Psikologët thonë se dhuna në familje nuk shfaqet vetëm një herë, por ka tendencë përsëritjeje, madje edhe përkeqësimi. Ajo nuk paraqitet gjithmonë si dhunë fizike, por mund të ketë trajta të ndryshme.

 

Asnjëherë nuk i kishte vajtur mendja se ai, që e kishte dashur me gjithë shpirt një ditë do të bëhej tiran dhe do t’ia bëjë jetën ferr pas martesës. K.S. fillimisht ishte maltretuar nga bashkëshorti nëpërmes dyshimeve të pareshtura. Në momente të rralla, kur arrinte me mund të shmangte ato skena poshtëruese xhelozie dhe krijonte atë afërsinë e duhur me burrin, dhunën psikike që ushtronte ndaj saj, ai e arsyetonte me shprehjen se “nuk ka dashuri pa xhelozi”. Por, xhelozia e tij, kishte kaluar shumë herë përmasat e reales dhe gati ishte shndërruar në sëmundje. Ajo nuk ishte e qetë asnjëherë dhe askund. E kishte ndjenjën se ai e kontrollonte edhe atëherë kur nuk ishte në afërsi. Nuk e linte të qetë as kur ishte në shtëpi, e as kur ishte bashkë me të e as kur shkonte te prindërit. I telefononte orë e çast. Kërkonte sqarime për gjithçka, edhe për mënyrën se si i lajmërohej në telefon. Gjithmonë kishte përshtypjen se ajo është nervoz, edhe atëherë kur i dukej e disponuar. Në fillim të lidhjes ajo kishte menduar se kjo po ndodhte për shkak se nuk njiheshin ende aq mirë sa të krijohej ai besimi i ndërsjellë dhe i patundur. Kishte insistuar që të shkurtonin procedurat e lidhjes së tyre dhe të martoheshin sa më shpejtë. Por, as kjo nuk i kishte ndihmuar. Jeta e saj po bëhej gjithnjë e më e rëndë. Kur e kuptoi se ishte shtatzënë gëzimi i saj nuk kishte kufi. Gjithë shpresat se lidhja e tyre do të riparohej i kishte varur tek ardhja në jetë e fëmijës së tyre. Por, as atëherë nuk e gjeti qetësinë e duhur.

 

As që kishte mundur ta marr me mend se ai do të shfrytëzonte djalin për t’i bërë shantazh që ta linte punën. Edhe këtë e bëri për hir të dashurisë që ende kishte për të. Jeta më pas mori një kahje tjetër. Ajo duhej t’i raportonte për gjithçka, ndërkohë që ai gjithnjë e më tepër po bëhej më i largët dhe më i dyshimtë. Orari i punës së tij po zgjatej gjithnjë e më shumë, ndërsa daljet e shpeshta dhe kthimi në shtëpi në orët e vona të natës ishin bërë përditshmëri. Ajo kot kërkonte sqarime, ato as që i merrte ndonjëherë. Mbase edhe këtë formë poshtërimi do ta duronte sikur ai të pushonte së maltretuari psiqikisht atë e dikur edhe fizikisht. Atëherë, u mbush kupa. U konsultua me të vëllanë, që jetonte në Perëndim, i cili i siguroi një vizë. Mori të birin dhe iku nga shtëpia. I shoqi sa nuk u çmend. Hallin nuk e kishte tek ajo, por tek i biri. I kishte dërguar fjalë se nuk kishte pse ja mësyn Kosovës. Por, ajo nuk u lodh më për shantazhet e tij.

 

Durimi pa kufi

Ai temperamenti që e karakterizonte gjithnjë atë, që i kishte pëlqyer gjithnjë atij me kohë mori një dimension krejt tjetër. Në fillim ai nisi ta problematizonte mënyrën e veshjes dhe grimit të saj, me arsyetimin se po bëhej shumë provokuese. Thjeshtësoi në maksimum lëvizjet, veshjet elegante dhe grimin e tepërt. Por, as kjo nuk e qetësoi të shoqin. Ngadalë nisi t’ia kufizojë vizitat tek të afërmit, ndërsa në shtëpi nuk sillte më shokë ashtu siç kishte bërë para se të martohej. Dikur nisi t’i bënte problem edhe kur shkonte tek prindërit e tij, që jetonin në një oborr me ta dhe qëndronte atje edhe kur vinin mysafirë. Me ardhjen e fëmijëve në jetë nisi ta maltretojë psiqikisht me arsyetimin se nuk po kujdesej si duhej për ta. Ajo përpiqej të ipte maksimumin nga vetja. Sa herë mendonte se me një veprim apo një ushqim që e përgatiste enkas për fëmijët do të merrte ndonjë kompliment nga i shoqi, ajo merrte vetëm qortime e të shara. Zemra po i bëhej copë, që ai nuk ishte asnjëherë i kënaqur me të. Nuk i pëlqente as mënyra se si ajo po i edukonte fëmijët. Sa herë ajo i qortonte, ai i merrte dhe i përqafonte. Dalëngadalë fëmijët filluan të kthehen kundër të ëmës, madje i biri nisi ta shante sikur i ati, ndërsa ai qeshej shumë i kënaqur që i biri po ecte hapave të tij.

