Kujdesi për mendjen: Shëndeti mendor i grave gjatë muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit

Muaji tetor njihet si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Ky muaj konsiderohet si një kohë kur vazhdimisht tregohet se duhet të kujdesemi për shëndetin tonë fizik dhe mendor, duke u fokusuar në inkurajimin për të bërë monitorimin e rregullt të gjendjes shëndetësore, përfshirë edhe ekzaminimin e shëndetit mendor (Naughton & Weaver, 2014). Megjithëse ofruesit e kujdesit shëndetësor zakonisht i kushtojnë më shumë vëmendje simptomave fizike dhe aspektit fizik të shëndetit, shëndeti mendor shpesh anashkalohet për adresim në përmasa të nevojshme Kështu, duke marrë parasysh se kanceri i gjirit ka ndikim të nivelit e llojit të ndryshueshëm tek gratë, është e rëndësishme që gjatë këtij muaji të ndajmë vëmendjen edhe në përkrahje e mbështje psikologjike, duke i përkushtuar kujdesin e nevojshëm jo vetëm shëndetit fizik, por edhe atij mendor.

Diagnostikimi me kancer të gjirit mund të sjellë një përzierje emocionesh, duke përfshirë këtu edhe përvoja me ankthin dhe depresionin (Taft, 2022). Fatmirësisht, me ndërgjegjësimin e rritur për kancerin e gjirit në popullatë, trajtimi psikologjik ka bërë përmirësime të dukshme në këtë drejtim. Studiues të ndryshëm kanë theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit të publikut përmes kampanjave dhe postimeve në media sociale për të siguruar që trajtimet psikologjike të jenë të arritshme për të gjithë personat në nevojë. Edhe pse trajtimi psikologjik mund të zgjasë më shumë se ai fizik, pa dyshim se kontribuon në krijimin e një perspektive të re pozitive për gratë me kancer të gjirit (APA, 2011).

Nga shumë studime është vërejtur që mirëqenia psikologjike është mjaft e lidhur me shkallën e përballimit të suksesshëm të kancerit të gjirit, ku sipas studimit të Giese-Davis dhe kolegëve (2010), personat që kanë paraqitur simptoma të reduktuara të depresionit kishin një mesatare më të lartë të përvojave më pak të vështira me kancerin e gjirit sesa gratë me simptoma të përkeqësuara.

Gratë të cilat i kanë mbijetuar kancerit të gjirit, gjithashtu, tregojnë shenja të ankthit dhe ndjenjave negative dhe, në përgjithësi, raportojnë për një nivel më të ulët të cilësisë së jetës në krahasim me gratë të cilat nuk kanë histori me kancerin e gjirit (Carreira et.al, 2020). Për një grup të konsiderueshëm të tyre, ky ndikim mund të vazhdojë edhe pas kohës kur rreziku është marrë në kontroll. Megjithatë, është vlerësuar se një pjesë e madhe e tyre do të përjetojnë përmirësime të dukshme në mirëqenien e tyre psikologjike (Andrykowski et al., 2008). Shumë prej tyre raportojnë edhe se si ballafaqimi me kancerin e gjirit ka ndikuar në rritjen e niveleve të tyre të reziliencës (De Pace, 2021). Për më shumë, përderisa për disa prej të mbijetuarave muaji tetor paraqet 31 ditë të gjata rikujtimi për atë që kanë përjetuar, për disa të tjerë paraqitet si një rikujtim për sfidat që kanë kaluar me sukses. Pavarësisht kësaj, është e rëndësishme që shoqëria të ofrojë kujdes të vazhdueshëm ndaj mirëqenies psikologjike dhe të pranojë me mirëkuptim ndjenjat dhe mendimet që mund të lindin e prezantohen nga individë të ndryshëm gjatë kësaj kohe.

Shtuar tutje, gjatë muajit tetor, një fokus i veçantë duhet vendosur edhe tek gratë që nuk kanë histori me kancerin e gjirit. Sipas studimit të Moser et.al (2013), 36% e pjesëmarrësve i evitojnë vizitat tek mjeku, ku shkaku kryesor i këtij evitimi është frika se mos do të diagnostikohen me një lloj të caktuar kanceri. Gjetje të ngjashme raportohen edhe nga studimi i Taha dhe kolegëve (2012), ku gjatë intervistimit të 64 grave, disa prej tyre treguan se e evitojnë ekzaminimin e gjoksit, sepse edhe nëse do të kishin kancer, ato nuk duan ta dinë se e kanë atë. Përveç frikës së mundësisë së diagnostikimit me kancer, gratë gjithashtu mund të ndjejnë frikë se partnerët e tyre nuk do i duan më në të njëjtën mënyrë si më parë. Ato gjithashtu mund të frikësohen nga stigmatizimi që mund të vijë nga shoqëria dhe nga frika se, edhe nëse sëmundja shërohet, ajo mund të kthehet prapë (Taha et al., 2012). Për këtë dhe shumë arsye shoqëruese, gjatë kësaj kohe dhe jo vetëm, është qenësore të inkurajojmë njëri-tjetrin të ndajmë kujdes dhe ndjeshmëri për shëndetin tonë, duke përfshirë edhe ekzaminimin e rregullt të gjirit. Kujdesi për veten dhe për të tjerët është një shenjë e fuqishme e vlerësimit dhe mbështetjes.

Andaj përgjatë muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është e rëndësishme të fokusohemi edhe në shëndet mendor të grave. Përqendrimi në këtë sferë ndihmon në uljen e stigmës dhe ndjesisë së turpit që kjo temë mund të shkaktojë.

Kjo mbështetje duhet të vazhdojë edhe përtej muajit tetor, për shkak se nevoja për këshillim dhe mbështetje nga komuniteti nuk mbaron këtu. Shëndeti mendor dhe ai fizik vazhdojnë të ndikojnë njëri-tjetrin, prandaj rëndësia që të kemi një qasje të kujdesshme ndaj të dy koncepteve mbetet përherë prezente.

Autore: Dorentina Muriqi

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë