Psika:  Cilat janë disa rekomandime që mund t’i  bëhen shtetit tonë, për të ndihmuar në përmirësimin e cilësisë në qendrat e edukimit të fëmijërisë së hershme?

Gjelaj: Edhe pse përqindja e përfshirjes së fëmijëve në fëmijërinë e hershme në edukim të institucionalizuar është më e vogla në rajon, pra, shumica e fëmijëve kosovarë janë jashtë këtij sistemi, cilësia në Institucione parashkollore nuk ishte ndonjë prioritet i politikave arsimore. Nga këndvështrimi im profesional, mendoj se  përmirësimi i cilësisë në edukimin parashkollor në Institucionet parashkollore, kërkon investim fillimisht në krijimin e infrastrukturës dhe pastaj në cikëshillimit të vazhdueshëm. Synim i veçantë duhet të jetë rritja e përfshirjes së fëmijëve në mënyrë që secili prej tyre ta realizojë këtë të drejtë për edukim. Rritja e përfshirjes mund të bëhet përmes hapjes së klasave parashkollore në kuadër të shkollave, sidomos nëpër fshatra, ku përfshirja është më e ulët dhe në këto klasa të pranohen edhe fëmijët më të vegjël, së paku prej 3 deri 6 vjeç. Për momentit pranohen vetëm fëmijët 5 deri 6 vjec. Klasat e tilla, duhet të kenë një ambient motivues dhe të përshtatshëm për moshën. Pra, nuk duhet që ambienti t’i ngjajë një klase të arsimit fillor por të gjitha orenditë të jenë për këto grup-mosha. Gjithashtu, ambienti duhet të jetë i pajisur me lodra e materiale didaktike përmes të cilave stimulohet zhvillimi psiko-motorik i fëmijëve. Edhe pse ambient shkolle, fëmijët duhet të jenë të lirë për të lëvizur dhe për të zbuluar botën që i rrethon përmes lojës.

Edukimi në fëmijërinë e hershme dallon dukshëm prej edukimit formal në shkollë dhe kjo duhet të jetë evidente edhe në institucionet tona. Rritja e cilësisë në këtë nivel të edukimit (0 deri 6 vjeç), mund të bëhet me anë të një plani strategjik nga ekspert të kësaj fushe. Fillimisht duhet dalur nga problemi i krijuar nga vet MASHT, përmes dizajnimit të një Kurrikule Bërthamë për klasat 0 (klasat përgatitore) e cila është e bazuar në 7 fusha, ku edukatorët e këtij niveli punojnë me një orar shkollor dhe fëmijët i mësojnë përmes 10 lëndëve mësimore. Ky është një gabim trashanik dhe kjo e dëmton dukshëm cilësinë e edukimit të fëmijëve parashkollor. Dizajnimi i një planprogrami të integruar me një filozofi ku fëmijët mësojnë duke luajtur është zgjidhja e vetme. Kopshtet dhe çerdhet, duhet ndarë në grupe, ku secili kopsht zgjedh një metodologji të caktuar pune (psh, Hap pas Hapi, Montesori, Regjio Emilia, Waldorf, etj) dhe të investohet në zhvillim profesional të eduaktorëve për atë metodologji të punës. Edukatorët janë të hutuar dhe nëse i pyet me cilën metodologji punoni, ata nuk janë në gjendje të të tregojnë me saktësi. Eduaktorja nuk mund të përqafojë dhe të punojë me 3 metodologji të edukimit parashkollor. Metodologjitë e veçanta kanë filozofi të caktuar që dallon njëra nga tjetra. Edukatorët duhet të zgjedhin njërën dhe ta vazhdojnë me atë çasje. Edhe prindërit do të zgjedhin pastaj në cilin kopsht do ta dërgojnë fëmijët e tyre, bazuar në metodologjinë që kopshti ofron.

Psika: A mund të na flisni pak për përdorimin e teknologjisë në moshën e hershme, jeni pro apo kundër?

