Si e formojnë mirëqenien psikologjike përvojat e fëmijërisë?

Studimi i Hou et al. (2022), kishte për qëllim eksplorimin e ndikimit që ka ndërlidhja ndërmjet përvojave të pafavorshme të fëmijërisë (Adverse Childhood Experiences {ACE}) dhe përvojave dashamirëse të fëmijërisë (Benevolent Childhood Experiences {BCEs}) në mirëqenien psikologjike të individëve, në këtë rast pjesëmarrësve të studimit. ACE-të përfshijnë një spektër përvojash të dëmshme të hasura para moshës 18 vjeçare, ndërsa BCE-të përfshijnë përvoja pozitive brenda të njëjtës kohë zhvillimore.

Gjetjet zbuluan një ndërlidhje të fortë në mes të ACE-ve dhe shqetësimeve psikologjike tek pjesëmarrësit, duke përfshirë stresin, pasiguritë, simptomat depresive dhe mendimet për vetëvrasje. Në anën tjetër, BCE-të ishin të ndërlidhura me nivele më të ulëta të shqetësimeve psikologjike, duke u cilësuar si mekanizma mbrojtës ndaj rezultateve negative të shëndetit mendor.

Ndërkaq fokus kryesor i këtij studimi, ishte eksplorimi se si bashkëshfaqja e ACE dhe BCE ndikon në shqetësimet psikologjike. Studimi zbuloi se kur ACE dhe BCE mbivendosen mbi njëra-tjetrën, kishte një efekt zbutës në stres, pasiguri dhe simptoma depresive. Kjo sugjeron që prania e përvojave pozitive në fëmijëri, mund ta zbusë ndikimin negativ të përvojave negative, duke nxitur mirëqenien psikologjike.

Megjithatë, dinamika ishte e nuancuar kur bëhej fjalë për mendimet për vetëvrasje. Gjersa kombinimi i ACE-ve dhe BCE-ve ofroi një efekt mbrojtës, ACE-të ende kishin një ndikim negativ të theksuar.

Kjo nënvizon ndërveprimin kompleks në mes të përvojave të pafavorshme dhe të favorshme të fëmijërisë, duke treguar se ndonëse përvojat pozitive mund t’u mundësojnë individëve të jenë rezilient, ato nuk mund të kundërbalancojnë plotësisht efektet e dëmshme të disa ngjarjeve negative, veçanërisht në shqetësime të rënda psikologjike si medimet apo idetë për vetëvrasje.

Implikimet e studimit janë të thella, duke theksuar rëndësinë kritike të identifikimit dhe mbështetjes së individëve të cilët/at janë përballur me përvoja të pafavorshme përgjatë fëmijërisë, ndërkohë që promovon promovimin e BCE-ve që nga fëmijëria e hershme e tutje. Duke nxitur përvoja pozitive të fëmijërisë, potencialisht mund të zbusim rrezikun e shqetësimeve psikologjike më vonë në jetë.

Kuptimi i këtij ndërveprimi ofron njohuri të vlefshme për zhvillimin e ndërhyrjeve specifike që synojnë nxitjen e përvojave pozitive përgjatë fëmijërisë dhe zbutjen e ndikimit të atyre negative.


Referenca e plotë: Hou, H., Zhang, C., Tang, J., Wang, J., Jiang-Tao, X., Zhou, Q., Yan, W., Gao, X., & Wang, W. (2022). Childhood experiences and psychological distress: Can benevolent childhood experiences counteract the negative effects of adverse childhood experiences? Frontiers in Psychology, 13. https://doi.org/10.3389/fpsyg.2022.800871

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë