Të gjithë përjetojmë ulje dhe ngritje të humorit, por kur këto lëvizje janë më të rënda mund të jenë shenjë e çrregullimit bipolar (Smith & Segal, 2018). Ndryshe nga mënyra se si përdoret ndonjëherë në bisedë, një diagnozë e çrregullimeve bipolare nuk do të thotë se një person është shumë emocional, por i referohet dikujt që përjeton periudha të zgjatura të disponimit dhe energjisë që janë tepër të larta dhe të irritueshme (Mental Health America, 2017). Çrregullimi bipolar njihet me shumë emra, të tillë si depresioni maniak, çrregullimi maniako-depresiv, sëmundja maniako-depresive, çrregullimi bipolar i humorit dhe çrregullimi bipolar afektiv, por që të gjithë këta janë terma për të njëjtin çrregullim (Lyness, 2015).

Çrregullimi bipolar është një çrregullim mendor në të cilën emocionet e zakonshme bëhen intensive dhe shpesh zmadhohen në mënyrë të paparashikueshme. Individët me çrregullime bipolare mund të lëvizin shpejt nga ekstremet e lumturisë, energjisë dhe qartësisë në trishtim, lodhje dhe konfuzion (American Psychological Association, 2018). Pra, çrregullimi bipolar shkakton ndërrime serioze në humor, energji, mendim dhe sjellje, nga majat e manisë në një ekstrem, deri në fundin e depresionit nga ana tjetër. Më shumë se vetëm një humor i mirë ose i keq, ciklet e çrregullimeve bipolare zgjasin për ditë, javë ose muaj. Dhe ndryshe nga ndryshimet e zakonshme të humorit, ndryshimet në humor të çrregullimeve bipolare janë kaq të forta saqë ato ndërhyjnë me aftësinë tonë për të funksionuar (Smith & Segal, 2018). Kështu, simptomat e çrregullimeve bipolare karakterizohen nga një ciklizëm i ndjenjave të disponimit mes ndjenjave të energjisë dhe aktivitetit të madh dhe ndjenjave të trishtimit, mungesës së shpresës dhe të qenit në humor të ulët. Simptomat bipolare vijnë në cikle, të cilat kanë tendencë të zgjasin diku nga ditë në muaj (Medina, 2018). Për shumë njerëz, simptomat e para shfaqen në të njëzetat e hershme. Megjithatë, hulumtimet kanë treguar se episodi i parë i çrregullimeve bipolare po ndodh më herët: shpesh shfaqet në adoleshencë, madje edhe fëmijët mund të kenë këtë çrregullim (Lyness, 2015). Individët me çrregullim bipolar karakterizohen me episode manie, hipomanie, depresioni dhe të përziera. Kështu gjatë një episodi të manisë, individi mund të ndiejë të dalë implusivisht nga puna, të ngarkojë shuma të mëdha në kartat e kreditit dhe të ndihet i çlodhur pas dy orësh (Smith & Segal, 2018). Individi gjithashtu mund të ndihet se është “në krye të botës”, që është i aftë të përmbushë çdo gjë që vendos në mendjen e tij dhe mund të ketë dëshirën të bëjë një duzinë gjërash në të njëjtën kohë, por që nuk bënë asnjërën (Medina, 2018). Kurse simptomat e hipomanisë janë të ngjashme me ato të manisë të tilla si: humor i rritur, vetëvlerësim i fryrë, zvogëlim i nevojës për gjumë, përveçse ato nuk ndikojnë ndjeshëm në funksionimin e përditshëm të personit dhe nuk përfshijnë asnjë simptomë psikotike (Bressert, 2018). Ndërsa në anën tjetër, një episod depresiv karakterizohet nga trishtim ekstrem, mungesë energjie ose mosinteresim për gjërat, një paaftësi për të shijuar aktivitetet e zakonshme të pëlqyeshme dhe ndjenjat e pafuqisë dhe mungesës së shpresës (Grohol, 2018). Kurse një episod i përzier i çrregullimeve bipolare përmban simptoma të manisë dhe depresionit. Shenjat e përbashkëta të një episodi të përzier përfshijnë depresionin e kombinuar me agjitacion, nervozizëm, ankth dhe pagjumësi (Smith & Segal, 2018).

