Profesionistët e shëndetit mendor në kërkim të kujdesit për veten

Nevojat personale ekzistojnë në çdo individ, veçanërisht kur flasim për vetë-kujdesin ndaj shëndetit mendor, qoftë kjo nga një individ i thjeshtë apo edhe nga vetë profesionistët e shëndetit mendor.

Mënyra se si i referohemi kujdesit ndaj vetes mund të jetë e ndryshme për secilin nga ne, por megjithatë thelbi mbetet tek kujdesi për shëndetin dhe mirëqenien tonë, në aspektin personal dhe profesional të jetës.

Literatura ka dokumentuar vazhdimisht se profesionistët e shëndetit mendor në përgjithësi priren të neglizhojnë shëndetin e tyre mendor, pavarësisht se shërbejnë në një fushë që promovon shëndetin dhe mirëqenien e të tjerëve (Bearse et al., 2013; Michalski & Kohout, 2011). Në këtë rrjedhë, studime të shumta empirike mbështesin nevojën që profesionistët e shëndetit mendor të jenë më të ndërgjegjshëm për efektin që stresi dhe natyra e punës mund të kenë mbi ta (Bearse et al., 2013; Michalski & Kohout, 2011).

Kur flasim për psikologët dhe praktikën psikologjike, ka disa pengesa që mund të ndikojnë në aftësinë e tyre për t’u përfshirë në aktivitete të rëndësishme të vetëkujdesit, të cilat përfshijnë, midis të tjerash, ndjenjën e “djegies” (burn-out) dhe të izolimit, tendencën për të prioritizuar nevojat e të tjerëve dhe stigmën sociale që shoqërohet me sjelljet ndihmë-kërkuese (Bearse et al., 2013; Komiya et al., 2000).

Në mes të 21% dhe 67% të profesionistëve të shëndetit mendor që përjetojnë ndjenja të djegies profesionale, është e rëndësishme që ata që punojnë në kujdesin shëndetësor mendor t’i japin përparësi kujdesit të tyre personal të shëndetit mendor, ashtu siç mundohen të ndihmojnë të tjerët të kujdesen për veten (Delgadillo et al., 2018).

Kur po flasim për shëndetin mendor, po flasim për mënyrat se si ne mendojmë, ndjejmë dhe veprojmë si individë. Është normale që jo çdo gjë të ndikojë njësoj në shëndetin mendor të secilit prej nesh. Nga kjo pikëpamje, edhe profesionistët shpesh ndihen të prekur dhe mund të përjetojnë një ekuilibër të dobët në jetën e tyre.

Në disa raste, kjo mund të shkaktojë një lloj stigmatizimi ndaj vetes, që mund edhe të ndikojë në humbjen e vetëbesimit të një profesionisti. Kjo ndoshta sepse mund të krijohet përshtypja se mungon profesionalizmi, ndonëse ky perceptim nuk është i bazuar në realitet. Kujdesi për shëndetin mendor i përket të gjithë individëve në të njëjtën mënyrë, pa dallim nga profesioni apo statusi i tyre.

Megjithatë, kujdesi për veten mund të nënkuptojë gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm dhe kjo është e kuptueshme dhe në rregull, pasi ne jemi të gjithë të ndryshëm dhe me karakteristika unike.

Njashtu, kur kujdesemi për shëndetin tonë mendor, ne nuk jemi duke cenuar profesionalizmin tonë. Ne të gjithë kemi nevojë ta forcojmë dhe të ruajmë shendetin tonë mendor. Andaj, së bashku, të zhdukim barrierat dhe të punojmë shumë si aktivistë në të mirën e shëndetit mendor të shoqërisë, duke filluar nga kujdesi për veten.

Shkruar nga: Ervin Thaçi dhe Altuna Ismajli

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë