Alexia është një formë e disleksisë (vështirësi në të mësuar), që mund të shkaktohet nga ndonjë goditje apo trauma në tru, e cila ndodh në një spektër që shkakton probleme si vështirësi në përqëndrim dhe vështirësi në leximin e fjalëve të vogla në kontekse më të gjera, ku duket sikur papritur të gjitha fjalët janë përzier njëra me tjetrën dhe kanë humbur kuptimin.

Pse është e rëndësishme ta dini këtë?

Imagjinoni jeni zgjuar nga gjumi dhe jeni në shtratin tuaj si çdo ditë tjetër të zakonshme, merrni në dorë telefonin tuaj dhe kur papritur ajo çfarë shihni është grumbuj shkronjash dhe fjalësh të pakuptimta. E çuditshme, duhet të jetë ndonjë problem me telefonin, mendoni me vete. Ecni drejt kuzhinës, shihni gazetën e djeshme që ende qëndron mbi tavolinë dhe derisa po përgatisni mëngjesin tuaj i  hedhni një sy titujve në gazetë. Dhe çfarë të shihni, fjalë për fjalë gjithçka në faqen e gazetës ju duket e pakuptimtë. Fjalëve të shkruara nuk mund t’i nxjerrësh asnjë kuptim. I hidhni një sy shtëpisë suaj në përgjithësi dhe ndiheni sikur asgjë e shkruar nuk është e lexueshme dhe me kuptim. Pra kështu mund të jetë tregimi i dikujt i cili e kupton se vuan nga çrregullimi i aleksisë.

Ju ndoshta e dini se disleksia po ashtu është një çrregullim i cili shkakton vështirësi në të mësuar dhe në të lexuar, dhe që mendohet se ky çrregullim mund të jetë i lindur. Për dallim, aleksia e cila poashtu është e njohur si “verbëri fjalësh” apo humbje e aftësisë në të lexuar, është paksa e ndryshme nga disleksia, ngase aleksia është një çrregullim i fituar me kohë (jo i lindur). Kjo do të thotë, se cilido prej nesh mund të fitojë me kohë një çrregullim të tillë. Po ashtu aleksia zakonisht vjen me çrregullime të tjera si: afazia ekspresive (humbja e aftësisë në thurrjen e fjalive) dhe agrafia (humbja e aftësisë në të shkruar). Kjo nënkupton që jo vetëm se fjalët ju duken të përziera dhe të pakuptimta kur ju mundoheni të lexoni, por ju humbisni po ashtu aftësinë e të shkruarit ose aftësinë e thurrjes së fjalive.

Nuk ka shërim të tërësishëm të çrregullimit të aleksisë, por ju mund të mësoni se si të jetoni me të.

Pse duhet të ju interesojë kjo?

Aleksia mund të të ndodh edhe ty. Shiko shembullin e çuditshëm të Howard Engel. Engel është një novelist kanadian i cili pësoi një goditje në tru, përderisa ishte në gjumë dhe u zgjua në mëngjes me çrregullimin e aleksisë. Goditja që kishte pësuar i kishte dëmtuar një pjesë të trurit të cilën e përdorim gjatë leximit, kështu që shkronjat apo fjalët nuk kishin kuptim më për të. Kjo ishte një diagnozë e tmerrshme veçanërisht për një shkrimtar profesionist siç ishte Engel.

Ai provoi mënyra të ndryshme që të rikthente aftësinë e leximit: improvizimin e shkronjave me anë të prekjes nëpërmjet gishtërinjve, me qëllim që të arrijë të lexojë fjalët duke përdorur sistemin motorik, duke i vizatuar shkronjat në ajër dhe duke u munduar që t’i shohë në atë mënyrë, dhe në fund duke i improvizuar shkronjat me gjuhën e tij.  Çuditërisht, kjo e fundit doli si një nga teknikat më të shpejta për Engel. Siç raporton NPR, “Engel kishte mësuar të lexonte me gjuhën e tij, duke goditur lehtë formën e shkronjave në dhëmbët e tij të përparëm. Ai kishte arritur deri në atë pike, sa mund të lexonte titrat përderisa shikonte një film të huaj. Andaj aq sa është e frikshme ekzistimi i mundësisë që një ditë të prekesh nga ky çrregullim, po aq duhet të kemi parasysh se ky çrregullim pjesërisht mund të trajtohet ose mund të mësohet se si të tejkalohet disi më lehtë gjendja të cilën e krijon ky çrregullim.

Përktheu dhe përshtati:

Halime Hasani

Referenca:

Curiosity Staff. (2016). Alexia Is Known As “Word Blindness,” And It Can Happen To Anyone. Curiosity.