Nëse jeni prind në këtë epokë të informacionit dhe teknologjisë, shanset janë që ju të keni një fëmijë që ka luajtur, është duke luajtur ose do të luajë video-lojëra. Për shkak se video-lojërat janë kaq të shquara në jetën e fëmijëve, është e vështirë për t’i parandaluar ata që të luajnë lojëra por, a është e nevojshme? Me një llojllojshmëri të tillë të lojërave është e vështirë të thuash nëse lojërat në përgjithësi janë të mira apo të këqija (Metrics, 2007).

Ekzistojnë lloje të ndryshme lojërash në industrinë e sotme. Video-lojërat kanë për qëllim të synojnë aspekte të ndryshme të jetës së fëmijës. Këto video-lojëra përbëhen nga një sërë lojërash arsimore dhe serioze por në realitet, cili fëmijë do të zgjedhë një lojë rreth të mësuarit, kundrejt një loje ku mund të vrasin zombi ose të ngasin makina në sasi të pakontrollueshme të shpejtësisë? Një studim nga Buchman dhe Funk zbuloi se “lojërat e dhunshme u bënë vazhdimisht të njohura në të gjitha klasat për djemtë dhe vajzat” (Cesarone, 1998). Lojërat arsimore ishin më të popullarizuara për disa nga vajzat që u pyetën, por në të gjitha grupmoshat, videot e dhunshme kurrë nuk humbën fuqinë e tyre superiore në industrinë e lojërave (Hughes, 2014).

Studimet kanë treguar efektet negative të video-lojërave në brezin e ri. Calvert dhe Tan bënë një studim mbi të rinjtë, ku ata krahasuan dallimet në mes të lojërave kundrejt vëzhgimit të videove të dhunshme. Studimet zbuluan se studentët që kishin luajtur një lojë të vërtetë të dhunshme virtuale kishin një ritëm më të lartë të zemrës, raportonin më shumë marramendje dhe shfaqën mendime më agresive, sesa ata që kishin luajtur një lojë pa përmbajtje të dhunës (Cesarone, 1998).

Një aspekt tjetër negativ i video-lojërave është fakti se fëmijët po shpenzojnë shumë kohë duke luajtur lojëra, sesa duke luajtur jashtë në një mjedis të hapur. Është e qartë se fëmijët e përfshirë në video-lojëra shpenzojnë 13 apo 14 orë në javë duke luajtur. Duke shpenzuar aq shumë kohë në tastierë ose në kompjuter, fëmijët humbin jetën e tyre shoqërore. Fëmijët kanë më pak gjasa të dalin dhe të konkurojnë në aktivitete jashtëshkollore, që i pengojnë ata të takojnë njerëz të rinj dhe të bëjnë miq. Funk dhe Buchman bënë një studim tjetër mbi efektet që kanë video-lojërat për fëmijët, duke testuar vetë-kompetencën. Rezultatet gjetën se për djemtë, por jo për vajzat që luanin lojëra të dhunshme, u shoqëruan me rezultate më të ulëta të vetë-kompetencës në një ose më shumë fusha të rëndësishme zhvillimore, duke përfshirë aftësitë akademike, ndërpersonale dhe të sjelljes (Hughes, 2014).

Së fundi, le të hedhim një vështrim në arsyen e qartë se pse video lojërat nuk janë të dobishme për zhvillimin e një fëmije. Sipas Qendrës për kontroll të Sëmundjeve (CDC), në 2009-2010, 12.1 % e fëmijëve të moshave 2-5 vjeç janë të shëndoshë, 18 % e moshave 6 deri 11 vjeç janë të shëndoshë dhe 18.4 % të moshës 12 deri në 19 vjeç janë të shëndoshë. Tani, kjo është vetëm përqindja e obezitetit dhe nuk llogaritet sasia e fëmijëve që janë mbipeshë poashtu. Mund të themi, se sasia e kohës që fëmijët po shpenzojnë duke luajtur video-lojëra është një faktor me ndikim. Duke shpenzuar kohën e tyre në kompjuter, fëmijët nuk po marrin pjesë në aktivitete që do t’i mbajnë ata fizikisht të shëndoshë (Hughes, 2014).

Autore:

Kaltrina Haziri

Referencat:

Cesarone, B. (1998). Video Games: Research, Ratings, Recommendations. ERIC Digest. ERIC Development Team.

Hughes, E. (2014). Effect of Video Games on Child Development. Vanderblit University.

Metrics. (2007). Video Game Addiction: 81% of American Youth Play; 8.5% are Addicted. Metrics 2.0.