Masazhi terapeutik është një nga praktikat më të lashta që lidhen me mjekësinë. Libri i parë me këtë temë u shkrua në Kinë, afërsisht në vitin 3000 para erës sonë. Por, pati një kohë kur masazhit i ra vlera dhe filloi të konsiderohej si një praktikë “alternative” e pamiratuar. Megjithatë, kohët e fundit studiuesit e mjekësisë dhe të psikologjisë kanë nisur të rishohin edhe një herë vlerat e kësaj metode “konkrete”. Studimet e kohëve të fundit tregojnë se terapia e masazhit mund:

Të ndihmojë bebet të rriten. Sipas një studimi që është bërë i famshëm, studiuesit krahasuan foshnjat e lindura para kohe që masazhoheshin tri herë në ditë nga 15 minuta, me një grup ku foshnjat u lanë të paprekura në inkubatorët e tyre (Field, 1986). Studiuesit vunë re se foshnjat që masazhoheshin reagonin më shumë dhe më shpejtë ndaj njerëzve dhe zhurmave, gjithashtu ishin pergjithësisht më aktive se bebet e tjera. Për shkak të rritjes më të shpejtë, secila nga bebet e masazhuara u nxor nga spitali mesatarisht 6 ditë më parë sesa foshnjat e pamasazhuara. Ç’është më e rëndësishme, 8 muaj më vonë, foshnjat e masazhuara vazhdonin të ruanin përparësinë në peshë dhe vazhdonin të ishin më përpara në testet motore (lëvizjeve) dhe të zhvillimit mendor. Këto rezultate kanë pasur ndikim shumë të madh në mënyrën e përkujdesit për foshnjat si nga prindërit ashtu edhe nga personeli i spitaleve (Dieter, Field, Hernandez, Emory & Redzepi, 2003).

Të pakësojë dhimbjen. Edhe të rriturit përfitojnë nga masazhi (Field, 2001). Studimi i 129 personave që prej shumë kohësh vuanin nga dhimbjet e muskujve dhe të skeletit, tregoi se terapia e masazhit ndikonte në pakësimin e dhimbjes. Pas tre muajsh, kontrolli i këtyre pacientëve tregoi se simptomat ishin rikthyer (Hasson, Ametz, Jelveus & Edelstam, 2004). Pra, përfitimet afatgjate të terapisë së masazhit vazhdojnë të jenë në pikëpyetje.

Të heqë ankthin dhe depresionin. Shqyrtimi i 37 studimeve që vlerësonin terapinë e masazhit te të rriturit me depresion dhe ankth (Moyer, Rounds & Hannum, 2004), nxori në pah se një seancë e vetme masazhi arrinte të ulte në mënyrë të ndjeshme ankthin dhe depresionin e momentit. Seancat e njëpasnjëshme arrinin të ulnin ankthin dhe depresionin afatgjatë, por edhe të zhduknin dhimbjen.

Edhe pse nevojiten studime të tjera që do të çojnë në kuptimin e plotë të përfitimeve që vijnë nga terapia e masazhit dhe nga përdorimi i saj i gjerë nga terapistët, rezultate të këtij lloji janë tejet premtuese.

Prekja shpesh ka edhe efekt kurues. Një fërkim i lehtë arrinë të qetësojë foshnjat e lindura para kohe, kurse masazhimi i tyre në mënyrë të rregullt bën që ato të rriten më shpejtë. Këto rezultate, konfirmojnë bindjen se prekja është ndër ndjesitë me ndikim të madh qetësues.

Përgatiti: Fjolla Binaku

Referencat:

Morris, C. G., & Maisto, A. A. (2019). Understanding psychology. Hoboken: Pearson