Përderisa episodi i parë i manisë ose depresiv i çrregullimeve bipolare zakonisht ndodh në vitet adoleshente ose në moshën e rritur të hershme, ajo prek burrat dhe gratë në mënyrë të barabartë (Dunleavy, 2018). Instituti Kombëtar i Shëndetit Mendor (2017) vlerëson se 2.8% e të rriturve të SHBA kanë pasur çrregullime bipolare gjatë vitit të fundit (NIMH, 2017 si i cituar në Dunleavy, 2018). Për diagnozën bipolare që duhet diagnostikuar, një person duhet të ketë përjetuar të paktën një episod të manisë dhe një episod depresiv gjatë jetës së tyre (Grohol, 2018). Personi duhet të plotësojë kritere të caktuara për maninë dhe depresionin, duke përfshirë një gjendje shpirtërore të ngritur ose nervozë dhe rritje të aktivitetit të vazhdueshëm ose niveleve të energjisë. Këto duhet të kenë zgjatur të paktën 7 ditë, ose më pak nëse simptomat janë mjaft të rënda (Nordqvist, 2017).  

Në varësi të mënyrës se si përjetohen këto gjendje shpirtërore dhe sa seriozisht ndikojnë tek personi, ai mund të diagnostifikohet me një lloj të veçantë çrregullimi bipolar. Kështu, çrregullimi bipolar klasifikohet në katër lloje të ndryshme: bipolar I, bipolar II, çrregullimi ciklotim (Cyclothymic) dhe çrregullimi bipolar i paspecifikuar (Lyness, 2015). Lloji bipolar I karakterizohet nga një ose më shumë episode maniake ose episode të përziera. Në mënyrë tipike, një person do të përjetojë edhe periudha të depresionit, por që ky lloj është më shumë  i shënuar nga episode ekstreme të manisë (DBSA, 2017). Një episod manie zakonisht do të zgjasë 3 deri në 6 muaj, ndërsa episodet depresive zgjasin më tepër; 6 deri 12 muaj (Royal College of Psychiatrists, 2018). Lloji i dytë i klasifikuar bipolar II është i dominuar nga episodet më të gjata dhe më të rënda të depresionit. Në fakt, me kalimin e kohës, njerëzit me bipolar II kanë më pak gjasa të kthehen në funksionimin normal të plotë midis episodeve (Purse, 2018). Tipi i tretë, ai i ciklotimit karakterizohet nga humor kronik që përfshin periudha të hipomanisë dhe depresionit, megjithatë, depresioni nuk rritet në nivelin e një episodi të madh depresiv. Shumë individë me këtë tip të çrregullimit bipolar, ndryshe nga tipi bipolar II, janë plotësisht funksionalë dhe ndoshta hiper-produktivë në qoftë se episodet e hipomanisë ndodhin shpesh (Tracy, 2018). Ndërkaq çrregullimi bipolar i paspecifikuar nuk mund të ketë një model të veçantë të simptomave të përjetuara, por në vend të kësaj ka simptoma të hipomanisë ose ndryshime humori shumë të shpejtë midis simptomave të manisë dhe disa nga simptomat e depresionit (Royal College of Psychiatrists, 2018). 

Shkaqet e çrregullimit bipolar nuk janë kuptuar plotësisht, por shpesh duket të jenë gjenetike dhe hulumtimet tregojnë se çrregullimi bipolar tenton të zhvillohet në familje. Njerëzit mund të trashëgojnë një tendencë për të zhvilluar sëmundjen, e cila pastaj mund të nxitet nga faktorë të mjedisit, siç janë ngjarjet shqetësuese të jetës (Mental Health America, n.d). Studimet kanë zbuluar se në qoftë se ju keni prindër apo vëllezër me çrregullim bipolar, ju keni shumë më shumë gjasa për të zhvilluar çrregullimin, ku trashëgimia është vlerësuar në rreth 70%. Por, të kesh një histori familjare të çrregullimeve bipolare, nuk do të thotë që patjetër do të diagnostifikohesh me të. Në fakt, shumica e njerëzve me një histori familjare të çrregullimeve bipolare nuk e zhvillojnë atë (Dunleavy, 2018). Zhvillimi i trurit, struktura dhe kimikatet që quhen neurotransmetues, të cilët veprojnë si lajmëtarë në mes të qelizave nervore, gjithashtu mendohet të luajnë një rol në zhvillimin e çrregullimit bipolar (Mental Health America, n.d). Episodet e manisë mund të ndodhin kur nivelet e noradrenalinës janë shumë të larta dhe episodet e depresionit mund të jenë rezultat i niveleve të ulta të noradrenalinës (NHS Choices, 2016).