Durimi i saj mori fund këtu. Nisi edhe ajo të ngris zërin dhe të kundërshtojë kur diçka nuk i pëlqente. Por, me këtë nuk u zgjidh aspak problemi. Atëherë dhuna psikike u përshkallëzua në dhunë fizike. Grushtet dhe shqelmat që merrte nuk ndaleshin as kur aty ishin të pranishëm fëmijët. E dëshpëruar tej mase dhe e bindur se kishte dështuar në çdo aspekt, vendosi që përfundimisht të kërkonte ndihmën e familjes së burrit. Ata nuk e përkrahën aspak. Madje as nuk e morën mundin që ta dëgjonin deri në fund. Për ta ai ishte një djalë dhe bashkëshort i përkryer, punonte shumë, siguronte mirëqenien e gjithë familjes dhe përkujdesej shumë edhe për fëmijët. Për më tepër, vjehrra i tha se është femër dhe duhet të ulë pak kokën. E vetmja shpresë i mbeti familja e vet. Por, as atje nuk e ndihmuan të gjente ndonjë zgjidhje. Ata ishin të bindur se megjithë presionin e madh psikik dhe fizik, që po ushtronte bashkëshorti ndaj saj, për hir të fëmijëve do të duhej të duronte dhe të vazhdonte jetën me atë që e kishte zgjedhur vetë në kërkim të ndonjë zgjidhjeje.

 

Dhuna ka tendencë përsëritjeje

Sipas psikologëve dhuna në shumicën e rasteve shkaktohet si rezultat i nevojës për kontroll dhe fuqi mbi partnerin. Madje, ata thonë se dhuna në familje nuk shfaqet vetëm një herë, por ka tendencë përsëritjeje, madje edhe përkeqësimi. Nuk është e thënë që gjithmonë të paraqitet si dhunë fizike, por mund të ketë trajta të ndryshme si: dhunë psikologjike (psikike), seksuale dhe financiare, apo kombinim i të gjitha formave. Ndërkohë që konsiderohet se shumica e viktimave të dhunës në familje janë gratë.

 

Kaltrina Kelmendi, psikologe thotë se pas viteve të 70-ta, përkatësisht me përkufizimin e dhunës si problem social, me vetëdijësimin e popullatës për këtë dukuri, rastet e dhunës në familje filluan të bëhen të ditura, të zbardhura dhe të raportohen. “Ishte shumë për t’u habitur kur u kuptua se dhuna ndodh në familje, se gruaja dhe fëmijët mund të përjetojnë dhunë nga burrat e njëjtë, të cilët me parë konsideroheshin të dashur dhe me të cilët vendosën ta kalonin jetën. Madje, me vetëdijësimin e strukturave të ndryshme shoqërore doli në pah se ekzistonte një përqindje e familjeve, të cilat përjetojnë dhunë, por deri atëherë ky problem ishte heshtur nga ana e tyre për arsye të ndryshme si: stigma, kultura, tradita, mentaliteti, mungesa e politikave përkatëse”, thekson Kelmendi. Sipas saj, dhuna mund të shfaqet, jo vetëm midis gruas dhe burrit, por mund të reflektohet edhe në marrëdhënie të tjera familjare si: në mes nënës dhe vajzës, babait dhe vajzës, djalit dhe babait, vëllait dhe motrës etj. Ajo rikujton se pasojat e një marrëdhënie të dhunshme mund të jenë të ndryshme nga ato fizike deri në ato psikike si: depresion, abuzim të substancave narkotike apo alkoolike, stres post-traumatike etj.

 

Autore:

Afërdita Uka

 

Burimi:

Psika klasike