Çrregullimi i hiperaktivitetit dhe deficitit të vëmendjes (ADHD) është një çrregullim neuro-bihevioral dhe ndër çrregullimet më të zakonshme që prekin fëmijët. ADHD karakterizohet me deficit të vëmendjes (duke mos qenë në gjendje të mbahet fokusi), hiperaktivitet (lëvizje e tepërt dhe e vazhdueshme) dhe impulsivitet (akte të nxituara dhe të pamenduara). ADHD në të shumtën e rasteve identifikohet për herë të parë në moshën shkollore, kur fëmija ka përçarje në klasë ose probleme me detyrat dhe aktivitetet shkollore. Ky çrregullim mund të prekë edhe të rriturit. Është më i zakonshëm tek djemtë sesa tek vajzat (Parekh, 2017).

Simptomat e ADHD tek fëmijët:

• Shpesh nuk arrin t’i kushtojë vëmendje detajeve ose bënë gabime të pakujdesshme në shkollë apo aktivitete tjera

• Duket sikur nuk dëgjon kur flitet drejtëpërdrejtë

• Humbet gjërat e nevojshme për detyra ose aktivitete (p.sh. lodra, lapsa, libra, mjete).

• Shpërqëndrohet lehtë nga stimujt e jashtëm

• Shpesh harron aktivitetet e përditshme, madje edhe ato të cilat i kryen rregullisht

• Flet shumë

• Ndërpret ose ndërhynë të tjerët gjatë bisedës

• Nuk qëndron ulur në vendin e caktuar në klasë

• Vazhdimisht është në lëvizje

• Ka vështirësi të luajë ose të angazhohet në aktivitete në heshtje

• E ka të vështirë të presë radhën

Fëmija mund të diagnostikohet me ADHD, vetëm atëherë kur gjashtë ose më shumë nga këto simptoma, janë të pranishme për të paktën gjashtë muaj (Bressert, 2019).

Është normale që prindërit me fëmijë të diagnostikuar me ADHD, të ndihen të pafuqishëm dhe të hutuar, duke kërkuar mënyrat më të mira për të trajtuar fëmijën e tyre. Fëmijët me ADHD nuk vendosin të shfaqin apo jo sjellje të tilla dhe të mos përqëndrohen. Është plotësisht e pa qëllimshme dhe përpjekjet për ta qetësuar fëmijën duke e qortuar, zakonisht nuk funksionojnë. Për fat të mirë ka mundësi trajtimi që mund të ndihmojë në zbutjen e simptomave të ADHD (Haggerty, 2018).

Intervenimi përfshinë:

• Medikamente – Kjo mënyrë aktivizon aftësinë e trurit për të kushtuar vëmendje dhe për të pasur më shumë vetëkontroll

• Terapi e sjelljes – Terapeutët mund t’i ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë aftësitë sociale, emocionale dhe planifikuese

• Stërvitje prindërore – Përmes stërvitjes, prindërit mësojnë mënyrat më të mira për t’iu përgjigjur vështirësive të sjelljeve që janë pjesë e ADHD

• Mbështetja e shkollës – Mësuesit mund të ndihmojnë fëmijët me ADHD të shfaqin rezultate më të mira dhe të kënaqen më shumë në shkollë (Hasan, 2017).

Këshilla për prindërit ose kujdestarët e fëmijëve me ADHD:

• Sigurohuni që fëmija të marrë trajtim efektiv

• Jini të kuptueshëm, jo kritik

• Krijoni një strukturë apo orar ditor

• Ndihmoni fëmijën të sistemohet

• Vendosni rregulla

• Mos i kurseni lëvdatat kur fëmija bën gjërat mirë (Tartakovsky, 2018).


Autore:

Fjolla Binaku

Referencat:

Bressert, S. (2019). Attention Deficit Hyperactivity Disorder (ADHD) Symptoms. Psych Central.

Haggerty, J. (2018). Treatment of ADHD in Children. Psych Central.

Hasan, Sh. (2017). ADHD. Kids Health.

Parekh, R. (2017). What is ADHD. American Psychiatric Association.

Tartakovsky, M. (2018). 8 Ways to help kids with ADHD succeed in school. Psych Central.