Hipnoza nga “tempujt e gjumit” e deri te përdorimi i ‘’magjistarëve’’ për të argëtuar audiencën.


A keni menduar ndonjëherë për historinë e hipnozës? Kush dhe pse e përdorën për herë të parë? Po pra, prejardhja e saj? Nga kush varet procesi i hipnozës, sugjestionuesi, i hipnotizuari apo nga mjetet që u përdoren më parë? A e ndihmoi hipnoza Frojdin për të hapur horizontet e të pavetëdijshmes? Dormez! Kjo fjalë që ngjalli kureshtjen e shumë studiuesve, por nga ky artikull shkurt e shqip do të dilni me të gjitha përgjigjet e pyetjeve të parashtruara më parë!

Praktika e gjumit hipnotik për të shëruar të sëmurët s’është diçka e re. Nuk ishte çudi që në disa kultura të lashta, si ato të Egjiptit e të Greqisë së Lashtë, i çonin të sëmurët për t’i shëruar në “tempujt e gjumit”, duke i vënë në gjendje gjumi. Kjo gjë bëhej nga priftërinjë të mësuar enkas për këtë punë. Në vitin 1027, mjeku pers, Avisena, dokumentoi tiparet e gjumit hipnotik, por ky nuk u përdor më si terapi kuruese, derisa mjeku gjerman, Franc Mesmer, e përdori sërish në shekullin XVIII. Në trajtimin e tij, Mesmeri manipulonte magnetizimin natyror ose “shtazor” të trupit duke përdorur magnetët dhe sugjestionimin. Pas “mesmerizmit” ose “magnetizimit”, disa njerëz i kapte një spazmë, por, kur u kalonte, thoshin se ndiheshin më mirë.

Franc Mesmeri e shkaktonte gjumin hipnotik duke vendosur magnetët mbi bark. Thuhej se kjo kthente në harmoninë e vet magnetizmin “shtazor” të trupit.

Pak vite më vonë, Abe Faria, murg portugezo-goanian, studioi punën e Mesmerit dhe doli në përfundimin se ishte “tërësisht absurde” të mendoje se magnetët ishin pjesë jetike e procesit. E vërteta ishte e pabesueshme; fuqia e rënies në gjumë hipnotik ose në “gjumë të ndërgjegjshëm” (lucid sleep) varej krejt nga individi. Nuk kishte nevojë për forca të posaçme, pasi mjaftone vetëm fuqia e sugjestionimit.

Gjumi i ndërgjegjshëm.

Sipas Farias, gjumi luante rolin e një “përqendruesi”, që e ndihmonte subjektin të hynte në gjendjen e duhur mendore. Te “Mbi Shkaqet e Gjumit të Ndërgjegjshëm”, ai e përshkruan kështu metodën e tij: “Pasi zgjedh subjektet me prirjet e duhura, u kërkoj të rehatohen në një karrige, të mbyllin sytë, të përqendrohen dhe të mendojnë për gjumin. Ndërsa presin në qetësi udhëzime të tjera, u them butësisht ose me urdhër: “Dormez!” (Flini) dhe ata bien në gjumë të ndërgjegjshëm”.

Asgjë nuk vjen nga magnetizuesi. Gjithçka vjen nga subjekti dhe zë vend në imagjinatën e tij. Abe Faria

Duke u nisur nga “gjumi i ndërgjegjshëm” i Farias, në vitin 1843, kirurgu skocez Xhejms Breid, krijoi termin “hipnozë”, nga fjala greke hypnos do të thotë “gjumë” dhe osis që do të thotë “gjendje”. Ai doli në përfundimin se hipnoza nuk është lloj gjumi, por përqendrim mbi një ide të vetme, që çon në sugjestionim të nivelit të lartë. Pas vdekjes së tij, interesi për hipnozën ra thuajse fare, derisa neurologu francez, Zhan-Marten Sharko, filloi ta përdorte sistematikisht në trajtimin e histerisë tramuatike. Kështu, për hipnozën u interesuan edhe Jozef Brojeri e Zigmund Frojdi, të cilët studiuan mekanizmin e brendshëm të hipnozës, duke zbuluar kështu forcën e pavetëdijes.

(Pjesa e dytë vijon në një datë të pacaktuar)

Autor: Adem Gashi

Referencat:
Bramwell, J. M. (1896). James Braid, Surgeon And Hypnotist. Brain, 19(1), 90-116.
Mayo, H. (1838). “Animal Magnetism”; or, “Mesmerism.” The Lancet, 30(783), 805-814.
Roberts, M. (2016). Abbé Faria (1756-1819): From Lucid Sleep to Hypnosis. American Journal of Psychiatry, 173(5), 459-460.