Agresioni dhe sjellja agresive janë ndonjëherë jashtë sferës etike të sportit dhe nganjëherë pjesë mjaft e madhe e sportit. Krejt kjo në varësi të llojit të sportit, kërkesës për interpretuesin, e kështu me radhë. Agresioni përfshin sjellje të ndryshme që i shërbejnë një fundi të përbashkët, shkaktim të dhimbjes ose dëmtime ndaj kundërshtarit.

Agresioni është çdo sjellje ndërpersonale që synon të shkaktojë dëm fizik ose shqetësim mendor ndaj një personi ose disa personave. Në kontekstin sportiv, agresioni mund të përkufizohet si sulm fizik ose verbal i paprovokuar dhe si qëllim për të kryer një sulm të tillë. Agresioni gjithashtu është përcaktuar si: “një akt i verbër ose fizik i hapur që mund të lëndojë psikologjikisht ose fizikisht një person tjetër”. Agresioni sot është pjesë e çdo sporti bashkëkohor. Gjatë njëzet viteve të fundit, shumica e sporteve kanë pësuar ndryshime drastike dhe ka pasur disa fusha problematike të vendosura dhe të adresuara që përbëjnë thelbin e hulumtimeve sportive. Disa prej tyre janë:

  • Ndikimi i drogës dhe problemet që paraqesin
  • Rritja e profesionalizmit
  • Rritja e vëmendjes dhe lavdërimit të medias
  • Komercializimi i sporteve në mbarë botën
  • Futja e normave gjyqësore dhe e ligjit civil / penal në sportet profesionale
  • Niveli i uljes së tolerancës në atletët e ditëve të sotme

Terry dhe Jackson (1985), përcaktuan agresionin në sport si: “sjellje që shkakton dëm, që lidhet me qëllimet konkurruese të sportit dhe me incidentet e agresionin e pakontrolluar, jashtë rregullave të sportit”. Sporte të tilla si xhudo, karate apo ragbi, karakterizohen nga nivele të larta agresioni dhe shpesh me kontakt të dhunshëm fizik i cili mund të jetë brenda rregullave të lojës dhe nuk ka për qëllim të lëndojë dikë. E njëjta sjellje jashtë kontekstit sportiv megjithatë, mund të përkufizohet si kriminale.

Russell (2008), siguroi një kuptim të agresionit në sport. Ai kishte diskutuar rolin e ndikimeve të ndryshme sociale në agresionin njerëzor ose efektin e provokimeve. Katherine Simpson (2001), ka gjetur dëshmi për rolin e testosteronit dhe ndikimin e saj në agresion. Ndryshimet në përqendrimin e hormoneve mund të ketë efekte të thella në disponimin dhe sjelljen e njerëzve. Faktorët e mjedisit besohet gjithashtu të kenë një ndikim në gjendjen e humorit. Për shembull: temperatura, zhurma, droga, alkooli, steroidet apo prania e armëve, të gjitha kanë treguar rritje të agresionit.

Agresioni dhe dhuna janë bërë të zakonshme në ditët moderne dhe në ngjarjet sportive, sidomos ato që kanë përmbajtje të emocioneve të larta. Mirëpo, cilado qoftë shkalla e agresionit, duhet të minimizohet duke adaptuar një qasje sistematike psikologjike dhe sociologjike, tolerancë dhe ndjeshmëri nga ana e organizatorëve dhe trajnerit. E tërë kjo duhet ndjekur nga trajnimi i duhur  për atletin e cila, në esencë mund të jetë zgjidhja.

Autore:

Kaltrina Haziri

Referencat:

Krishnaveni, K & Shahin, A. (2014). Aggression and its Influence on Sports Performance. International Journal of Physical Education, Sports and Health. 1(2): 29-32.  

Russell, G. (2008).  Aggression in the Sports World: A Social Psychological Perspective. Oxford University Press.

Simpson, K. (2001). The Role of Testosterone in Aggression. McGill Journal of Medicine. 6: 32-40.