Miliona njerëz në të gjithë botën preken nga çrregullimet mendore, gjë që mund të kërkojë vite të tëra të psikoterapisë. Kanë emra të veçantë. Janë 10, por ka edhe shumë të tjera. Por, ato konsiderohen si çrregullime të rralla e shumë të çuditshme. Përcillen me iluzione e halucinacione. Më poshtë keni një klasifikim, sikurse edhe një përpjekje për të sqaruar disa prej tyre.

 

  1. Sindroma e Stokholmit

Sindroma e Stokholmit është një reagim psikologjik i cili haset te pengjet e kidnapuara, me ç’rast pengu tregon shenja afërsie, besnikërie dhe bashkëpunimi me pengmarrësin, pavarësisht rreziqeve të cilave u nënshtrohet ai. Sindroma në fjalë shfaqet edhe në raste të tjera, duke përfshirë edhe rrahjen e grave, dhunimin dhe keqtrajtimin e fëmijëve. Sindroma është emëruar sipas një vjedhjeje banke në Stokholm, në Suedi, ku grabitësit e bankës i mbajtën punonjësit peng nga 23 deri më 28 gusht të vitit 1973. Gjatë kësaj ngjarjeje viktimat u lidhën emocionalisht me grabitësit, e madje i mbrojtën ata pas lirimit nga përvoja e tyre gjashtë ditëshe, duke mos dashur të dëshmonin kundër tyre. Më vonë, pas burgosjes së kësaj bande, njëri anëtar u martua me njërën nga pengjet e tij. Një histori e njohur e sindromës së Stokholmit është ajo e Patty Hearst, vajzës së një millioneri e cila u kidnapua në vitin 1974. Ajo shfaqi shenja afërsie me grabitësit e saj dhe më pas mori pjesë në një grabitje të cilën ata po e planifikonin.

 

  1. Sindroma e Lima-s

Është e kundërta e sindromës së Stokholmit. Këtu kidnapuesit ndjejnë afërsi ndaj pengjeve. U emërua sipas krizës së pengjeve në Ambasadën Japoneze në Lima, Peru, ku u morën peng qindra njerëz gjatë një ndeje në rezidencën e e Ambasadës Japoneze në Peru, nga Lëvizja Revolucionare Tupac Amaru (MRTA). Pengjet ishin diplomatë të ndryshëm, zyrtarë qeveritarë, ushtarakë dhe shumë biznesmenë të të gjitha kombësive që ishin të pranishëm në ndejë. E gjitha filloi më 17 dhjetor 1996 dhe pëfundoi më 22 prill të vitit 1997. Brenda pak ditëve pas krizës në fjalë, militantët i lëshuan shumicën e pengjeve, duke e nënvlerësuar rëndësinë e tyre, përfshirë këtu edhe presidentin e ardhshëm të Perusë dhe nënën e presidentit të atëhershëm. Pas disa muajve të bisedimeve të pasuksesshme, të gjithë u liruan nga një bastisje e organizuar nga komanda peruane, edhe pse një peng u vra.

 

  1. Sindroma e Diogjenit

Diogjeni ishte një filozof i lashtë grek, i cili jetonte në një fuçi dhe përhapte ide të nihilizmit dhe animalizmit. Kur e kishte pyetur këtë të fundit Aleksandri i Madh për dëshirën më të madhe në botë, ai ishte përgjigjur: “Largohu nga drita e diellit!”. Sindroma e Diogjenit është një gjendje e karakterizuar me shpërfillje të skajshme të vetëvetes, me prirje izolimi dhe mbledhje kompulsive, zakonisht mbledhje kafshësh. Kjo sindromë shfaqet më shumë te njerëzit e moshuar dhe ndërlidhet me pleqërinë. Këtu faktikisht kemi të bëjmë me një term të gabuar, pasi që Diogjeni e bënte një jetë asketike dhe të rastit dhe nuk ka burime të cilat tregojnë se ai linte pas dore higjenën e tij personale.

 

  1. Sindroma e Parisit

Sindroma e Parisit është një gjendje që lidhet vetëm me turistët japonezë, e cila shkakton një kolaps mendor gjatë kohës që qëndrojnë në qytetin e famshëm. Prej miliona turistëve japonezë që e vizitojnë këtë qytet, një pjesë e madhe e tyre vuajnë nga ky sindrom dhe detyrohen që të kthehen në vendlindje. Në thelb, kjo gjendje është një ”tronditje kulturore”. Turistët e sjellshëm japonezë të cilët vijnë në qytet e kanë të pamundur ta ndajnë mendimin idilik mbi qytetin, mendim ky i ndikuar nga filma si Amelie, prej realitetit të një metropoli aktiv dhe modern. Turistët japonezë që bien në kontakt me ndonjë kamarier të pasjellshëm francez, e kanë të pamundur të reagojnë kundër dhe kështu e shtypin zemërimin e tyre, gjë që mund t’i shtyjë drejt një kolapsi të plotë mendor. Ambasada japoneze e ka një linjë 24 orëshe për turistët që preken nga tronditja e madhe kulturore dhe mund t’u ofrojnë shërbime urgjente mjekësore, po qe nevoja.

 

  1. Sindroma e Stendalit

Sindroma e Stendalit është një çrregullim psikosomatik që shkakton rrahje të shpejta të zemrës, marramendje, të përziera e madje edhe halucinacione, me rastin e ekzpozimit të një individi ndaj artit, zakonisht kur arti është veçanërisht “i bukur”, ose kur kemi të bëjmë me shumë vepra arti njëherësh. Termi mund të përdoret gjithashtu për të përshkruar reagime të ngjashme me rastin e teprisë së zgjedhjes, p.sh. përballja me bukurinë e pamatë të botës natyrore. U emërua sipas autorit të njohur francez të shekullit të 19-të, Stendalit, i cili e përshkruan përvojën e tij me fenomenin në fjalë gjatë vizitës së tij në Florence, Itali, në vitin 1817.

 

  1. Sindroma e Jerusalemit

 

Sindroma e Jerusalemit përfshin një grup fenomenesh mendore që ndërlidhen ose me praninë e ideve obsesive me tematikë religjioze, iluzione dhe përvoja të ndryshme psikotike, ose me një vizitë në Jerusalem. Nuk është endemike për ndonjë religjion të veçantë, por dihet se ka prekur të krishterë dhe çifutë me prapavija të ndryshme. Gjendja fillon të shfaqet gjatë qëndrimit në Jerusalem dhe shkakton deluzione psikotike, të cilat priren të zhduken pas disa javëve. Të gjithë njerëzit që kanë vuajtur nga kjo psikozë e vetvetishme, kanë pasur një histori sëmundjesh mendore, ose është thënë se nuk kanë qenë “mirë” para se të shkonin në qytet.

 

  1. Iluzioni Capgras

Iluzioni Crapgras është një çrregullim i rrallë, ku personi vuan nga iluzioni se një i njohur, zakonisht gruaja apo ndonjë pjesëtar tjetër i familjes është zëvendësuar nga një mashtrues i njëjtë në dukje. Haset më shpesh tek pacientët me skizofreni, edhe pse mund të shfaqet edhe pas një lëndimi trunor. Një raport mbi një rast të tillë shkruante kështu: Znj. D, një shtëpiake e vjetër dhe e martuar, pas lëshimit nga një spital lokal, me rastin e pranimit të trajtimit psikiatrik, u rikthye për një këshillim të rradhës. Në të njëjtën kohë me terapinë e saj të parë, ajo ishte diagnostikuar me psikozë jotipike, për shkak të besimit se burri i saj ishte zëvendësuar nga një njeri i panjohur. Ajo refuzonte të flinte me “mashtruesin”, i kërkonte të birit një armë dore dhe përfundimisht u përlesh me policinë gjatë përpjekjes për ta shtruar në spital. Ndonjëherë ajo mendonte se burri i saj ishte i ati që kishte vdekur prej kohësh. Ajo i njihte të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, përveç të shoqit.

 

  1. Iluzioni i Fregolit

Është e kundërta e iluzionit Capgras. Iluzuioni i Fregolit është një çrregullim i rrallë, ku personi e ka iluzionin se njerëzit e ndryshëm janë në fakt të njëjtët persona, që e ndërrojnë pamjen e tyre ose janë të maskuar mirë. Kjo gjendje u emërua sipas një aktorit italian, Leopoldo Fregolit, i cili njihej për aftësinë e tij që ta ndryshonte pamjen e tij gjatë një performance skenike. Për herë të parë u reportua në vitin 1927 nga dy psikiatër, të cilët po e studionin rastin e një gruaje 27 vjeçare që besonte se po ndiqej nga dy aktorë të cilët i kishte parë shpesh në teatër. Ajo thoshte se këta njerëz po e “ndiqnin nga afër”, duke e marrur formën e njerëzve të njohur për të.

 

  1. Iluzioni Cotard

Iluzioni Cotard është një çrregullim i rrallë psikiatrik, me ç’rast personi e ka idenë se është i vdekur, nuk ekziston, se po kalbëzohet, ose se ka humbur gjakun apo organet e brendshme. Në raste të rralla mund ta shkaktojë iluzionin e pavdekshmërisë. Studimi i një rasti shënon si më poshtë: Simptomat e pacientit u shfaqën në kontekstin e ndjenjave më të përgjithësuara të irealitetit ose të të qenit i vdekur. Në janar, 1990, pas lëshimit nga spitali në Edinburg, nëna e tij e mori me vete në Afrikën e Jugut. Ai ishte i bindur se e kishin dërguar në ferr (gjë që mbështetej nga nxehtësia e atjeshme) dhe se kishte vdekur nga septicemi (prej të cilës sëmundje kishte vuajtur më parë) ose nga AIDS-i (ai kishte lexuar gjetkë një histori të dikujt me AIDS, që kishte vdekur nga septicemi). Ai mendonte se e kishte “marrë me vete shpirtin e nënës së tij për ta shoqëruar në ferr” dhe se qëndronte i fjetur në Skotklandë. U emërua sipas Jules Cotard, një neurolog francez, i cili e përshkroi gjendjen për herë të parë, të cilën ai e quajti “le délire de négation” (“deliriumi i mohimit”), në një ligjëratë në Paris, më 1880.

 

  1. Paramnezia e Dyfishueshme

Paramnezia e dyfishueshme është besimi iluzionar se një vend apo mjedis është dyfishuar, se ekziston në dy ose më shumë vende njëherësh, ose është “rivendosur” diku tjetër. Për shembull, një njeri mund të mendojë se nuk gjendet në spitalin ku është vendosur, por në një spital tjetër të njëjtë në dukje, në një vend krejt të ndryshëm, pavarësisht faktit se një gjë e tillë është tërësisht absurde. Ja se si u raportua një rast i vëzhguar: Disa ditë pas vendosjes në Qendrën Neurobihejviorale, ai e kishte një ide të rregullt mbi kohën, mund të rikujtonte hollësi nga aksidenti, i mbante mend emrat e mjekëve dhe mund të mësonte informacion të ri dhe ta riprodhonte atë. Sidoqoftë, ai e përjetoi një anomali sa i përket orientimit të vendndodhjes. Megjithëse e dinte se ishte në Spitalin e Veteranëve të Xhamajkas, ai ngulte këmbë se spitali gjendej në Taunton, Massachusetts, në vendlindjen e tij. Pas pyetjeve të shumta, ai pranoi se ky spital ishte pjesë e Bostonit, dhe se do të ishte shumë e çuditshme po të ekzistonin dy spitale të tilla. Sidoqoftë, ai ngulte këmbë se tani për tani ishte i shtrirë në degën e Spitalit të Veteranëve të Xhamajkas, që gjendej në Taunton. Madje një herë tha se spitali ndodhej në bodrumin e shtëpisë së tij. Termi “paramnezi e dyfishueshme” u përdor së pari në vitin 1903 nga neurologu çekosllovak Arnold Pick, për ta përshkruar gjendjen tek një paciente që dyshohej për sëmundjen Alzheimer. Ajo thoshte se ishte zhvendosur nga klinika e tij në qendër të qytetit, tek një klinikë tjetër e njëjtë në dukje, që ndodhej në një paralagje të qytetit. Për ta sqaruar këtë shpërputhje, ajo thoshte se Pick-u dhe kolegët e tij punonin në dy spitalet.

 

Autor:

Jon Konjufca

Burimi:

Psika Klasike