Gjelaj: Debati në lidhje me përdorimin e tekonologjisë ka kaluar nivelin e diskutimit pro apo kundër teknologjisë. Tani, orientimi i këtij debati duhet të drejtohet në çështjet që kanë të bëjnë me: kohën sa duhet përdorur, përmbajtjet që duhet përdorur, cilësinë e aplikacioneve dhe nivelin edukativ që ato ofrojnë, kujdesin që duhet patur ndaj përmbajtjeve të rrezikshme, bashkëpunimin e kopshtit me prindërit në lidhje me përdorimin e teknologjisë digjitale. Fëmijët janë gjenerata të së ardhmes dhe e ardhmja pa dyshim lidhet shumë me teknologjinë, prandaj ne duhet t’i përgatisim fëmijët për këtë të ardhme. Unë mendoj se duhet investuar në dizajnimin e programeve edukative në gjuhën shqipe, në mënyrë që fëmijët e vegjël të mësojnë koncepte të ndryshme por në gjuhën amtare. Disa vëzhgime që janë bërë në disa kopshte te Kosovës, flasin për probleme te shumta në të folurit e fëmijëve, sidomos në gjuhën shqipe. Fëmijët ose nuk e flasin mirë gjuhën e tyre amtare ose nuk e flasin fare atë. Edhe pse studimet flasin se mosha më e lehtë për mësimin e gjuhës së huaj është fëmijëria e hershme, personalisht mendoj se nuk do të duhej të ishte prioritet i prindërve të sotëm. Gjuha e huaj mund të mësohet lehtësisht edhe në shkollën fillore e edhe më vonë, pa asnjë problem.

Psika: Sa është e lartë përfshirja (interesi) e prindërve në arsimin e hershëm të fëmijërisë? A mund të ndani një këshillë për të gjithë prindërit dhe kujdestarët, se pse është i rëndësishëm vijimi i edukimit të hershëm për fëmijët e tyre.

Gjelaj: Nuk është se prindërit në Kosovë nuk interesohen për fëmijët e tyre në çdo moshë, por drejtimi i interesimit të tyre është pak i çuditshëm. Prindërit e rinj, mund të ndahen në dy grupe: në prindërit që stërngarkojnë fëmijët e vegjël me angazhime nga më të ndryshme, përmes kurseve të llojllojshme (baleti, gjuha angleze, piano, një sport etj), dhe grupi i prindërve të cilët mendojnë se fëmijëria e hershme është një moshë që fëmijën duhet lënë të lirë, të luaj, të mos merresh shumë me të sepse do të vijë koha kur të shkojë në shkollë, ku e rëndësishme për ta është mirëqenia fizike dhe shëndetësore, të ngopen me gjumë dhe ushqim dhe mjafton me kaq. Është e rëndësishme që prindërit të kuptojnë se rolin e tyre nuk e zëvendëson askush dhe se ata kanë një rol tejet të rëndësishëm në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve gjatë fëmijërisë së hershëm. Prindërit duhet të ndajnë kohë për fëmijët e tyre të vegjël, duhet të flasin me fëmijët e vegjël sikur ata të ishin të rritur, të flasin tema të ndryshme për botën, për çdo gjë që fëmijët bëjnë pyetje. Në këtë moshë fëmijët janë tejet kuriozë, ata duan të dijnë gjithçka, ndërsa prindërit nuk duhet t’ua shuajnë kurreshtjen, duke kërkuar nga ata të heshtin por duhet dhënë përgjigje në çdo pyetje. Nëse nuk e dinë përgjigjen, duhet bashkë me ta të hulumtojnë libra, internetin ose të bëjnë ndonjë eksperiment të vogël në mënyrë që t’i përgjigjemi pyetjes së fëmijës. Prindërit nuk duhet të investonjë në asnjë mënyrë në rroba apo në lodra të shtrenjta. Fëmijët e vegjël duhet të luajnë me lodra që i ndërtojnë vet, me blloqe druri, me gjëra nga natyra, me rërë, me baltë, me degë druri, me gjethe, ose me materiale të tjera rickluese. Në çdo familje ne hedhim shumë mbeturina që në fakt do të mund t’i përdornin fëmijët për të luajtur. Një kuti këpucësh mund të shëndrrohet në djep ose shtrat për kukulla, disa kuti qumështi mund të ndërtojnë një tren, me kapakë të shisheve mund t’ua mësojnë fëmijës matematikën, etj.

