Në kuadër të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, specifikisht nenit 31 në mënyrë eksplicite obligon të gjitha shtetet nënshkruese të konventës që të “garantojnë, respektojnë, dhe promovojnë” këtë të drejtë, në këtë mënyrë duke obliguar institucionet shtetërore që të hartojnë politikat institucionale konform këti neni. Megjithatë, edhe pse Kosova nuk është nënshkruese dhe ratifikuese e konventës për të drejtat e fëmijëve, i gjithë legjislacioni aktual mbështetet në parimet dhe frymën e kësaj konvente dhe dokumenteve të tjera ndërkombëtare që në thelb kanë të drejtat e njeriut në përgjithësi, dhe të drejtat e fëmijëve në veçanti.

Paralelisht, epoka e globalizmit dhe modernizmit kanë ofruar një gamë të shumëllojshme të lojës për fëmijët, të cilët në përgjithësi kanë edhe komponentën edukative dhe njëkohësisht promovojnë dhe zhvillojnë aftësitë kognitive, emocionale, fizike, dhe sociale të fëmiut. Lojrat e ndryshme përmes përdorimit të teknologjisë gjithashtu ju kanë mundësuar fëmijëve që të jenë më inovativ, kreativ në zgjidhjen e problemeve akademike dhe sociale, zhvillimin e aftësive gjuhësore (kryesisht gjuhës angleze, por jo vetëm), vetëdijsim të shtuar për format e ndryshme të paragjykimit dhe (pa)barazisë sociale, promovimin e konceptit të qytetarisë aktive, si dhe ofrimin e mundësive për vetëzhvillim dhe zhvillim kualitativ në kontekstet ku ata rriten. Paralelisht edhe kontrollimi i përmbajtjes së lojrave është i rëndësisë së veçantë meqë mund të ketë kundër-efekt në zhvillimin e fëmiut, e në disa raste edhe të demtojë e pengojë.

Por, situata aktuale në nivelin global nuk është e njejtë për të gjithë fëmijët, dhe shpeshherë neni 33 i konventës për të drejtat e fëmijëve është utopike. Fëmijët në pothuajse të gjitha kontinentet, shtetet, qytetet, dhe fshatrat vazhdojnë të sfidohen me së paku me një situatë egzistenciale të cilat cënojnë dhe shkelin përmbajtësisht këtë të drejtë të garantuar për ta. Aksesi i limituar në ujë të pishëm e ushqim nutriutiv, përdorimi i armëve bërthamore për arritjen e qëllimeve gjeo-politike nga vendet e fuqishme, humbja e njërit prind përshkak të luftrave civile, ndërprerja e shkollimit si rrjedhojë e migrimit, keqtrajtimi si pasojë e dhunës fizike, seksuale, dhe psikologjike nga të rriturit, përfshierja dhe kryerja e punëve të rënda, trafikimi, dhe shumë fenomene të tjera me karakter psiko-social dëmtojnë përmbajtësisht zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe rrezikojnë thellbësisht nenin 33 të konventës.

Andaj, garantimi, respektimi, dhe promovimi i lojës në zhvillimin e fëmijëve shërben si konstante “normale” në kohën e turbulencave psikologjike, sociale, ekonomike, dhe gjeo-politike. Vetëm atëherë kur secili fëmijë në botë është i përfshirë në procesin e lojës në pajtim me zhvillimin e tyre të përgjithshëm, ne, të rriturit mund të pushojmë të qetë dh të ndihemi të vetëplotësuar. Në të kundertën, garantimi dhe promovimi i të drejtës për lojë për fëmijët duhet të jetë mision dhe vizion i secilit prej nesh, dhe jetësimi i kësaj të drejte duhet të jetë qëllim në vetvete./Revistapsika

Opinion nga: Natyra Agani – Specialiste e Psikologjisë Klinike & Psikoterapisë

Përgatiti: Fjolla Avdyli