Interesimi i psikologëve për çrregullimet e kujtesës nuk është i ri, por përkushtimi i psikologëve për kujtimet e gabuara është shtuar kohëve të fundit. Në fakt numri i studimeve mbi kujtimet e gabuara është rritur kryesisht viteve të fundit. Sipas Brédart dhe Van der Linden (2004), janë dy faktorë që shpjegojnë interesimin për kujtimet e gabuara. Faktori i parë ka të bëjë me mënyrën se si psikologët e konceptojnë kujtesën dhe kundërshtimi i idesë sipas së cilës kujtimet janë rezultat i rikonstruktimit të së kaluarës (Schacter, 1996), (cituar nga Brédart dhe Van der Linden, 2004). Faktori tjetër është “sindromi i kujtimeve të gabuara” për të cilin ka filluar të flitet sidomos në Amerikë gjatë dekadës së fundit të shekullit 20-të. Në fakt, një “epidemi” e kujtimeve të rigjetura të abuzimeve seksuale është rishfaqur dhe ka krijuar një ndarje në mesin e komunitetit të psikologëve. Ndarja ekziston në mes të psikologëve që përkushtohen në gjetjen e kujtimeve të harruara që janë kujtime të abuzimeve seksuale përgjatë fëmijërisë dhe psikologëve që kanë vërejtur një efekt pervers të teknikave psikoterapeutike të cilat mund të shpiejnë në krijimin e kujtimeve të gabuara.

Për më shumë se 2000 vjet shumë filozofë kanë spekuluar në lidhje me kujtesën, megjithatë studimi shkencor mbi kujtesën ka filluar në fund të shek. XIX nga shkencëtari gjerman Ebbinghaus (1885). Ebbinghaus vendosi të aplikojë metoda eksperimentale për studimin e perceptimit, të proceseve mentale superiore si dhe kujtesës. Sipas Baddeley (1992) kujtesa është: “një sistem që lejon ruajtjen dhe rikuperimin e informacionit, informacion ky që transmetohet përmes shqisave tona. Megjithatë, siç thotë Gallo (2006): “Kapaciteti për të rikujtuar episode ndoshta të pafundme të jetës sonë është një mrekulli e njerëzimit.”Mirëpo kujtesa nuk është gjithmonë e saktë dhe nganjëherë mendojmë se kemi përjetuar një ngjarje që në fakt kurrë nuk ka ndodhur. Njerëzit krijojnë kujtime të gabuara kur janë të bindur se kanë parë apo përjetuar ngjarje të caktuara, por në të vërtetë nuk i kanë përjetuar ato.

Ndër paradigmat e kujtesës që përdoren për të studiuar kujtimet e gabuara është edhe Paradigma e Keqinformimit. Sipas Loftus (2005), efekti i keqinformimit i referohet dobësisë së kujtesës për ngjarjet e së kaluarës, të cilat prezantohen pas ekspozimit ndaj informacionit të gabuar. Ky fenomen është studiuar për më shumë se tridhjetë vjet dhe studiuesit kanë shtjelluar një numër të madh pyetjesh lidhur me këtë çështje. Sipas Loftus (1991), hulumtimet mbi efektin e keqinformimit përfshijnë një procedurë prej tre etapash: fillimisht pjesëmarrësit përjetojnë një ngjarje, më pas ata marrin informacione në lidhje me ngjarjen dhe krejt në fund ata kalojnë një test të kujtesës përkitazi me ngjarjen. Ndërkaq, ndër teoritë që shpjegojnë kujtimet e gabuara, Teoria e “Source Monitoring” sugjeron se, mund të na ndodh nganjëherë që nuk arrijmë të gjejmë nëse kemi bërë një veprim të caktuar apo që vetëm kemi menduar ta bëjmë. Për shembull është e mundshme që një person ta pyes veten nëse ka marrë apo jo ilaçin në mëngjes. Për të ditur nëse e ka marrë apo jo, personi do të mundohet të gjejë aspekte të ndryshme që lidhen me këtë veprim. Nëse personi arrin të kujtojë se ka pirë pak ujë bashkë me ilaçin, ai mund të thotë se ndoshta e ka pirë ilaçin. Mirëpo, nëse personi nuk arrin të kuptojë informacionin kontekstual, ai do të kalojë gjithë ditën duke menduar nëse e ka marrë apo jo ilaçin (Brédart et Van der Linden, 2004).

Pra shohim se kujtesa nuk është krejtësisht e besueshme, kujtime të gabuara mund të shkaktohen përmes sugjerimeve të thjeshta, në këtë rast pyetjet me informacionin të gabuar. Duke u përgjigjur pasaktësisht në pyetjet që përmbajnë informacionin e gabuar, pjesëmarrësit hutohen dhe ngatërrojnë informacionin fillestar me informacionin e sugjeruar. Se ne mund të krijojmë kujtime të gabuara e ilustron edhe fakti i një eksperimenti të realizuar nga Crombag, Wagennar dhe Van Koppen (1993). Një vit pas rrëzimit të një aeroplani në Amsterdam, në vitin 1992, studiuesit i kanë pyetur 193 persona nëse e kanë parë në televizor rrëzimin e aeroplanit. Më shumë se 60% e të anketuarve kanë deklaruar se e kanë parë. Në fakt, rrëzimi i aeroplanit nuk është transmetuar asnjëherë në televizor. Sipas teorisë “Source Monitoring”, ne nuk e dimë më nëse me të vërtetë e kemi përjetuar një ngjarje apo vetëm e kemi imagjinuar. Mund të supozojmë, nisur nga eksperimenti, se informacioni i gabuar i përfshirë në pyetje shkakton një ngatërresë me informacionin e saktë dhe pjesëmarrësit nuk dinë më të dallojnë se cili është i vërteti e cili jo.

Autore:

Tringë Krasniqi

Referencat:

Baddeley, A. (1992). La mémoire humaine : théorie et pratique. Grenoble : Presses

Brédart, S., Van der Linden, M. (2004). Souvenirs récupérés, souvenirs oubliés et faux souvenirs. Marseille: Solal.

Crombag, H.F., Wagenaar, W., Van Koppen, P. (1993). “Crashing memories and the problem of source monitoring”. Applied Cognitive Psychology, Vol. 10, 95-104.

Ebbinghaus, H (1885). “Memory: A Contribution to Experimental Psychology: Introduction to the Study of Memory.

Gallo, D.A. (2006). Associative illusion of memory. False memory research in DRM and related tasks. Psychology Press.

Loftus, E. (1991). Made in memory: Distortions in recollection after misleading information. The Psychology of Learning and Motivation, vol. 27.

Loftus, E. (2005). Planting misinformation in the human mind: A 30-year investigation of the malleability of memory. Cold Spring Harbor Laboratory Press, 12, 361-366.