Viti 2019 numëron plot 20 vite që kur lufta në vendin tonë ka përfunduar. Plagët dhe traumat, ndihen ende në shpirtat e mijëra kosovarëve të cilët kanë përjetuar sado pak skenat e luftës së bërë para dy dekadave. Të shtënat me armë, përvojat e tmerrshme me ushtarët serbë, janë vetëm disa nga përjetimet tona gjatë kësaj periudhe. Një vend të veçantë e zënë heroinat e Kosovës, gratë të cilat për fat të keq qenë pre e dhunës seksuale të ushtruar nga okupatori serb. Ndonëse, akti i bërë ndaj tyre është një ndër përjetimet më të hidhura, gratë të cilat qenë pre e dhunës seksuale, vazhdojnë të qëndrojnë të forta dhe të përballen çdo ditë me dhimbjen e tyre. Një akt i tillë ka ndikim shumë të madh në gjendjen psikologjike të grave. Gratë të cilat kanë qenë pre e kësaj dhune, përjetojnë traumë të madhe e cila ndërlidhet me të gjitha sferat e jetës së tyre. 

Megjithatë, stigmatizimi i dhunës seksuale mund të ndalohet duke marrë masa të caktuara. Gratë të cilat kanë qenë të dhunuara seksualisht mund t’i ndihmojmë secili nga ne, duke ofruar përkrahje emocionale dhe duke ndihmuar në uljen e stigmatizimit të një fenomeni të këtillë. Më poshtë, janë të renditura disa nga format të cilat tregojnë se si mund t’i mbështesim viktimat e dhunës seksuale:

1. Përkrahja e ofruar nga familjarët: Duke marrë parasysh se familja është vendi më i afërt për secilin nga ne, vlen të theksohet se familjarët mund të ndihmojnë shumë në shërimin e plagëve të familjareve të cilat kanë qenë pre e dhunës seksuale. Ndonëse edhe ata vuajnë nga përjetimi në fjalë, megjithatë përkrahja dhe mbështetja emocionale është një ndër hapat kyç në largimin e traumës së marrë. 

2. Shërbimet e ofruara nga psikologët dhe punëtorët socialë: Terapitë e mbajtura tek një profesionist i shëndetit mendor si dhe ndihma e dhënë nga punëtorët socialë, ndihmojnë tej mase në largimin e një traume të tillë. Shumë gra të cilat kanë qenë viktima të dhunës seksuale, kanë mbajtur seanca të vazhdueshme te psikologët, të cilat kanë rezultuar me një mirëqenie më të mirë psikologjike. 

3. Përkrahja e ofruar nga institucionet e shtetit: Institucionet e një vendi mund të ndihmojnë shumë në largimin e stigmatizimit të dhunës. Mediat në anën tjetër, me organizimin e eventeve të ndryshme apo emisioneve televizive, mund të japin kontribut të madh që gratë e dhunuara të ndihen më mirë dhe sa më larg stigmës së krijuar. 

4. Vetëdijësimi i shoqërisë: Shpeshherë ndodh që gratë e dhunuara, të rrinë të mbyllura në shtëpi apo të qëndrojnë larg eventeve të ndryshme sociale. Kjo për shkak se ato fajësohen për aktin që e kanë përjetuar dhe një fakt i tillë bën që ato të mos ndihen rehat në mesin e njerëzve të tjerë. Për këtë arsye, shoqëria duhet t’i ndalë fenomenet e tilla të cilat lëndojnë gratë në fjalë dhe të fillojnë që t’i përkrahin ato në marrjen e hapave të rinj për jetën e tyre. 

Nga faktorët e lartpëmendur, vlen të kuptohet që secili nga ne mund të ndihmojë në zhdukjen e stigmatizimit të një dukurie të tillë. Secili nga ne mund të bëhet zëri i grave të dhunuara të cilat janë simbol i forcës së gruas dhe mrekullisë që mban ajo. 

Autore:

Tringa Visoka

Referencat: 

Hustache, Ch. (2009). Psychological support for victims of sexual violence. Int J Ment Health System. 

Mezey, G. (1998). Psychological reactions of women who have been raped. The British Journal of Psychiatry.