Psika: Çfarë  kompetenca të veçanta sipas jush duhet të ketë një individ,  për të dhënë mësim në klasat e hershme të edukimit?

Gjelaj: Kompetencat kryesore te edukatorëve janë të përcaktuara në nivel ndërkombëtar. Në shumicën e vendeve evropiane por edhe më gjerë, kërkohet që një edukator të jetë në gjendje të komunikojë drejtë me fëmijët, të jetë në gjendje të planifikojë punën me fëmijët, të jetë në gjendje të bashkëpunojë me familjen dhe komunitetin, t’i trajtojë fëmijët pa dallim dhe të synojë gjithëpërfshirjen, të sigurojë një ambient motivues për të nxënë, të përdorë strategji të ndryshme që promovojnë të nxënit si dhe të vlerësojnë nevojat e fëmijëve dhe të përcjellin zhvillimin e tyre.

Psika: Cilat ndërhyrje mësimore besoni se janë më efektive?

Gjelaj: Të mësuarit përmes lojës duhet të jetë parimi themelor i çdo edukatori dhe prindi me qëllim të zhvillimit të integruar të fëmijëve.  

Psika: Cili është mendimi juaj për përdorimin e literaturës “humoristike” për të përmirësuar angazhimin e leximit të fëmijëve?

Gjelaj: Rekomandohet që librat që u lexohen fëmijëve dhe sidomos në fëmijërinë e hershme, të kenë qasje pozitive dhe optimiste. Nuk rekomandohen përrallat pesimiste të cilat mërzisin fëmijët ose tregime ku fëmijët bëjnë mashtrime, gënjeshtra, vjedhje, mshefje të fajit etj. Fëmijët duhet të mësojnë prej shembujve pozitiv dhe mendoj që humori mund të ndikojë pozitivisht në të nxënit e tyre. Fëmijët e lumtur e kanë më të lehtë edhe të integrohen në lojë dhe të mësojnë më lehtë.

Psika: Cili mendoni që është dallimi kyq në mes të kujdesit ditor familjar dhe kujdesit ditor të qendrës edukuese?

Gjelaj: Dallimi është shumë i madh dhe ka rëndësi të madhe ky dallim. Një fëmijë që rritet në familje, edhe nëse kujdesin e merr nga nëna, asnjëherë nuk mund ta ketë ditën aq të organizuar dhe të strukturuar sa në kopsht. Duke u nisur nga rutina e gjumit, ushqimit, lojës, kohës në oborr etj. Edhe nëse një nënë synon të krijojë dhe respektojë një rutinë të tillë, kushtet dhe mentaliteti në të cilin jetojmë, të pengon në respektimin e orarit të synuar. Përveç kësaj, prindërit mund të bëjnë gabime të shumta në edukimin e fëmijës, ata nuk janë të përgatitur profesionalisht sa janë edukatorët për të përkrahur zhvillimin optimal të fëmijës së tyre. Prindërit, shpesh, nga dashuria e madhe që kanë për fëmijën e tyre, plotësojnë dëshira dhe teke të fëmijëve të cilat janë në kundërshtim me edukimin e mirëfilltë që da ta merrte në kopsht. Edukatorët nuk kanë kohë as mundësi. të plotësojnë çdo dëshirë të fëmijëve dhe kjo i bën fëmijët personalitete më të mirë dhe më të përgatitur për jetën, kur dihet se në jetë nuk mund të kemi çdo gjë që duam. Ka dhe mangësi të tjera edukimi në familje, psh: ndikimi i gjyshërve, të cilët shpesh ndërhyjnë në edukim, sipas mendimit të tyre në të mirë të fëmijës por shpesh kjo ndikon që fëmija të humbasë besimin tek prindërit dhe kjo nuk do të duhej të ndodhte. Fëmijët mund të mësojnë shumë gjëra pozitive nga gjyshërit por pas qëndrimit ditor në kopsht ose në shkollë, do të ishte më e preferueshme.

