Edukimi seksual synon të zhvillojë dhe forcojë aftësinë e fëmijëve dhe të rinjve për të bërë zgjedhje të vetëdijshme, të kënaqshme dhe të shëndetshme në lidhje me marrëdhëniet, seksualitetin dhe shëndetin emocional dhe fizik. Në standardet për edukimin e seksualitetit në Evropë, koncepti i “edukimit të seksualitetit” është përcaktuar si më poshtë:
“Edukimi seksual fillon herët në fëmijëri dhe përparon përmes adoleshencës dhe moshës madhore. Ai synon të mbështesë dhe të mbrojë zhvillimin seksual. Ai gradualisht pajisë dhe i fuqizon fëmijët dhe të rinjtë me informacion, aftësi dhe vlera pozitive për të kuptuar dhe shijuar seksualitetin e tyre, për të pasur marrëdhënie të sigurta dhe përmbushëse dhe për të marrë përgjegjësinë për shëndetin dhe mirëqenien seksuale të tyre dhe të njerëzve të tjerë” (WHO, 2010).
 
Por, cilat janë përfitimet e edukimit seksual?
Edukimi seksual ofron një mjedis të sigurt dhe të mundshëm të të nxënit dhe së bashku me qasjen në shërbimet shëndetësore ka një efekt pozitiv dhe jetëgjatë në shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve. Studimet në disa vende evropiane kanë treguar se futja e programeve kombëtare afatgjata të edukimit seksual ka çuar në një reduktim të shtatzënive dhe aborteve tek adoleshentet dhe një rënie në normat e infeksioneve seksualisht të transmetueshme (IST) dhe infeksioneve të HIV te të rinjtë e moshës 15-24 vjeç. Edukimi seksual ka ndikim në qëndrimet pozitive dhe mund të nxjerrë edhe dinamikën e fuqisë në marrëdhëniet intime, duke kontribuar kështu në parandalimin e abuzimit dhe në nxitjen e partneriteteve me respekt reciprok (Tanton et al., 2015).
Mitet dhe faktet rreth edukimit seksual
Edukimi seksual me cilësi të mirë mund t’i parandalojë marrëdhëniet seksuale më herët se sa pritet në bazë të mesatares kombëtare. Kjo është treguar në studime kërkimore në Evropë, duke përfshirë Finlandën (Apter, 2011) dhe Estoninë (Haldre, Part & Ketting, 2012) duke mos përjashtuar hulumtimet në vende të tjera. Edukimi seksual, megjithatë, mund të çojë në debutimin e mëvonshëm seksual dhe sjelljen më të përgjegjshme seksuale (UNESCO, 2009). Edukimi seksual dhe qëndrimi i hapur ndaj seksualitetit nuk e lehtësojnë abuzimin e pedofilëve me fëmijët, përkundrazi, kur fëmijët mësojnë për barazinë dhe respektin në marrëdhënie, ata janë në një pozitë më të mirë për të njohur personat dhe situatat abuzive. Në mungesë të kësaj, fëmijët dhe të rinjtë mund të kërkojnë dhe marrin mesazhe kontradiktore dhe ndonjëherë të dëmshme nga bashkëmoshatarët e tyre, mediat apo burime të tjera. Edukimi seksual nuk është i dëmshëm për fëmijët dhe adoleshentët (UNESCO, 2009). Ai përfshin një varg temash që përshtaten me moshën dhe nivelin zhvillimor të fëmijës. Kjo është ajo që quhet përshtatshmëria e moshës. Një fëmijë i moshës 4-6 vjeç për shembull mëson për tema të tilla si miqësia, emocionet dhe pjesë të ndryshme të trupit. Këto tema janë gjithashtu relevante për fëmijët më të rritur dhe adoleshentët, por pastaj mësohen në një nivel tjetër. Gradualisht, futen tema të tjera si puberteti, planifikimi familjar dhe kontracepsioni. Për shumicën e të rinjve, marrëdhëniet seksuale janë ndërtuar mbi parime të ngjashme me ato të marrëdhënieve shoqërore të mësuara në jetën e hershme (UNESCO, 2009). Fëmijët janë të vetëdijshëm dhe i njohin këto marrëdhënie shumë kohë para se të veprojnë në seksualitetin e tyre dhe për këtë arsye kanë nevojë për aftësitë për të kuptuar trupat, marrëdhëniet dhe ndjenjat e tyre që nga mosha e hershme.
Autore:
Kaltrina Haziri
Referencat:
Apter, D. (2011). Recent Developments and Consequences of Sexuality Education in Finland. BZgA Sexuality Education Forum. Sexuality Education and Family Planning 2: 3–8.
Haldre, K., Part, K. & Ketting, K. (2012). Youth Sexual Health Improvement in Estonia, 1990–2009: The Role of Sexuality Education and Youth-friendly Services. European Journal of Contraception and Reproductive Health Care 17 (5): 351–362.
Tanton, C.,  Jones, G., Macdowell, W., Clifton, S.,  Mitchell, K., Datta, J. & Lewis, R. (2015). Patterns and Trends in Sources of Information about Sex among Young People in Britain: Evidence from Three National Surveys of Sexual Attitudes and Lifestyles. BMJ Open 5: e007834.
UNESCO. (2009). International Technical Guidance on Sexuality Education – An Evidence-informed Approach for Schools, Teachers and Health Educators. Paris: UNESCO.
WHO Regional Office for Europe and BZgA. (2010). Standards for Sexuality Education in Europe: A Framework for Policy Makers, Education and Health Authorities and Specialists.Köln: BZgA.