A tregohen më agresiv fëmijët me funksione ekzekutive më të ulëta?

 

Një studim i ri tregon se çrregullimet në funksionet ekzekutive parashikojnë sjelljet e mëvonshme agresive (Rohlf, Holl, Kirsch, Krahe & Elsner, 2018). Kurse një studim i botuar në Journal of Frontiers in Access-Neuroscience Behavioral (2018), tregon se fëmijët e shkollave fillore me funksione më të ulëta ekzekutive kanë më shumë gjasa të tregojnë agresivitet fizik, relacional dhe reaktiv, por jo agresivitet proaktiv. Agresiviteti, që u vërejt tek djemtë dhe vajzat, mund të vijë pjesërisht për shkak të një tendence në rritje të zemërimit. Funksionet ekzekutive janë procese mendore që na mundësojnë të planifikojmë, të kemi vëmendje, kujtojmë udhëzimet dhe menaxhojmë me sukses ato.

 

Studimet e mëparshme kanë treguar se sjellja antisociale është e lidhur me funksione të ulëta ekzekutive dhe nuk është për t’u habitur që përmirësimi i funksioneve ekzekutive mund të ndihmojë në reduktimin e agresivitetit (Ellis, Weiss & Lochman, 2009). Mirëpo ky studim i bërë nga hulumtuesit e Universitetit të Potsdamit në Gjermani, flet për marrëdhënien midis funksioneve ekzekutive në fëmijëri dhe llojeve të ndryshme të agresvitetit dhe tregon mënyrën se si çrregullimet në funksionet ekzekutive mund të parashikojnë sjelljet agresive në të ardhmen (Rohlf, et al, 2018). Ekipi hulumtues vlerësoi fëmijët e shkollave fillore gjermane të moshës 6 deri 11 vjeçare në tri periudha kohore: në fillim, një vit më vonë dhe tre vite më vonë. Fëmijët përfunduan detyrat që lidheshin me sjelljen, për të zbuluar aspektet e ndryshme të funksioneve të tyre ekzekutive. Studiuesit gjithashtu kërkuan që mësuesit e fëmijëve të tregojnë tendencën e këtyre të fundit për llojet e ndryshme të agresivitetit. Këtu përfshihet agresiviteti fizik, agresiviteti relacional (ku një fëmijë mund të kërcënojë se do t’i japë fund miqësisë), agresiviteti reaktiv (ku një fëmijë reagon në mënyrë agresive ndaj provokimit) dhe agresiviteti proaktiv (ku një fëmijë është agresiv pa qenë i provokuar). Së fundi, prindërit e fëmijëve përfunduan një analizë të detajuar se sa lehtë zemëroheshin fëmijët e tyre. “Çrregullimet në funksionet ekzekutive prekën më vonë agresivitetin fizik dhe relacional”, tha Rohlf (2018). Ata zbuluan se “sa më shumë çrregullime njohëse që treguan fëmijët në fillim të studimit, aq më i lartë ishte agresiviteti i tyre pas një viti dhe pas tri viteve në matje” dhe se me rritjen e zemërimit tek fëmijët me funksione ekzekutive të ulëta, rritet edhe agresiviteti i tyre në të ardhmen. Ekipi hulumtues gjithashtu gjeti se funksionet ekzekutive kishin efekte të ngjashme mbi agresivitetin tek të dy gjinitë (Rohlf, et al, 2018).

 

Autore:

Miradije Krasniqi

 

Referencat:

Ellis, M. L., Weiss, B., & Lochman, J. E. (2009). Executive functions in children: associations with aggressive behavior and appraisal processing. Journal of Abnormal Child Psychology. 37, 945–956.

Helena, L., Rohlf, Anna, K. Holl, Fabian Kirsch, Barbara Krahé & Birgit Elsner, (2018). Longitudinal Links between Executive Function, Anger, and Aggression in Middle Childhood. Frontiers in Behavioral Neuroscience, 12.