ka dhunu, thejke “A osht mire me të dhunu paramilitarët?” Edhe ajo i bjen dhunë se tri vjet s’e kom pa. “A osht mirë me t’ dhunu, a osht kënaqësi?, A o knej?, A o anej?”- Bërtitke…”  

Njëra prej të mbijetuareve E.T tregon se e ka përjetuar dy herë dhunën seksuale brenda disa javësh. Ende lufton me pranimin nga familjarët, djali i vogël ish ushtar i UCK-së, e ka vëzhguar nga larg se si gratë janë futur në shtëpinë ku është bërë dhunimi. E ka parë edhe nënën e tij, por nuk e mbështet përkundrazi e gjykon ende për këtë tragjedi, e torturon me pyetjen pse hyre në atë shtëpi?!  

Ajo rrëfen:”Djali i vogël na kish pa që na kanë shti n’atë shpi e po thotë: ”Pse pranojshe me hi qaty? Pse hishit?. Djali ushtar. Ushtarë me ushtarë na ka pa. Na kanë përcjellë nëpër male. Edhe “për çka ti ki pranu me hi n’ atë shpi?” O djalë une menjen e kisha që ka me u vra ose mu bo masakër krejt. Ose me ma hjek kam a dorë a me m’ lanë t’paaftë. Po ata s’ ëm lanë të paaftë por kishin qef me i kry dëshirat e veta. Une shumë, shumë jom kanë keq me ta me qetë ushtarin, s’ ëm ka pëkrahë hiq. Edhe sot kom probleme me ta. O martu, ka familje, edhe qashtu”.

Pra stigma filloi prej njerëzve që ato i konsideronin më të afër, pastaj kaloi tek shoqëria.

H.A tregon se për shkak të fjalëve dhe paragjykimeve të njerëzve, së bashku me burrin ndërruan vendbanimin. “…Edhe tani qashtu e kena vazhdu jetën… Tani çika e vogël u rrit. S’ di qysh edhe prej fjalëve, prej rrethanave në fshat të burrit tem, tani ma nuk mujtëm me nejtë aty. Fillun me fol njerëzit. Edhe na e lamë fshatin tonë e dulum me nji qytet tjetër. N’përgjithësi, n’përgjithësi, kanë fillu n’ përgjithësi me fol. Burri më tha: “M’thojnë edhe mu, gruja jote kështu e kështu. Ma mirë po e lëshojmë fshatin krejt. Edhe jemi dal n’ qytet, aty n’ shpi t’ hujë kemi nejtë kemi jetu, si ma zi.   Tani sot e asaj dite, shumë e randë shumë… Sot thom Zot, s ‘osht me jetu për neve, me na pa dikush. Shumë keq, shumë randë e nij veten. Ama, përveq burrit, këta nuk e dinë. Veç vetë si t’ dal n’ rrugë m’duket se tanë po m’ kqyrin”.

Pra ato përveq dhimbjes që e kanë ndjerë nga tortura fizike dhe psikike, janë frikësuar edhe nga fjalët dhe paragjykimet e njerëzve, dhe nga stigmatizimi që po i kaplonte.


Krahasimi i rastit të Kosovës me rastin e Bosnje e Hercegovinës

Më tepër se 20 mijë gra boshnjake u bënë objekt i përdhunimeve dhe dhunës seksuale gjatë luftës në Ballkan. Shumë prej tyre u ndaluan për muaj të tërë, u torturuan dhe mbetën shtatzënë me forcë. Ngjashëm me rastin e Kosovës, edhe në Bosnje një numër i madh i grave të dhunuara gjatë luftës 1992-1995, nuk e paraqesin rastin e tyre për shkak të stigmës, nga frika e fjalëve dhe paragjykimeve të njerëzve. Sikur në Kosovë edhe atje ekziston ”turpi” për të folur për këtë temë.  ”Është e domosdoshme që të ndryshohen qëndrimet e njerëzve në mënyrë që të stigmatizohen kryesit e veprave dhe jo viktimat”. Ky mesazh duhet të vlejë edhe në Kosovë, në mënyrë që shoqëria apo institucionet të mos i stigmatizojnë të mbijetuarit/at dhe t’i shoh si turp, por t’i trajtojë në mënyrë të duhur, dhe njëjtë me personat e tjerë të shoqërisë. Kjo në shoqërinë Boshnjake, ka arritur deri në një shkallë duke u përmirësuar dukshëm por në shoqërinë Kosovare ende ka shumë për tu bërë.


