“Rinia në Mendje”: Letër nga kryredaktorja

Të nderuara lexuese,
Të nderuar lexues,

Në vatrën e ekzistencës bashkëkohore, në mes të sfidave dhe progresit, lind e rritet një detyrim i pashmangshëm i pranimit dhe adresimit me vendosmëri dhe në mënyrë aktive i rëndësisë së shëndetit mendor në Kosovë, veçanërisht në mesin e të rinjve. Në këtë botim të parë të natyrës së tij në Psikë, ne po i shtojmë një shtytje tjetër udhëtimt, të nisur qysh kohë më parë, në rrugën e mirëqenies mendore, të udhëhequr nga një përkushtim i sinqertë ndaj drejtësisë së ndërtuar mbi themelin e dijes individuale e asaj kolektive.

Në një mjedis të harrnuar nga trashëgimia e historisë dhe idealet bashkëkohore, të rinjtë e Kosovës përballen me një set unik e dinamik sfidash. Për t’i kuptuar, vërtet, sfidat e të rinjve të Kosovës, duhet të njohim dhe adresojmë shumëllojshmërinë e forcave që formojnë përvojat e tyre. Nën lojën ndërvepruese të dinamikave shoqërore, zgjatimeve teknologjike të përvojës njerëzore, presioneve psikologjike, pabarazive e padrejtësive të injoruara, shëndeti dhe mirëqenia mendore e të rinjve vijnë si një thirrje e zhurmshme, e dëgjueshme vetëm kur vendosim ta dëgjojmë, për vëmendje e kujdes të shtuar.

Pavarësisht gjuhës së kufizuar, deri diku çorientuese, në fushën e shëndetit mendor, përfshirë këtu edhe vetë togfjalëshin “shëndet mendor”, që na bën të mendojmë se kemi të bëjmë me diçka të prekshme brenda individit, mirëqenia mendore është pjesë e një konteksti më të gjerë, sistematik, të përbërë nga dinamika, sa gloable aq edhe të lokalizuara, që ndikojnë prekshëm në shëndetin psikologjik të individit.

Klima e gjerë socio-ekonomike është e lidhur ndjeshëm me cilësinë e jetesës së të rinjve në vend. Në saje të klimës aktuale, sot jemi dëshmitarë të një qasshmërie të kufizuar, në nivele dëshpruese, të shërbimeve dhe kujdesit të shëndetit mendor, për të gjithë, përfshirë e me theks tek të rinjtë, në Kosovë. Në rastin e grupeve të margjinalizuara, në veçanti të rinjtë e komuniteteve LGBTQ+, të rinjtë romë, ashkali dhe egjiptianë, si dhe vajzat dhe gratë e reja, shpesh e gjejnë veten në vatrën e shtresave të shumëfishta të margjinalizimit, duke u përballur me sfida unike dhe efekte të ndërlikuara të stigmës sociale. Për më tepër, pasiguria dhe tensioni i pashterrshëm nga klima politike, vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre në dëm të mirëqenies psikologjike të të rinjve. Jehonat e së kaluarës, gjithashtu, qofshin ato mbetje të konfliktit apo ndikimi i qëndrueshëm i pabarazive sistematike, janë prezente edhe sot, duke theksuar më tej rëndësinë e qasjeve të ndjeshme kulturore për mbështetjen e shëndetit mendor.

Në dritën e këtij kompleksiteti, na takon ne të avokojmë për politika që jo vetëm u japin përparësi shërbimeve të shëndetit mendor, por gjithashtu kërkojnë në mënyrë aktive të demokratizojnë qasshmërinë në to; na takon të avokojmë për ndryshime të cilat e përforcojnë të vërtetën se mirëqenia mendore nuk është asnjëherë privilegj për disa, por një e drejtë e lindur dhe e patjetërsueshme për çdo individ.

Në këto përpjekje, nën thirrjet e punën e Psikës, pavarësisht rëndësisë esenciale të hulumtimit shkencor në të kuptuarit e shëndetit mendor, ne theksojmë edhe njëherë rëndësinë e sintezës së empirikës me empatikën, në të përkujtuarit se pas çdo të dhëne e statistike qëndron një individ me një varg përvojash, aspiratash dhe sfidash unike. Duke përqafuar holistiken, përqafojmë krijimin e hapësirave ku të rinjtë ndihen të parë e të dëgjuar.

Poashtu, krahas përpjekjeve të vazhdueshme të Psikës për informim, me qëllim të nxitjes së një kulture mirëkuptimi e mbështetjeje, ne vazhdojmë të besojmë në fuqinë shndërruese të të pajisurit të shoqërisë me njohuri dhe mjete për ta mbështetur njëri-tjetrin në kohë nevoje. Kështu, edhe ky botim, si zgjatim i kësaj përpjekjeje, vjen si rezultat i dëshirës së të rinjve e të rejave në Kosovë, për t’u ndihmuar të tjerëve që t’u japin kuptim përvojave të tyre, përmes nxjerrjes së kuptimit nga përvojat e tyre drejt kërkimit të shëndetit mendor.

Andaj, ne shprehim mirënjohjen tonë më të thellë për të gjithë të rinjtë e të rejat, që mundësuan realizimin e këtij botimi, me vullnetin më të madh e frymëzues të mundshëm.

Dhe, krejt për fund, duke ju uruar një lexim përmbushës, shprehim mirënjohje për të gjitha ju lexuese e ju lexues, që i përkushtoheni shëndetit mendor me një frymë të hapur e përkrahëse. Ndërsa ecim së bashku në këtë udhëtim të njohjes dhe mbështetjes, shpresojmë që këto shkrime të frymëzojnë diskutime dhe të nxisin veprime që i shërbejnë mirëqenies pozitive të të rinjve tanë.

Përzemërsisht,
Veronë Perçuku
Kryeredaktore

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë