Gjatë ndeshjeve të futbollit, sidomos adhuruesit e këtij sporti kanë dyshuar gjithmonë për ‘’padrejtesitë’’ nga gjyqtarët. Të paktën një herë kur keni shikuar ekipin tuaj të preferuar keni thënë: ‘’ E paskan blerë referin’’. Epo, keni pasur të drejtë sepse edhe statistikat e konfirmojnë këtë. Dy ekspert të sporteve kanë analizuar të gjitha ndeshjet e ligës spanjolle ‘La Liga’ nga sezoni 2014-2015. Ata kanë zbuluar se sa më i madh ndryshimi në tabelën e rezultateve, aq më pak koha e ndërprerjes shtohet në fund të lojës. Kur rezultati është i ngushtë, megjithatë, gjyqtarët tentojnë të shtojnë më shumë kohë shtesë kur ekipi në divizionin më të lartë humbet.

Koha shtesë e shtuar nga arbitri pas 90 minutave të detyrueshme të një ndeshje futbolli përdoret për të kompensuar kohën e humbur për shkak të zëvendësimeve, lëndimeve, dëbimeve dhe incidenteve të tjera që lindin gjatë lojës, por duket sikur faktorë të tjerë gjithashtu luajnë një rol sipas një studimi të ri. Hulumtuesit Carlos Lago nga Universiteti i Vigo (Spanjë) dhe Maite Gómez (2016) nga Universiteti Europian i Madridit kanë konfirmuar se gjyqtarët favorizojnë ekipet e mëdha duke ulur kohën shtesë kur këto ekipe janë përpara në tabelën e rezultateve. Për të kryer studimin autorët u mbështetën në të dhënat nga 380 ndeshjet e luajtura në ligën spanjolle gjatë sezonit 2014-2015. Ata pastaj morën në konsideratë disa faktorë – si ndryshimi në tabelë, niveli i luajtjes së secilës skuadër, numri i kartonëve të kuq dhe të verdhë, zëvendësimet e lojtarëve, numri mesatar i ndihmave dhe faulleve të kryera – për të parë nëse ndonjë nga ata kishin një ndikim në sasinë e kohës shtesë.

Pas aplikimit të një metode statistikore (e quajtur regresioni linear dhe i përdorur gjerësisht për të identifikuar marrëdhëniet ndërmjet faktorëve), u vërejt se sa më i madh ndryshimi në tabelë, koha shtesë ishte më e vogël . Në ndeshjet shumë të ngushta, megjithatë, gjyqtarët priren të shtojnë më shumë sekonda kur skuadra në divizionin më të lartë humbet dhe pak sekonda kur fitojnë. Numri i kartonëve të kuq dhe faulave gjithashtu shkakton një rritje në kohë shtesë. Një paragjykim që favorizon ekipet vendase është edhe publiku, ku në studimet e mëparshme është treguar tashmë se presioni i tifozëve vendas gjithashtu ka një ndikim mbi gjyqtarët kur bëhet fjalë për minutat shtesë. Në ligën spanjolle, në mënyrë specifike, gjyqtarët shtojnë 112 sekonda më shumë kur skuadra vendase humbet me një gol ose fiton me një diferencë minimale.

 

Autore:

Rina Ymeri

 

Referenca:

Lago-Penas, C. & Gomez-Lopez, M. (2016). The Influence of Referee Bias on Extra Time in Elite Soccer Matches. Perceptual and Motor Skills, 122 (2).