Krahasimi i rastit të Kosovës me rastin e Gjermanisë

Gjatë luftës së dytë botërore, në Gjermani janë dhunuar me mijëra gra dhe burra nga trupat ruse (ushtria e kuqe). Pas humbjes në luftë, Gjermania u detyrua t’u paguajë viktimave dëmshpërblime, pjesërisht individuale, por kryesisht shteteve si reparacione të luftës. Mirëpo, procesi gradual i ballafaqimit me të kaluarën nuk nisi deri në vitet 1970- ta. Grupet e margjinalizuara u njohën zyrtarisht dhe morën kompensim financiar dhe fonde nga shteti. Sado e rëndësishme që ishte kjo si arritje shoqërore, çështja e dhënies së përgjegjësisë për këto krime u ngrit disa vite më vonë dhe krijoi një formë të reflektimit, dhe vetë- sigurimit shoqëror që nuk duhet të nënvlerësohet. Në vijim mund të shihet se si Gjermania trajtoi krimet e kryera gjatë të kaluarës së saj naziste, dhe si Kosova t’i trajtojë njësoj:

● Një mënyrë e sinqertë e trajtimit të krimeve shtetërore mund të kontribuojë që të sigurohet që të mbijetuarit, dhe të afërmit e tyre të marrin kompensim. Përveç mbështetjes financiare, njohja shoqërore mund të jetë një kontribut i rëndësishëm për një fillim të ri. Njohja e viktimave të huaja (vendeve tjera), paraqet një hap të rëndësishëm në politikën e mirëkuptimit dhe njohjes reciproke.

● Çështja e dhënies së përgjegjësisë kryerësit e krimeve, në institucionet publike, mund t’u ndihmojë gjeneratave të ardhshme t’i vlerësojnë veprimet e qeverisë me një sy kritik, dhe të mos lejojnë diskriminimin e viktimave të kaluarës dhe atyre të tanishëm.

● Vetëm nëse e kaluara trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, është e mundur të parandalohet rishfaqja e saj, të ketë pranim shoqëror, dhe përmes ballafaqimit me kundërshtarët e dikurshëm, për të shmangur konfliktet e reja.

● Nëse e kaluara, përfshirë pjesën e pakëndshme për secilën palë, shtypet, ekziston një rrezik konstant që ajo të rishfaqet dhe të vazhdojë konflikti..


Konkluzione

Në bazë të analizave të këtij hulumtimi, mund të konkludojmë se qëllimi pse është përdorur dhuna seksuale si mjet lufte në Kosovë, është arritur. Kjo pasi 19 vite pas luftës të mbijetuarit/at e dhunës nuk kanë guxim ta tregojnë rrëfimin e hidhur të tyre, kjo për shkak të stigmës së madhe që ekziston në shoqërinë tonë. Para një muaji, këtë stigmë e sfidoi e mbijetuara e cila ishte dhunuar dy herë nga serbët Znj.Vasfije Krasniqi- Goodman, e cila publikisht e tregoi rrëfmin e saj. ”Njëra prej arsyjeve pse doli publikisht ishte që të tregonte sistemin e dështuar të drejtësisë në Kosovë, që s’ ka arritur deri më tani, as një krim të luftës ta çojnë deri në fund, dhe të mos jenë në gjendje të japin dënimin e merituar kryesëve të krimit.”  

Vënia e të mbijetuarëve të dhunës seksuale në qendër të vëmendjes në këtë hulumtim, na shtyn të shqyrtojmë rolin e institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, organizatave joqeveritare, akademive etj., në trajtimin e dhunës me baza gjinore gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.

Nëse shoqëria nuk i përkrah të mbijetuarit/at, atëherë ata/ato do të vazhdojnë të vuajnë nga depresioni, stresi postraumatik, po ashtu ta kenë dëshirën për vetëvrasje. Neglizhimi i tyre shkakton barrierë në formimin e një shoqërie paqësore dhe me mirëqenie psikologjike.


Autore:

Krenare Rushiti

Referencat:

Balkan insight. (2014).”Viktimat e dhunës seksuale në Bosnje të stigmatizuara.”

Markus, F. (2010). “Victims Rights and Advocacy at the international Criminal Court.”

Balaj, B. (2018). “Deri tani kemi pranuar 780 aplikacione për statusin e viktimës së dhunëseksuale, 6 meshkuj kanë fituar këtë status.” Gazeta Telegrafi.

Intervistë me Feride Rushiti- Drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës (Prishtinë, Nëntor – 2018).

Vjollca Krasniqi, – Libër kujtimi me rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë “Unë dua të dëgjohem” (Prishtinë, 2017).                                     

Kuvendi i Republikës së Kosovës. (2014). Ligji nr.04/L-054 për statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Viktimat e dhunës seksuale të luftës, Viktimat civile dhe familjarëve të tyre.

Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës Kundër Grave dhe Dhunës në Familje. (Stamboll, 2011).

Thomas, L. (2015). “Kujtimet e viktimave të luftës dhe tiranisë, një reflektim i përgjithshëm Lutz në kontekstin Gjerman”.
Balkan perespectives. Protokollimi dhe dokumentimi i dhunës seksuale në konflikt, (Qershor – 2014).