T’u mësosh rregulla fëmijëve dhe mbi të gjitha t’i bësh ata që t’i respektojnë, vërtetë mund të na kushtojë shumë lodhje, por duhet të jemi të sigurt se frytet e këtij mundimi do t’i marrim më vonë.

Gjithçka do të kurorëzohet kur vogëlushi të rritet, sepse në atë kohë do të dijë të sillet mirë në ambientin social, duke u bazuar tek rregullat që prindërit i kanë mësuar.

Këto janë fjalët e psikologëve që merren me sjelljet e fëmijëve. Rëndësia e rregullave është e madhe në rrugën edukative të prindërve ndaj fëmijëve të vegjël. Ekspertët e sjelljes kanë arritur në përfundimin se rregullat duhet të jenë të pakta në numër, 4 apo 5, por mbi ato nuk duhet lëshuar pe. Nëse të rriturit thonë vazhdimisht jo për atë çka vogëlushi kërkon, kjo ndikon në besimin e fëmijës dhe nuk zgjidh asgjë. Është mirë që në çdo familje të vendosen disa prioritete dhe rregulla të forta, të cilat fëmija duhet t’i zbatojë patjetër.

 

Nëse nëna dhe babai mbajnë të njëjtin qëndrim, fëmijët i zbatojnë më lehtë rregullat

Nëse nëna dhe babai mbajnë të njëjtin qëndrim, fëmijët i zbatojnë më lehtë rregullat e vendosura, sepse mendojnë se nuk ka asnjë mundësi për t’i ndryshuar gjërat. “Nëse prindërit nuk sillen njësoj për një vendim të caktuar, humbin besimin tek fëmijët, duke sjellë kështu konfuzion në mendjen e tyre”, shpjegojnë psikologët. Por le të shohim me detaje disa këshilla, me qëllim që në të ardhmen prindërit të mos ankohen se fëmijët nuk i dëgjojnë për asgjë.

 

Në cilën moshë duhet të nisim të vendosim rregulla për sjelljen e tyre?

Shumë herët. Madje sa më shpejt, aq më mirë. Është e këshillueshme që ato të fillojnë në 6 apo 8 muajt e parë të jetës, kur edhe fëmija nis të lëvizë dhe të eksplorojë hapësirën që e rrethon. Këtu duhet ndërhyrë për të vendosur limite se kur prekin gjëra të rrezikshme, apo që nuk janë të përshtatshme për ta, sipas mendimit tonë. Shpesh kur një prind i ndalon diçka fëmijës, si për shembull telekomandën apo telefonin, kur e sheh që fëmija vazhdon të qajë apo insistojë, vendos të bëjë të kundërtën… Kjo është diçka shumë e gabuar dhe kemi dëgjuar që shumë prindër sillen në këtë mënyrë me fëmijët e tyre. Të thuash në fillim jo dhe pastaj të ndryshosh mendim, mund të bëjë që fëmija të humbë besueshmërinë. Fëmijët janë shumë të zgjuar dhe e kuptojnë se nëse kjo ndodhi herën e parë, ai mund të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë gjithmonë. Këmbëngulja te sjellja fillestare është e rëndësishme. Kështu që në të ardhmen çdo lloj qëndrimi i joni kundrejt kërkesës së tij nuk do të ketë më vlerë.

Kur themi jo, duhet ta bëjmë pa e ngritur zërin, por në mënyrë autoritare dhe të vendosur. Nuk është e nevojshme të bërtasim apo ta bëjmë vogëlushin të qajë. Në fillim fëmijët këmbëngulin për atë që duan, por më vonë e kuptojnë se ajo që kërkojnë është e ndaluar dhe nuk e përsëritin më gabimin. Shpesh ndodh që pas disa kohësh ai do të kërkojë sërish të thyejë disa rregulla, duke menduar në mendjen e tij të vogël: “E di që është e ndaluar, por unë do ta provoj njëherë”. Këtu kemi të bëjmë me një progres. Fakti që vogëlushi e di që ajo sjellje ndalohet, duhet përgëzuar. Kjo e bën atë që në të ardhmen të dijë edhe të respektojë rregullat e vendosura. Ndonjëherë ndodh që mes prindërve dhe gjyshërve të mos ketë bashkëpunim, për të mos e lejuar fëmijën të bëjë disa sjellje. Njëri ndalon diçka, ndërsa tjetri e lejon. Si mund të zgjidhet kjo situatë?

 

Beteja me gjyshërit është një betejë e humbur

Ata edhe pse mund të kenë qenë të ashpër me fëmijët e tyre, me nipërit, ndryshojnë sjellje tërësisht. Sigurisht që gjyshërit duhen paralajmëruar se mbi rregullat më të rëndësishme që prindërit kanë vendosur nuk mund të ketë kompromis. Të vegjlit mendojnë se gjyshërit u lejojnë të bëjnë gjithçka, ndaj kur edhe ata mbajnë të njëjtin qëndrim si prindërit për disa veprime apo sjellje, fëmijët binden më me lehtësi. Po ashtu të vegjëlve u duhet mësuar se çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjnë me prindërit apo me gjyshërit. Me pak fjalë, t’i bësh të kuptojnë ndryshimin e llojeve të ndryshme të sjelljeve. I rëndësishëm është mesazhi që ai merr, pra që disa rregulla janë të ndara dhe kjo, jo se prindërit nuk janë dakord me njëri-tjetrin. Në fakt, rreziku për të thënë vazhdimisht jo, kur fëmijët nisin të eksplorojnë atë çka i rrethon, ekziston. Shpesh shkojnë drejt gjërave të rrezikshme dhe jo të përshtatshme për ta. Çfarë duhet bërë? Gjëja më e mirë është ta përshtatësh shtëpinë sipas dëshirave të tyre. Domethënë të heqim gjithçka që mund të thyhet apo që nuk bën për të. Nëse themi jo për gjithçka, kjo mund të ndikojnë në autonominë e tij, në dëshirën për të eksploruar botën, duke i hequr kështu edhe besimin për të ardhmen.

 

A mund ta “kërcënojmë” fëmijën përmes dënimeve, duke i thënë se nëse bën diçka që nuk lejohet, do të ndëshkohet?

Po, por si dënim duhen vendosur gjëra që prindërit mund t’i zbatojnë. Jo ta kërcënojnë fëmijën me diçka që ata vetë nuk e bëjnë. Asnjëherë gënjeshtra.

 

Por nëse mëson të respektojë rregullat, si t’i bëjmë ta kuptojë se ne e vlerësojmë shumë sjelljen e tij?

Padyshim që i duhet thënë se po sillet shumë mirë, se ju gjithmonë e kishit ëndërruar një fëmijë kaq të sjellshëm dhe të mbarë. Këto sjellje të prindërve do ta bëjnë të ecë në të njëjtën rrugë si më parë. Sepse i vogli do të mendojë se vetëm kështu prindërit, qeniet që ai do më shumë në botë, janë të lumtur dhe të kënaqur.

 

Burimi:

Psika Klasike