Në jetën e përditshme, perfeksionizmi shihet si diçka të cilën shumë pak persona arrijnë ta kenë. Në momentin kur i thuhet dikujt “Je perfekt”, atëherë me të vërtetë personi në fjalë ka arritur diçka të jashtëzakonshme që të tjerët nuk kanë mundur ta bëjnë. Apo, ai ose ajo i ka plotësuar të gjitha tiparet e duhura që një njeri duhet t’i ketë. Një person i cili dallohet me bukuri të jashtme, personalitet të mrekullueshëm, sjellje për t’u lakmuar, modesti, karakter të fortë si dhe inteligjencë të lartë besohet të jetë ndër të ashtëquajturit “Perfeksionistë”. Perfeksionizmi si cak për t’u arritur, ka bërë që shumë njerëz të luftojnë ndërmjet vete duke bërë edhe krahasime të shumta sociale dhe duke shkatërruar identitetin e tyre për të arritur perfekten.

Në psikologji, perfeksionizmi është një tipar i personalitetit i karakterizuar nga lufta e një personi për të gjetur defekte apo mangësi te vetja dhe nga vendosja e standarteve të larta të performancës të shoqëruara nga vlerësimet kritike dhe shqetësime nga vlerësimet e të tjerëve. Perfeksionizmi është një rrugë e pafund e përcjellur me garë për arritje në shumë aspekte jetësore. Një fakt i tillë, shpeshherë shoqërohet me depresion dhe çrregullime të ngrënies. Njerëzit të cilët fillojnë të ndjekin perfeksionizmin shpeshherë dalin nga vetja e tyre dhe orientohen drejt një rruge negative që i dobëson ata psiqikisht dhe fizikisht. Perfeksionizmi është rritur ndjeshëm gjatë 30 viteve të fundit duke prekur më së shumti grupmoshën e të rinjëve. Studime të shumta të bëra në këtë drejtim kanë arritur në përfundim se ekzistojnë tri lloje të perfeksionizmit:

  • Përsosmëria vetë-orientuese, ose vendosja e një dëshire joreale për të qenë i përsosur për veten.
  • Përsosmëria e orientuar nga të tjerët, ose vendosja e standardeve joreale të përsosmërisë tek personat e jashtëm.
  • Perfeksionizmi i përshkruar në mënyrë shoqërore, ose duke perceptuar pritjet jorealiste të përsosjes nga të tjerët.

Në zhvillimin e dëshirës për të qenë perfeksionist ndikojnë shumë faktorë. Disa prej tyre janë:

  • Frika e shpeshtë e mosnjohjes nga të tjerët ose ndjenjat e pasigurisë dhe pamjaftueshmërisë.
  • Çështjet e shëndetit mendor, si ankthi ose çrregullimi obsesiv-kompulsiv (OCD). Disa studime kanë vërtetuar se ekziston një korrelacion ndërmjet dëshirës për të qenë perfeksionist dhe çrregullimit obsesiv-kompulsiv (OCD).
  • Të ketë një prind që shfaq sjellje perfekte ose shpreh keqardhjen kur përpjekjet e fëmijëve të tyre nuk sjellin përsosmëri. Disa prindër mund të inkurajojnë fëmijën e tyre që të kenë sukses në çdo fushë ose të nxisin përsosjen në to, deri në atë masë që mund të konsiderohet abuzive.

Të gjithë faktorët e lartpërmendur, na bëjnë me dije se perfeksionizmi nuk është diçka që sjell më të mirën për një person apo e rrit mirëqenien e tij psiqike. Psikologët i inkurajojnë njerëzit t’i ikin dëshirës për të qenë afër perfeksionizmit. Ata bëjnë apel që klientët e tyre të jenë sa më shumë vetvetja duke bërë kështu që të jetojnë jetën e tyre dhe të jenë të kënaqur me identitetin që ata e kanë.

Autore:

Tringa Visoka

Referencat:

Otto, K. (2006). Types of perfectionism. Journals.sagepub.com.

Williams, K. (2018). What is perfectionism. Psychology Today.