Psika:  Në cilat mënyra mendoni se prindërit mund të ndikojnë në vetë-konceptin akademik të fëmijëve të tyre?

Gjelaj: Rekomandohet që prindërit mos të kryejnë shumë gjëra në vend të fëmijëve të tyre të vegjël. Tradicionalisht ne kujdesemi më tepër se që duhet për fëmijët e vegjël. Kjo, me fjalë të tjera nënkupton se në nuk kemi besim tek fëmijët e vegjël për shumë gjëra që ata mund t’i bëjnë vet. P.sh, ne i veshim fëmijët tanë deri sa të shkojnë në shkollë ose edhe më gjatë, ne i ushqejmë ata deri vonë, ne i lajmë ata dhe i’u bëjmë edhe shërbime të tjera siç është mbathja e këpucëve, palltos, mledhja e lodrave pasi që ata i hedhin nëpër dhomë, palosja e rrobave, rrregullimi i shtratit etj., që të gjitha këto veprime tona e pengojnë ose e dëmtojnë zhvillimin e tyre të përgjithshëm. Përvç që nuk i lëmë të zhvillohen e të mësojnë ne u’a humbasim edhe vetëbesimin se ata mund të bëjnë një punë pa ndihmën e prindërve. Kjo i dëmton shumë arritjet akademike të tyre në të ardhmen. Nëse prindi nuk beson se fëmija i tij 3 vjecar nuk mund të vishet dhe të mbath këpucët, për fëmijën kjo është një humbje e madhe e vetëbesimit për aftësitë personale të tij. Unë i lus prindërit, mos u kryeni fëmijëve tuaj shumë shërbime! Kjo i dëmton shumë ata!

Psika:  Sa janë të informuar fëmijët në vendin tonë për mësimin/edukimin e tyre? Sa e shohin të rëndësishëm atë?

Gjelaj: Fëmijët tanë e shohin edukimin ose arsimimin e tyre si diçka që nuk e bëjnë për veten e tyre por për prindin ose për mësuesin. Çdo detyrë që kryejnë nuk e shohin nga këndi i personal i përfitimit nga ai proces por nga këndvështrimi i prindit (sa do të mburret ose gëzohet prindi) dhe nga ai i mësuesit (sa do të jetë i kënaqur mësuesi me mua). Duhet investuar që vlerësimi i diturive dhe shkathtësive në shkollë të ketë qasje vetëvlerësimi më tepër se sa vlerësimi nga mësuesi. Fëmijët në këtë mënyrë do të flasin në vetën e parë njëjës, psh: “unë kam bërë këtë detyrë, kam kuptuar këtë, nuk e kam kuptuar atë, jam në gjendje të bëj këtë, nuk mund ta bëj këtë…” në këtë mënyrë ata do të ndihen përgjegjës për të nxënit e tyre dhe këtë do ta bëjnë për veten e tyre.

Biografi e shkurtër

Majlinda Gjelaj punon në Fakultetin e Edukimit në Universtietin e Prishtinës. Ka përfunduar doktoraturën në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, në fushën e Pedagogjisë. Ekspertiza e saj e ngushtë ndërlidhet me edukimin në fëmijërinë e hershme. Ajo ka publikuar disa punime shkencore, monografi, libra e materiale edukative për prindër dhe edukatorë. Majlinda është profesor asistent për lëndë pedagogjike dhe ato të edukimit parashkollor. Për katër vite është në pozitën e prodekanes për çështje mësimore në Fakultetin e Edukimit. Ka përvojë në trajnimin e mësimdhënësve dhe edukatorëve në shërbim si dhe është konsulente në MASHT dhe disa OJQ- nacionale dhe ndërkombëtare.

Intervistoi: Fjolla Avdyli (Revista Psika)