Ju ndoshta keni dëgjuar që njerëzit thërrasin me shaka veten e tyre “OCD” ndërsa shikojnë pandërprerë në mur ose fshijnë karrocën e tyre të blerjes me pako antibakteriale, por a janë vetëm perfeksionistë apo a kanë të vërtetë OCD? Sa i zakonshëm është çrregullimi obsesiv-kompulsiv (OCD)? Cilët faktorë çojnë në një diagnose të tillë?

Çrregullimi Obsesivo-Kompulsiv (OCD) është një çrregullim ankthi në të cilin njerëzit kanë mendime të përsëritura, të padëshiruara, ide ose ndjesi (obsesione) që i bëjnë ata të ndihen të nxitur për të bërë diçka përsëritëse (kompulsione). Sjelljet e përsëritura, të tilla si larja e duarve, kontrolli i gjërave ose pastrimi, mund të ndërhyjnë ndjeshëm në aktivitetet e përditshme të personit dhe ndërveprimet shoqërore. Shumë njerëz përqëndrohen në mendime ose sjellje të përsëritura. Por këto nuk pengojnë jetën e përditshme dhe mund të shtojnë strukturën ose t’i bëjnë detyrat më të lehta. Për njerëzit me OCD, mendimet janë rutinat e vazhdueshme dhe të padëshiruara dhe sjelljet janë të ngurta. Shumë njerëz me OCD e dinë ose dyshojnë se obsesioni i tyre nuk është i vërtetë, të tjerët mund të mendojnë se janë të vërteta. Edhe nëse ata e dinë se obsesionet e tyre nuk janë të vërteta, njerëzit me OCD kalojnë një kohë të vështirë duke e mbajtur fokusin e tyre larg nga obsesionet ose duke ndaluar veprimet e detyrueshme (American Psychiatric Association, 2017).

Obsesionet

Obsesionet janë mendime të përsëritura dhe të vazhdueshme, impulse ose imazhe që shkaktojnë emocione shqetësuese, si ankthi ose neveria. Shumë njerëz me OCD e pranojnë se mendimet, impulset apo imazhet janë produkt i mendjes së tyre dhe janë të tepruara ose të paarsyeshme. Megjithatë, këto mendime ndërhyrëse nuk mund të zgjidhen nga logjika ose arsyetimi. Shumica e njerëzve me OCD, përpiqen të injorojnë ose të shtypin këto obsesione ose t’i kompensojnë ato me ndonjë mendim apo veprim tjetër. Obsesionet tipike, përfshijnë shqetësime të tepruara në lidhje me kontaminimin ose dëmtimin, nevojën për simetri ose saktësi, ose mendimet e ndaluara seksuale ose fetare (American Psychiatric Association, 2017).

Simptomat e zakonshme përfshijnë:

  • Frika nga mikrobet ose kontaminimi
  • Mendime të padëshiruara ose të ndaluara
  • Mendime agresive ndaj të tjerëve apo vetes
  • Të kesh gjëra simetrike ose në një mënyrë të përsosur (NIMH, 2017).

Kompulsionet

Kompulsionet janë sjellje të përsëritura ose akte mendore që një person ndjen, dhe shtyhet për të kryer në përgjigje të një obsesioni. Sjelljet kanë për qëllim parandalimin ose reduktimin e shqetësimit ose një situate frikësuese. Në rastet më të rënda, një përsëritje e vazhdueshme e ritualeve mund të mbushë ditën, duke e bërë të pamundur një rutinë normale. Shtimi i ankthit që shkaktojnë këto rituale është dija se detyrimet janë të paarsyeshme. Megjithëse detyrimi mund të sjellë ndonjë lehtësim në shqetësim, obsesioni kthehet dhe cikli përsëritet pa pushim (American Psychiatric Association, 2017).

Simptomat e zakonshme përfshijnë:

  • Pastrim i tepërt dhe / ose larje e duarve
  • Renditja dhe rregullimi i gjërave në një mënyrë të veçantë, të saktë
  • Kontrollimi në mënyrë të përsëritur mbi gjërat, të tilla si kontrollimi në mënyrë të përsëritur për të parë nëse dera është e kyçur ose nëse furra është e fikur
  • Numërim i fiksuar.

Jo të gjitha ritualet ose zakonet janë kompulsione. Të gjithë kontrollojnë dy herë gjërat ndonjëherë. Por një person me OCD në përgjithësi, nuk mund të kontrollojë mendimet ose sjelljet e tij ose saj, edhe kur ato mendime ose sjellje njihen si të tepruara, shpenzon të paktën 1 orë në ditë në këto mendime apo sjellje, nuk ka kënaqësi kur kryen sjelljet ose ritualet, por mund të ndihen lehtësime të shkurtra nga ankthi që shkaktojnë mendimet, si dhe përjetojnë probleme në jetën e tyre të përditshme për shkak të këtyre mendimeve apo sjelljeve (NIMH, 2017).

Diagnostikimi i OCD

OCD nuk mund të diagnostifikohet duke përdorur një test gjaku. OCD diagnostikohet përfundimisht duke u bazuar në frekuencën, ashpërsinë dhe natyrën e simptomave, duke përdorur gjykimin klinik të shëndetit mendor nga profesionistët e kualifikuar. Simptomat zakonisht janë të vazhdueshme dhe afatgjata dhe mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet, punën, shkollën dhe fushat e tjera të jetës.

Shkaqet e OCD

OCD prek rreth 1.2% të të rriturve dhe nganjëherë diagnostikohet në fëmijëri. Nuk ka dallim në shkallën e OCD midis burrave dhe grave. Njerëzit e të gjitha kulturave dhe përkatësisë etnike janë prekur. Askush nuk e di saktësisht se çka shkakton çrregullim obsesiv-kompulsiv, ndonëse ka dëshmi të një komponenti gjenetik. Nëse një prind, vëllezër ose fëmijë është diagnostikuar me OCD, ekziston një rrezik më i lartë për zhvillimin e çrregullimit, veçanërisht nëse i afërmi u diagnostikua si fëmijë ose adoleshent. Ka gjithashtu dëshmi se disa pjesë të trurit thjeshtë nuk funksionojnë si duhet (Kelly, 2017).

Shkaqet e OCD janë të panjohura, por faktorët e rrezikut përfshijnë:

  • Gjenetikën

Studimet me binjakë dhe të anëtarë familjes, kanë treguar se njerëzit me të afërm të shkallës së parë (të tillë si: një prind, vëlla ose fëmijë) të cilët kanë OCD, kanë rrezik më të madh për zhvillimin e OCD vetë.

  • Struktura e trurit dhe funksionimi

Studimet e imazhit kanë treguar dallime në korteksin frontal dhe në strukturat nënkortike të trurit në pacientët me OCD. Duket se ka një lidhje midis simptomave të OCD dhe anomalive në zona të caktuara të trurit, por kjo lidhje nuk është e qartë.

  • Mjedisi

Njerëzit që kanë përjetuar abuzime (fizike ose seksuale) në fëmijëri ose trauma të tjera, janë në një rrezik në rritje për zhvillimin e OCD (NIMH, 2017).

Opsionet e trajtimit për OCD

OCD nuk është i shërueshëm, por i përgjigjet trajtimit me ilaçe, veçanërisht një klasë të antidepresantëve të njohur, si dhe psikoterapisë. Terapia e ekspozimit mund të jetë veçanërisht e dobishme për njerëzit OCD, të cilëve u ndikon në mënyrë të konsiderueshme cilësinë e jetës së tyre. Shumë njerëz me OCD gjejnë se ata marrin rezultatin më të mirë duke kombinuar trajtimin mjekësor dhe atë psikologjik (Kelly, 2017).

Autore:

Bleona Humolli

Referencat:

American Psychiatric Association. (2017). What Is Obsessive-Compulsive Disorder?

Kelly, O. (2017). What is the Definition of OCD? Verywellmind.

NIMH. (2016). Obsessive-Compulsive Disorder.