Çrregullimi bipolar (BPD) është shumë i përhapur dhe heterogjen dhe misdiagnostika është e zakonshme për të, si dhe çrregullimet komorbide me të. Prevalenca jetësore e komorbiditetit psikiatrik është raportuar në studimet e komunitetit dhe klinikave, ku shumica (95%) e të anketuarve me çrregullim bipolar në Studimin Kombëtar të Komorbiditetit (1999) përmbushën kriteret për tre ose më shumë çrregullime psikiatrike gjatë jetës (Kessler, 1999 si i cituar në Sagman, 2009). Në mostrën më të madhe klinike të pacientëve me çrregullim bipolar I dhe II të raportuara deri më tani, janë gjetur nivele të larta të komorbiditetit të ankthit, në përputhje me literaturën në rritje nga studimet epidemiologjike dhe rezultatet (Simon et al. 2004). Pacientët me BPD janë në rrezik më të lartë për shumë nëntipe të tjera të ankthit, përfshirë çrregullimin e ankthit të përgjithësuar, fobi të thjeshtë, fobi sociale, çrregullime obsesive-kompulsive, çrregullime të stresit post-traumatik dhe çrregullime paniku (Sagman, 2009). Shumë njerëz me çrregullim bipolar gjithashtu kanë një çrregullim të veçantë ankthi. Çrregullimet e ankthit ndodhin kur shqetësimet ose frika juaj vazhdojnë për muaj apo edhe vite. Ato vazhdojnë nëse ka apo nuk ka ndonjë arsye logjike ose të arsyeshme për ta. Individi mund të shqetësohet vetëm duke menduar për përgjegjësitë e zakonshme të përditshme dhe se si do të kaloj gjatë ditës (Thompson, 2010). Pacientët bipolarë me çrregullim ankthi kanë më shumë gjasa të angazhohen në abuzimin e substancave dhe sjellje vetëvrasëse. Zhvendosjet e humorit janë shumë më të thella dhe më të theksuara dhe intervalet kur një “gjendje normale” është e pranishme janë më të shkurtra. Ankthi i bën pacientët në fazat e manisë të angazhohen më shumë në sjellje impulsive, vetëshkatërruese (Thompson, 2010). Çrregullimi bipolar ka një nga shkallët më të larta të komorbiditetit të çrregullimeve të përdorimit të substancave. Pacientët me çrregullime bipolare dhe të përdorimit të substancave kanë një çrregullim më të rëndë të çrregullimeve bipolare sesa homologët e tyre pa çrregullime të përdorimit të substancave, në veçanti me përpjekje më të shpeshta vetëvrasëse, episode depresive, ciklizëm të shpejtë dhe episode të përziera të humorit, komorbiditete mjekësore dhe më shumë pranime spitalore (Dervaux & Laqueille, 2016).

Një nga sfidat më të mëdha të trajtimit të çrregullimeve bipolare është gjetja dhe mbajtja e një rutine trajtimi që punon më mirë për një person gjatë një periudhe afatgjatë (Grohol, 2018). Kështu, llojet e zakonshme të terapisë që përdoren janë terapia e sjelljes njohëse (CBT) dhe terapitë familjare të përqendruara. Grupet e mbështetjes dhe vetë-ndihmës janë gjithashtu burime të paçmueshme për të mësuar aftësitë e përballimit, ndjenjën e pranuar dhe shmangien e izolimit social (Mental Health America, n.d). Trajtimi gjithashtu mund të përfshijë një kombinim të ilaçeve të balancimit të gjendjes, terapive të stimulimit të trurit dhe ndryshimeve të caktuara të jetesës dhe qasjeve plotësuese shëndetësore (Dunleavy, 2018). 

