Argumenti se duhet të vendosen rregulla strikte me adoleshentët në përdorimin e telefonave të mençur pas kohës së caktuar të gjumit është forcuar edhe më shumë. Po bëhet gjithnjë e më e qartë që përdorimi i smartfonave deri natën vonë, jo vetëm që interferon me orarin e gjumit, por edhe e kërcënon shëndetin e tyre mental.

Studimi më i fundit nga universiteti Murdoch, në Australi ka provuar që “vamping” duhet të shkaktojë tek prindërit merakosje për nxënësit të shkollave fillore dhe të mesme. Studimi longitudinal i 1101 adoleshentëve 13-15 vjeçarë, përgjatë 4 viteve të shkëmbimit të mesazheve telefonike deri natën vonë dhe përdorimi i përgjithshëm i smartfonave, ka qenë i lidhur me luhatje të humorit, vetëbesim të ulët dhe aftësi të reduktuara të përballjes. Këto simptome shkojnë dorë për dore me performancë të ulët akademike. Në një artikull të gazetës amerikane New York Times në vitin 2014, raportohen storie të ngjashme të adoleshentëve që mbështillen nën jorgan dhe me ndriçim të zvogëluar të telefonit (Holson, 2014). Ka shumë zgjedhje të aktiviteteve të ndryshme që mund të kryhen me smartfona, që nga shkëmbimi i mesazheve e deri tek shkarkimi i këngëve të ndryshme. Prindërit janë të shqetësuar kur ata i kontrollojnë fëmijët e tyre here pas here pasi të kenë orarin e gjumit dhe shohin se ende janë të zgjuar duke përdorur telefonat e tyre. Nga ana tjetër, edhe adoleshentët ndihen të shqetësuar ngase nuk ndihen emocionalisht të aftë për të shkyçur telefonat e tyre në kohën e gjumit.

 

Një tjetër studim nga Charles Czeisler (2013), ka sqaruar sesi drita e kaltërt artificiale e emituar nga pajisjet elektronike aktivizon neuronet e zgjimit në tru. Ky zgjim e çrregullon aftësinë e organizmit për të prodhuar melatoninë, që është hormoni që rregullon gjumin. Dhe ky argument është i mjaftueshëm që të mbahen pajisjet telefonike larg dhomës së gjumit të adoleshentëve, kohë kjo që është kritike për zhvillimin e tyre emocional, social dhe kognitiv. Nëse kjo kombinohet edhe me humorin depresiv, vetëbesim të ulët, aftësi të reduktuara të përballjes si dhe me performancë të ulët akademike, bëhet e nevojshme që prindërit të ndërmarrin aksion kundrejt kësaj çështjeje.

 

Prindërit mund të rregullojnë kufizime të shëndetshme për orarin e gjumit. Ata mund të krijojnë kufinjtë dhe të mësuarit e fëmijëve për vlerën e gjumit. Prindërit vendosin udhëzimet dhe rregullat për sjelljet e tyre dhe mund të kenë fleksibilitet në zbatimin e këtyre rregullave varësisht nga ajo se si fëmijët mund të sillen me përgjegjshmëri ndaj këtyre rregullave. Në çfarëdo moshe që fëmija pajiset me telefon, prindërit duhet të vendosin rregullat e përdorimit të tyre, sidomos në kohën e gjumit. Që smartfonat i kanë të instaluar alarmet, nuk mund të përdoren si argument për përdorimin e tyre gjatë kohës së gjumit. Nëse adoleshentëve i’u nevojitet me të vërtetë alarmi, atëherë t’i sigurohet një orë kurdisëse me alaram.

 

Autore:

Arta Hiseni

 

Referencat:

Czeisler, C. A. (2013). Perspective: Casting light on sleep deficiency. Nature, 497.

Holson, L. M. (2014). Social Media’s Vampires: They Text by Night Vamping Teenagers Are Up All Night Texting. New York Times.