Nëse jeni prind në këtë epokë të informacionit dhe teknologjisë, shanset janë që ju të keni një fëmijë që ka luajtur, është duke luajtur ose do të luajë video-lojëra. Për shkak se video-lojërat janë kaq të rëndësishme në jetën e fëmijëve është e vështirë për t’i parandaluar ata që të luajnë. Por, a është e nevojshme? Me një llojllojshmëri të tillë të lojërave është e vështirë të thuash nëse në përgjithësi ato janë të mira apo të këqija (Metrics, 2007).

Ekzistojnë lloje të ndryshme lojërash në industrinë e sotme. Ato kanë për qëllim të synojnë aspekte të ndryshme të jetës së fëmijës, të cilat përbëhen nga një sërë lojërash arsimore dhe serioze. Por, në realitet cili fëmijë do ta zgjedhë një lojë rreth të mësuarit, kundrejt një loje ku mund të vrasin zombi ose të ngasin makina në sasi të pakontrollueshme të shpejtësisë?! Një studim nga Buchman dhe Funk zbuloi se “lojërat e dhunshme u bënë vazhdimisht të njohura në të gjitha klasat për djemtë dhe vajzat” (Cesarone, 1998). Lojërat arsimore ishin më të popullarizuara për disa nga vajzat që u pyetën, por në të gjitha grupmoshat, videot e dhunshme kurrë nuk humbën fuqinë e tyre superiore (Hughes, 2014).

 

Studimet kanë treguar efektet negative të video-lojërave në brezin e ri. Calvert dhe Tan bënë një studim mbi të rinjtë, ku ata krahasuan dallimet në mes të lojërave, kundrejt vëzhgimit të videove të dhunshme. Studimet zbuluan se studentët që kishin luajtur një lojë të vërtetë të dhunshme virtuale, kishin një ritëm më të lartë të zemrës, raportonin më shumë marramendje dhe shfaqnin mendime më agresive sesa ata që kishin luajtur një lojë të padhunshme (Cesarone, 1998). Një aspekt tjetër negativ është fakti se fëmijët po shpenzojnë më shumë kohë duke luajtur sesa duke bërë një aktivitet fizik mjashtë. Është e qartë se fëmijët e përfshirë në video lojëra, shpenzojnë 13 apo 14 orë në javë duke luajtur. Duke shpenzuar aq shumë kohë në tastierë ose në kompjuter, fëmijët humbasin jetën e tyre shoqërore (Hughes, 2014). Së fundmi, le të hedhim një vështrim në arsyen e qartë se pse video-lojërat nuk janë të dobishme për zhvillimin e një fëmije. Sipas Qendrës për kontroll të Sëmundjeve (CDC), në 2009-2010, 12.1% e fëmijëve të moshave 2-5 vjeç janë mbipeshë, 18% e moshave 6 deri 11 vjeç dhe 18.4% të moshës 12 deri në 19 vjeç gjithashtu janë raportuar të jenë mbipeshë. Mund të themi, se sasia e kohës që fëmijët po shpenzojnë duke luajtur video-lojëra është një faktor me ndikim. Duke shpenzuar kohën e tyre në kompjuter, fëmijët nuk po marrin pjesë në aktivitete që do t’i mbajnë ata fizikisht të shëndoshë. (Hughes, 2014).

 

Autore:

Kaltrina Haziri

 

Referencat:

Cesarone, B. (1998). Video Games: Research, Ratings, Recommendations. ERIC Digest. ERIC Development Team.

Hughes, E. (2014). Effect of Video Games on Child Development. Vanderblit University.

Metrics. (2007). Video Game Addiction: 81% of American Youth Play; 8.5% are Addicted. Metrics 2.0.