Përfundimisht, edhe pse të gjithë mund të kemi lëvizje në humorin tonë, ai kthehet në njëtrajtëshmëri, por ndryshe nga popullsia “normale”, individëve që jetojnë me ciklin e çrregullimeve bipolare përmes ndryshimeve ekstreme të humorit mund t’iu shkaktohet përçarje në jetën e përditshme (Cagliostro, 2018). Çrregullimi bipolar mund të jetë jashtëzakonisht shqetësues për individët që e kanë këtë çrregullim, anëtarët e familjes, miqtë dhe punëdhënësit, por megjithatë trajtimi është i mundur, duke i’u mundësuar individëve me çrregullim bipolar të kenë marrëdhënie të suksesshme dhe punë domethënëse. Kombinimi i ilaçeve, terapisë, stilit të jetesës së shëndoshë dhe mbështetjes ndihmon shumicën dërrmuese të njerëzve të kthehen në jetë produktive dhe përmbushëse (Mental Health America, 2017).

Autore:

Drenusha Bujari

Referencat:

American Psychological Association. (2018). Bipolar Disorder. Apa.org.

Bressert, S. (2018). Hypomanic Episode Symptoms. Psychcentral.

Cagliostro, D. (2018). Bipolar Disorder. Psycom.

Depression and Bipolar Support Alliance. (2017). Types of Bipolar Disorder.

Dervaux, A. & Laqueille, X. (2016). Bipolar Disorder: Defining Symptoms and Comorbidities. Marrë më 26 Maj, 2018.  The Lancet.

Dunleavy, B. (2018). Bipolar Disorder: Symptoms, Types, Causes, Treatment and More. Everydayhealth.

Grohol, J. (2018). Bipolar Disorder. Psychcentral.

Legg, T. (2017). Could It Be Bipolar. 14 Signs to Look For. Health Line.

Lyness, D. (2015). What Is Bipolar Disorder. Kidshealth.

Mayo Clinic. (2018). Bipolar Disorder. Mayoclinic.  

McElroy, SL. (2004). Diagnosing and Treating Comorbid (Complicated) Bipolar Disorder. Ncbi.

Medina, J. (2018). Bipolar Disorder Symptoms. Psych Central.

Mental Health America. (2017). Bipolar Disorder. Mentalhealthamerica.net.

National Alliance on Mental Illness. (2017). Bipolar Disorder. Nami.org.

National Institute of Mental Health. (2016). Bipolar Disorder. NIMH.

NHS Choices. (2016). Bipolar Disorder. Nhs.Uk.

Nordqvist, Ch. (2017). What Should You Know About Bipolar Disorder. Medicalnewstoday.

Parekh, R. (2017). What Are Bipolar Disorder. Psychiatry.org.

Psychology Today. (n.d). What Is Bipolar Disorder. Psychologytoday.

 Purse, M. (2018). An Overview Of Bipolar Disorder. Verywellmind.

Royal College of Psychiatrists. (2018). Bipolar Disorder. Rcpsych.ac.uk.

Sagman, D. (2009). Comorbidity in Bipolar Disorder. Psychiatrictimes.

Simon, N., Otto, M., Wisniewski, S., Fossey, M., Sagduyu, K., Frank, E., Sachs, G., Nierenberg, A., Thase, M. & Pollack, M. (2004). Anxiety Disorder Comorbidity in Bipolar Disorder Patients: Data From the First 500 Participants in the Systematic Treatment Enhancement Program for Bipolar Disorder. Psychiatryonline.org.

Smith, M. & Segal, J. (2018). Bipolar Disorder Signs and Symptoms. Helpguide.org.

 Thompson, D. (2010). Bipolar Disorder and Anxiety. Everydayhealth.

Tracy, N. (2018). Types of Bipolar Disorder. Healthyplace.