Afazia është çrregullim gjuhësor, i shkaktuar nga dëmtimet në sistemin nervor qendror, përkatësisht në pjesë të caktuara të trurit, të cilat janë përgjegjëse për gjuhën. Çrregullimet e tilla i referohen fushës kognitive dhe janë mjaft komplekse, sepse mund të ndikojnë në funksionimin gjuhësor verbal, në të shkruar dhe gjeste (Koenig-Bruhin, Kolonko, Annoni & Hunziker, 2013; Royal College of Speech and Language Therapists, 2009). Për më tepër, Mendes, Mendes, Ribeiro dhe Guerra (2018), thonë se “afazia është çrregullim gjuhësor i karakterizuar me humbje të aftësisë për të prodhuar ose kuptuar gjuhën e shkruar ose të folur”. Çrregullimi i afazisë, zakonisht është patologji te të moshuarit, por mund të shfaqet edhe si çrregullim në zhvillim në fëmijëri (Royal College of Speech and Language Therapists, 2009).

Simptomat e afazisë sipas Lava (2018), janë:

  • Vështirësi në të folur
  • Vështirësi për të gjetur termet ose fjalët e duhura
  • Përdorim i fjalëve të çuditshme ose të papërshtatshme në bashkëbisedim

Shkaqet e afazisë sipas Royal College of Speech and Language Therapists (2009), janë:

  • Sulmet
  • Lëndimet në tru
  • Tumoret në tru
  • Neurokirurgjia
  • Infeksionet në tru
  • Sëmundjet neurologjike
  • Keqpërdorimi i drogave
  • Dementia

Ekzistojnë forma të ndryshme të trajtimit të afazisë. Një studim i realizuar nga Fontanesi dhe Schmidt (2016), për të shikuar se cili lloj i trajtimit është më i përshtatshëm për t’u aplikuar, vë në dukje se profesionistët të cilët merren me këto çështje, duhet të jenë të vetëdijshëm se secili rast duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë, si dhe është e nevojshme që në vazhdimësi të rishikohen qasjet dhe format e trajtimeve të aplikuara. Megjithatë, format e trajtimit të afazisë, në përgjithësi synojnë të përmirësojnë aftësitë për komunikim përmes disa strategjive (Royal College of Speech and Language Therapists, 2009), me qëllim që:

  • Të ndihmojnë personin që t’i përmirësojnë aftësitë
  • Të rikthejnë aftësitë gjuhësore sa më shumë që të jetë e mundur
  • T’i zëvendësojnë problemet gjuhësore
  • Të mësojnë metoda komunikimi
  • T’i trajnojnë të tjerët (familjarët, stafin shëndetësor etj.,) që të zhvillojnë aftësi komunikuese për të maksimizuar kompetencat e personave afazik.

Autore:

Artë Dulaj

Referencat:

Fontanesi, S. R. O., & Schmidt, A. (2016). Interventions in aphasia: an integrative review. Revista CEFAC18(1), 252-262.

Koenig-Bruhin, M., Kolonko, B., At, A., Annoni, J. M., & Hunziker, E. (2013). Aphasia following a stroke: recovery and recommendations for rehabilitation. Swiss Arch Neurol Psychiatry164, 292-298.

Lava, N. (2018, Sep 16). An Overview of Aphasia. WebMD.

Mendes, E. M., Mendes, A., Ribeiro, C., & Guerra, D. (2018). Adult-onset epileptic aphasia. BMJ Case Reports2018, bcr-2018.

Royal College of Speech and Language Therapists. (2009). RCSLT resource manual for commissioning and planning services for SLCN: Dysphagia.