Ndikimi i fatkeqësive të fëmijërisë në gjykimet morale (studim)

Disa studime të një publikimi të fundit kanë treguar për praninë e disa të gjeturave interesante, të cilat shfaqin se si individët që janë përballur me fatkeqësi në fëmijërinë e tyre priren të marrin më shumë lëvdata për sjelljen e tyre të “moralshme” dhe më pak fajësim për veprimet “imorale”. Tre studimet e realizuara në hulumtimin në fjalë, janë thelluar tutje në mekanizmat e këtij ndërveprimi.

Studimi i parë u përpoq të testonte modelin e hendikepimit, i cili parashtron se perceptimet e aftësisë së një individi për sjellje të moralshme ndikohen nga përvojat e tyre të fëmijërisë. Pjesëmarrësve iu paraqitën personazhe të trilluar, fëmijëria e të cilëve u përshkrua ose e mbushur me neglizhencë dhe abuzim, dashuri dhe kujdes, ose në mënyrë neutrale. Rezultatet nga ky studim, ku përfshiheshin 248 pjesëmarrës, treguan se ata që ishin në gjendje të vështirë ishin më të prirur t’i atribuonin lavdërime karakterit në krahasim me gjendjet e tjera.

Pastaj, studimi i dytë mori një qasje më të gjerë, duke ekzaminuar tre modele të mundshme për të shpjeguar se si fatkeqësia ndikon si në lavdërimin ashtu edhe në fajësimin e një personi, ku: 1) modeli i hendikepimit sugjeron që fatkeqësitë çojnë në një perceptim të kompetencës morale të reduktuar, duke rezultuar në rritjen e lavdërimit për veprat e mira dhe uljen e fajit për veprat e këqija; 2) modeli i shkeljeve të pritshmërisë sugjeron që fatkeqësia ndikon në pritjet e sjelljes morale; dhe 3) së fundmi, modeli i vetë-shprehjes sugjeron që sjellja morale nga ata që kanë përjetuar fatkeqësi shihet si një pasqyrim më autentik i karakterit të tyre. Rezultatet nga ky studim, që përfshin 275 pjesëmarrës, ofruan mbështetje të fuqishme për modelin e vetë-shprehjes.

Tutje, studimi i fundit, studimi i tretë, u përsërit dhe u zgjerua mbi Studimin 2, duke prezantuar një dimension gjinor. Ky variacion synonte të hulumtonte nëse efektet e vuajtjeve të fëmijërisë në vlerësimin moral ndryshonin bazuar në gjininë e personazhit. Çuditërisht, ndërsa efekti i fatkeqësisë në lëvdata vazhdoi për personazhet meshkuj, ai nuk vlente për personazhet femra.

Si përfundim, gjetjet nga këto studime ofrojnë njohuri të vlefshme se si fatkeqësitë e fëmijërisë formësojnë perceptimet e sjelljes morale, si dhe parashtrojnë rrugë të reja hulumtimi mbi eksplorimin e aspekteve të tjera të identitetit shoqëror në raport me gjykimet morale, duke theksuar poashtu nevojën për studime që thellohen në asimetritë e mundshme gjinore në ndikimin e fatkeqësive dhe në gjykimin moral në tërësi.

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë